Jeta është shfaqje që s`mbaron…

(Shkëlzen Halimi, “ A filloi shfaqja” shb “Konica Press”, fq. 86).
Jeta është vetë shfaqje, që ndeshet me përditshmëritë tona, me të cilat përthekohemi, është dramë me ndodhi të mira e të këqija, në të cilat personazhet luajnë rolet e tyre , por që këto duhet të hudhen në letër nga krijuesit, në mënyrë që këto ndodhi të lexohen nga lexuesit dhe të luhen nga aktorët.
Një dramë e tillë e kishte kapluar gjithë rruzullin tokësor, me një personazh (hije) të padukshëm, e që me padukshmërinë e tij, bënte kërdi në popullatë, i izolonte brenda shtëpive të tyre, ishte vetë mortja, që e gjithë bota ballafaqohej me të, duke u marrë jetën qindra mijëra njerëzve, prandaj, për këtë personazh negativ, të urryer nga të gjithë duhet shkruar dramë, poezi e shkrime të tjera, në mënyrë që mos të hudhet në harresë kjo dramë me shfaqje të errët dhe e veshur me vello të zezë.
Për këtë zezonë është kujdesur me dramën e tij shkrimtari dhe dramaturgu i njohur Shkëlzen Halimi, i cili së fundi shkroi dramën me titull “A filloi shfaqja”, botues “Konica Press”.
Kjo dramë është rregulluar në tri pamje, me dy personazhe pa emër e pa mbiemër, por vetëm (AI dhe AJO) bashkëshortë. Ngjarja zhvillohet në një dhomë, në kohë Pandemie, të mbyllur në Karantinë, nuk guxonin të dilnin, sepse jashtë dhomës i priste vdekja, mortja sillej përjashta, nuk kishte siguri, dhe monotoninë e thyenin dialogjet e tyre interesante, rreth kësaj gjendje të krijuar në terren nga ky “mysafir” i paftuar, por me optimizëm dhe shpresë që ky virus do ta thyej diku qafën dhe do të mund të dalin lirshëm jashtë, e jeta të zhvillohet në suaza normale. Por gjithçka tani për tani ishte e kotë, edhe pse Ai, i jepte kurajo Asaj, se do të kalojë, ajo e dinte fare mirë që ky virus nuk do të çrrënjoset edhe aq lehtë, sepse ai ishtu kahdo dhe kudo, ishte futur brenda nesh, ishte shumë afër, me secilin, priste hapin e parë dhe të fus në rrugën e vdekjes, sepse ishim para portës së saj.
Këto dialogje të shkurtra autori mjeshtërisht i ka futur në funksion, duke u dhënë tekstin përkatës, të shkruar me një mjeshtëri, sepse atë që nuk e ndjen nuk mund ta shkruash bukur, ajo del krejt natyrshëm nga baza, nga vija e parë e frontit, dhe këto të gjitha i ka parë në përditshmërinë tonë të zymtë, siç ishte bërë e zymtë edhe vetë jeta.
E vetmja mënyrë për ta mundur armikun e padukshëm, ishte vetëm me qetësi dhe dashuri dhe ate brenda katër mureve, shoqëruar me monotoni, hidhërim e nervozë, sidomos Ajo, ndërsa Ai e merrte situatën me qetësi, sepse ashtu ishin krijuar rrethanat e nuk kishte çfarë të bëj, njëjtë siç nuk kishte çka të bëj e gjithë popullata e mbarë botës.
Kudo kishte banuar frika, sepse ky virus nuk ishte me qëndrim ditor, por do të jetë për një kohë të gjatë, që edhe kur të shporret, do të lër pasoja në njerëz. Por frika dhe mërzia janë gratis (pa pagesë), prandaj edhe ishim të gllabëruar nga ajo.
Por, në vazhdim të dramës së tyre, që po zhvillohet brenda katër mureve, Asaj, iu shkrep në mendje një diçka tjetër, një “virus” edhe më i keq, më i rrezikshëm, se mos djali i tyre që po u shmangej bashkëshortëve, mos po bën pakt me djallin, me virusin e përjetshëm, politikën. Pra, tani Ajo ishte në mes dy viruseve të rrezikshme, njëri që merrte jetë e tjetri që të futë në një rrugë pa dalje. Këto dialogje të personazheve, nganjëherë japin edhe dromca të përditshmërive tona në rrafshin jetësor, sepse drama e djallit (politikës), po na shoqëron çdo ditë, dramë kjo që nuk mbaron kurrë, është me ne, si një banore e përhershme, me të mira të pakta e më shumë me të zeza që përdit po na shpeijnë kah zezona.
Shfaqja vazhdon tek ata, ende pa filluar, me dialogjet e tyre interesante, në atë dhomë, që i ngjante një burgu, sepse ishin ngujuar brenda, nga armiku, i cili ishte i padukshëm dhe në çdo çast mund të ballafaqoheshe me të.
Autori, këtë gjetje motivuese, bukur mirë e ka shkrirë në dramën me tri pamje, ka vu në skenë një ngjarje dramatike të saktë, të ndodhur kohë më parë e që nuk harrohet, dhe nuk duhet të harrohet kurrë, e këtë e ka shkruar që të mbetet në kujtesë kjo dramë mortore, që të shfaqet para gjeneratave, që të kujtohet, se njerëzimi e ka pasur një armik që merrte jetë.
Kjo dramë është interesante për lexim, lexohet me një frymë dhe është realizuar bukur artistikisht, dhe kjo dramë duhet sa më parë të jetësohet, pra të luhet në skenë, e të kompletohet ky projekt i dobishëm i autorit dedikuar lexuesve.
Bilall Maliqi, shkrimtar