‘Jeta për ta ish kon’

Kanë arritur që përmes këngëve dhe punës së tyre të pandalshme t’i sigurojnë vetes një jetë më të mirë. Ndonëse shpesh kemi dëgjuar nëpër intervista që të jesh fytyrë publike nuk është e aq lehtë sa publikut i duket, e mira e gjithë kësaj është se ata të paktën fitojnë para të majme nga ajo çfarë bëjnë. Po në çfarë më së shumti u pëlqen të shpenzojnë disa nga fytyrat tona publike kanë treguar ata vetë në një bisedë për gazetën Tribuna
Dikujt i pëlqen të shpenzojë në udhëtime, dikujt në gardërobë e disa të tjerë preferojnë që pak të ndajnë edhe për njerëzit që kanë nevojë. Kështu janë përgjigjur disa nga fytyrat tona në një bisedë për gazetën Tribuna. Edhe pse kanë theksuar se nuk kanë ndonjë gjë të veçantë dhe nuk janë tipa që shpenzojnë shumë, Ermal Fejzullahu, Agnesa Vuthaj, Genc Prelvukaj e Loreta Kaçka-Lori, duket që të paktën kanë mundësi që vetes t’i ofrojnë atë që e dëshirojnë.
Ermal Fejzullahut i pëlqejnë veturat e shtrenjta
Edhe pse ka një jetë të mirë dhe luksoze këngëtar i njohur Ermal Fejzullahu, në fillim të bisedës theksoi se nuk parapëlqen të shpenzojë shumë. Madje ai ka shtuar se nuk është tip që i jep rëndësi të madhe gardërobës e gjësendeve tjera. “Nuk jam tip që shpenzoj shumë të holla. Kjo ndoshta se nuk i jap shumë rëndësi gjësendeve. Nuk bëj shumë as pas gardërobës e as pas sendeve tjera”, ka thënë Ermali, ndërsa gjatë bisedës kujtohet se ka diçka që ai preferon të ndajë një shumë më të madhe të hollash. “Ndoshta mund të them që më së shumti shpenzoj për veturë. Atë mundohem gjithmonë ta zgjedh më të mirë. Dua që kur ta blej një herë të jetë e mirë, pasi që vetura nuk ndërrohet çdo ditë”, ka thënë Fejzullahu.
Agnesa Vuthaj preferon udhëtimet
Ndërkaq, njëra ndër femrat më të bukura të estradës sonë, modelja dhe ish ‘Miss Kosova’ Agnesa Vuthaj, si shumica e vajzave pohon që i pëlqen të shpenzojë në gardërobë. “Më së shumti shpenzoj për gardërobë. Tash prej se e kam hapur dyqanin në ‘Grand Store‘ kryesisht shpenzoj për obligimet rreth dyqanit”, ka thënë Vuthaj, ndërsa shpalos që më me kënaqësi dhe pa shikuar fare shpenzon në udhëtime, pasi që sipas saj, udhëtimet janë të preferuarat për të. “E më së shumti do të thosha që shpenzoj për pushime. Më pëlqen të udhëtoj dhe nuk kursej për pushimet aspak”, ka deklaruar Agnesa.
Genc Prelvukajt i pëlqen të shpenzojë në fanella të Liverpoolit
E sikurse Agnesa që është e dhënë pas gardërobës si çdo femër, rep-artisti Genc Prelvukaj tregon se është i dhënë pas gjësendeve mashkullore. E ato janë fanellat në të cilat ai më së shumti shpenzon. Duke marrë këtu në konsideratë vetëm fanellat e ekipit Liverpool të cilin artisti e ka pikë të dobët. “Më me shumë qejf shpenzoj për fanella e sende tjera që e përfaqësojnë Liverpoolin” , ka thënë Prelvukaj, ndërsa ka shtuar se pjesë e shpenzimeve të tij janë edhe obligimet ditore si të secilit njeri. “Nuk ka diçka tjetër që unë shpenzoj shumë të holla. Shpenzoj më së shumti në gjësendet e përditshme që më nevojiten. Si çdo kush tjetër”, ka nënvizuar Prelvukaj.
Loreta Kaçka- Lori: I ndihmoj familjes time dhe njerëzve që kanë nevojë
E ndryshe nga kolegët e saj këngëtarja e njohur Loreta Kaçka – Lori, të hollat që i fiton përmes muzikës mundohet t’i ndajë me familjen e vet, por pa lënë anash edhe njerëzit e tjetër që janë në nevojë. Kështu të paktën ka treguar Lori, duke theksuar se nuk ka dëshiruar asnjëherë të flasë për këtë. “Shumë shpesh kam treguar se jam e pasionuar pas gardërobës së mirë. E me këtë dihet që i kushtoj shumë vëmendje asaj. Por gardëroba nuk është në vend të parë për mua. Unë kam familjen time të cilës mundohem t’i ofroj çdo gjë që kam edhe unë. Pastaj njëkohësisht mundohem ti ndihmoj edhe njerëzit në nevojë. Edhe pse nuk kam dashur asnjëherë të flas për këtë pjesë po e zbuloj tani meqë ma bëtë pyetjen. Kjo është primare për mua. Kurrë arrij t’i kryej këto obligime atëherë plotësoj edhe teket e mija”, ka thënë këngëtarja.