KKVITI

“Jeta është një përrallë e rrëfyer nga një idiot”

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Artur Zheji- Koka e prerë e Ajshes u varros. Nuk dihet bashkë apo veç nga trupi. Ndërsa shpirti i saj akuzon të gjithë shoqërinë njëherësh. Kokë e Trup bashkë.

“Life is a tale, told by an idiot” (akti V, skena V, ‘Makbeth’, Shakespeare)

Dikur Hamleti monologonte me një kafkë. Sot mund të monologojmë me kokën e prerë të Ajshes.

Një 19-vjeçare e gjetur pa kokë. Një kokë e prerë nga një dashnor absurd 80-vjeçar. Ndërkohë që plot 30-vjeçarë ankohen për impotencë të parakohshme.

Jetojmë pra sot në një dimension që kjo thënie e thellë dhe e dhimbshme dhe kozmogonike disa qindra vjeçare tingëllon e sotshme, tingëllon e nesërme.

Për hakmarrje, për motive të dobëta, për motive pa motive dhe shkaqe çmendurake, njollat e gjakut dhe grahmat e vdekjes popullojnë skutat e shumta të jetës së fshehur shqiptare.

Larg vëmendjes së të shumtëve, të të larëve dhe të të kruarve para pasqyrave luksoze, kataloguar dënueshëm në ashtuquajturin album të qelbur të mjerimit të fundërrinave të shoqërisë, për të cilat Zoti, dhe jo robi, duhet të përkujdeset.

Dhe pyetjet që burojnë janë të shumta, në këtë kohë që ecën apo duket sikur ecën shpejt dhe përpara, çfarë shoqërie po ngjizet përbri, përmbi apo përposh nesh.

Një shoqëri që jeton e ndarë në disa rrafshe, të cilat qëndrojnë larg, në distancë dhe me hendeqe të thella nga njëra-tjetra.

Shpesh të bie të shohësh ca super vila vezulluese në të tepërt, me një super luks dhe me ca super makina parkuar dukshëm. Ca super apartamente, me super ballkone e super shërbëtorë e me një super standard jete dhe shpërdorimi, që vështirë të jenë vënë, më së shumti, me djersë apo gjenialitet menaxherial.

Një evazion i frikshëm e i shtresëzuar fiskal fshihet pas kësaj, një evazion përgjegjësish shoqërore, simbas moralit primitiv, kush ka më shumë, paguan më pak, kush ka më pak, do të ketë edhe nesër akoma më pak.

Ëndrra për t’u bërë befas milioner, si komshiu i drogës, femrave dhe grabitjeve; si shefi i politikës me shumë shtëpi, shumë makina dhe shumë gra; si shefi i biznesit të pa tatuar apo të kontrabandës shumë miliona dollarëshe, është ëndrra që përcjell gjumin e shqetësuar të shumë varfanjakëve shpesh me Mercedes të ndryshkur, të shoqërisë shqiptare.

Ëndrra e xhunglës sonë kapitaliste, është një karburant transversal lëvizjeje dhe urrejtjeje, shumë energjike, por aspak njerëzore. Shoqëria jonë vrapon çmendurisht drejt këtij qëllimi dhe nuk ka kohë të ndalet as edhe një grimë e të shohë se çfarë njeriu dhe çfarë qytetari po prodhohet gjithnjë e më shpesh. Një eksitim i pazakontë vlon në mendjet e kapura nga ethet e arit, të prodhohen para, mall e plaçkë, të shtypen e të grabiten para syve tanë, më i dobëti dhe më i pambrojturi, të gënjehen ata që kemi sipër koke dhe të shkelim sa mundim atë që kemi poshtë.

Shoh shpesh sy dhe vështrime të egra në qytet, ndodhin vrasje për një vend parkimi, vëllai vret vëllanë për një pëllëmbë tokë, babai të birin dhe biri babanë. Fëmijë të pafajshëm digjen në kolibet e varfra, përdhunimet e çdo lloji dhe të padenoncuara nuk kanë të numëruar.

Hidromorava

Ç’po ndodh kështu?

A mos do të gdhihemi një ditë dhe do të na hapen sytë, sytë tanë të verbuar mbas materies dhe do të zbulojmë papritmas që na rrethojnë përbindësha? Do të shihemi në pasqyrë dhe do të shohim si në metamorfozën e Kafkës, vetveten të shndërruar në insekt?

Përsëri koka e prerë e Ajshes të trallis mendimet, sado të mundohesh t’i sistemosh ato.

Sepse shohim që shoqëria civile është një shoqëri servile dhe shpesh e korruptuar, punëtorët e skelave fluturojnë nga pallatet të pasiguruar dhe vdesin pa bujë, se mediat e fshehin; jetimët që mbeten pas kthehen në lypsa dhe ndoshta fare shpejt në hajdutë dhe vrasës, dhe pronarët me miq të fuqishëm rrethohen me policë të shumtë të shtetit apo të privatit. Spiralja e mosdashurisë apo e urrejtjes transversale sidhe e qëllimeve kryekëput materiale, nuk i lë kohë askujt të ndalet në një semafor refleksioni, të kuptojë më shumë vetveten dhe të kuptojë sensin e lumturisë së pamundur, gjithmonë e më të pamundur.

Sepse lumturia nuk buron dot nga mposhtja e dhunshme e kundërshtarit apo rivalit, apo nga kënaqja e pafre e epsheve, që shtaza që kemi brenda nesh pulson pareshtur. Kinezët e vjetër thonë diku në kulturën e tyre të pafundme se jeta e njeriut matet me pak minutat e lumturisë së përftuara në shumë vite jete.

Edhe ajo çka jemi të detyruar të jetojmë në rrafshin politik, është e ngjashme. Vërejmë me dhimbje sysh, antagonizmin e egër të eksituar nga amoku i pushtetit me çdo kusht.

Dikush, nuk e di se kush, me siguri një askush, zë e na thotë se jemi një shoqëri e re, jemi një llavë e nxehtë vullkani, se jemi gjenetikisht të egër dhe gjenetikisht të paqytetëruar. Një racë e moszhvilluar apo një racë e pazhvillueshme.

Unë nuk e besoj këtë dhe si lexues i hershëm i Gottfried Leibniz, jam i bindur në barazinë substanciale të krijesave të krijuara nga Zoti.

Ndoshta këtë përrallë të zymtë të shoqërisë shqiptare, lustruar së jashtmi dhe mjeruar së brendshmi, e rrëfen një idiot, që ne shqiptarët e kemi kurorëzuar Mbret: paraja, malli, materia.

Sepse akoma ne shqiptarët besojmë patologjikisht se paraja është vetë qëllimi i jetës. Ndërsa zhvillimi dhe qytetërimi i vërtetë e ka vendosur paranë dhe epshin material diku më poshtë në klasifikim.

Tek Instrumentet e domosdoshme.

Por shpesh lexoj refleksione të tilla pesimiste e të ngjashme edhe ndër kryeqytetet më të ndritshme dhe kuptoj se, mjerisht, xhungla është shumë më e madhe sesa shkurret tona.

Dhe më pas koka e prerë e Ajshes u varros. Nuk dihet bashkë apo veç nga trupi. Ndërsa shpirti i saj akuzon të gjithë shoqërinë njëherësh.

Kokë e Trup bashkë.