Jemi kreditorë

Vetëm në dhjetë vitet e fundit, Qeveria e Kosovës ka investuar në ndërmarrjen “Trepça” rreth 100 milionë euro. Kjo, për drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, e bën Qeverinë kreditorin kryesor në këtë ndërmarrje.
Ata këshillojnë ekzekutivin që të ketë kujdes dhe të aplikojë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit si bartësi kryesor i pasurisë në këtë ndërmarrje, shkruan gazeta “Express”.
Këto ditë AKP-ja ka shpallur njoftimin për afatin e kërkesave për të gjithë kreditorët pretendentë ndaj ndërmarrjes Trepça.
Safet Gerxhaliu, kreu i Odës Ekonomike, thotë se AKP-ja duhet të jetë shumë e kujdesshme në verifikimin e dëshmive se kush është kreditor e kush jo. Posaçërisht me kreditorët e periudhës 90-99, që, sipas tij, nuk duhet të merren parasysh fare, pasi bëhet fjalë për një regjim diskriminues të asaj kohe.
“Vetëm në dekadën e fundit, Qeveria e Kosovës ka investuar rreth 100 milionë euro në ndërmarrjen Trepça, prandaj konsiderojmë se praktikisht dhe ligjërisht ajo është kreditori kryesor në ndërmarrjen Trepça”, ka thënë Gerxhaliu për Express.
Sipas tij, këto investime Qeveria duhet t’i parashtrojë në mënyrë të argumentuar juridikisht dhe ekonomikisht në AKP, në mënyrë që edhe zyrtarisht të hyjnë në listën e kreditorëve sipas Ligjit mbi Riorganizimin e Ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurive të tyre. Ky proces do të ndikonte pastaj direkt në formimin e Grupit të Kualifikuar të Kreditorëve, i cili pritet të formohet për të vendosur rreth kësaj çështjeje.
Agjencia Kosovare e Privatizimit tashmë ka shpallur njoftimin për afatin e kërkesave për të gjithë kreditorët pretendentë ndaj ndërmarrjes Trepça, për të paraqitur dëshmitë e kërkesave apo ato të interesit. Më datë 1 nëntor 2012 është afati i fundit i dorëzimit të kërkesave me qëllim të identifikimit të kreditorëve të ndërmarrjes kombinati xehetaro-metalurgjik, kimik “Trepça”. Afati ka kohëzgjatje 60 ditë nga dita e publikimit.
Qëllimi i krejt kësaj, sipas zëdhënësit në AKP, Ylli Kaloshi, është që të definohen qartë kreditorët e Trepçës.
“Pas shqyrtimit të këtyre kërkesave e ankesave, do të definohen kreditorët e Trepçës.Pas shqyrtimit të kërkesave, do të mbahet takimi i kreditorëve, që do të pasohet më vonë me formimin e komisionit të kreditorëve”, ka thënë Kaloshi për “Express”.
Nga ana tjetër, drejtuesit e Odës Ekonomike kanë ftuar Qeverinë, komunat dhe të gjitha kompanitë private që kanë arsye për të kërkuar dhe për të evidentuar si ofertues të këtyre dokumenteve, që ato t’i argumentojnë sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që bordi, i cili do të krijohet, të ketë një përbërje shumë më substanciale vendore sesa aty të jenë kompani ose pretendentë nga Greqia, Serbia, Bullgaria, Franca dhe Italia.
Sipas Gerxhalit, një qasje e tillë me siguri se do ta çorganizojë ose do ta sillte Trepçën e Kosovës në një situatë të palakmueshme. Ai ka shtuar që ka shumë pretendentë që në mënyrë jo të argumentuar thonë se ndërmarrja Trepça u ka borxh atyre.
“Kërkesat e periudhës ’90-99 nuk duhet të merren parasysh fare, pasi bëhet fjalë për një regjim diskriminues”, ka thënë Gerxhaliu.
Drejtuesit e këtij asociacioni të bizneseve rekomandojnë Qeverinë që sa më shpejt t’i paraqesin kërkesat e tyre për vlerën e investimeve që kanë bërë në ndërmarrjen Trepça dhe borxhet që u ka kjo e fundit, në periudha të ndryshme të punës së saj.