RCCOLA

Jehona e Manifestimit Tradicional – “Ditët e Komandant Lleshit”

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Në Tërnoc e Bujanoc, me një varg aktivitetesh të shumta, me sukses u shënua Manifestimi tradicional – “Ditët e Komandant Lleshit”, me rastin e 18-vjetorit të rënies heroike të Ridvan Qazimit, njërit nga Komandantët e UÇPMB-së, ish negociator, midis palës shqiptare dhe asaj serbe.

Dita e parë e manifestimit, filloi më 23 maj, me një orë letrare dhe me Shfaqjen “Misteri” nga Teatri i Qytetit të Preshevës.

Dita e dytë e manifestimit filloi, më 24 maj me një marsh për te vendi i rënies së Komandant Lleshit dhe organizimi i vizitës në muzeun e fshatit Tërnoc, me ç’rast është inauguruar edhe Muzeu në Tërnoc, si dhe janë vizituar familjarët e Komandant Lleshit. Kjo ditw, gjithashtu, u madhështua edhe me një aktivitet sportiv me ndeshjen Tradicionale të futbollit: KF “Tërnoci” dhe KF ” Bashkimi” nga Kumanova.

Dita e tretë u përmbyll me organizimin e homazheve te varri i Komandant Lleshit dhe dëshmorit Besim Faiku, si dhe u mbajt një Akademi përkujtimore në Pallatin e Kulturës në Bujanoc, në të cilën morën pjesë familjarë, përfaqësues politikë e institucionalë, përfaqësues të OVL-së e veprimtarë të shumtë nga Lugina dhe rajoni.

Kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi, duke folur për heroin kombëtar të Luginës dhe për ish-kryenegociatorin e ekipit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Komandant Lleshin, theksoi se „si në asnjë rast tjetër ndjej respekt e krenari se sa kur më duhet të flas për të madhin Ridvan Qazimin. Duket se flet mjaft fakti, theksoi Kamberi, se 18 vjet më pas i kemi ende të freskëta kujtimet për njeriun që i dhuroi vendit të tij, diçka të pakrahasueshme dhe të papërsëritshme”.

Mobi Casa

Sa i përket disa zërave nga radhët e Lëvizjes serbe DVER, që të ndërpritet mbajtja e aktiviteteve për nder të Komandant Lleshit, i cili tashmë është kthyer në traditë, kryetari Kamberi në fjalimin e tij tha: “Dhe sot, 18 vjet më vonë, ne dëgjojmë klithma e britma për të ndaluar një manifestim në të cilin përkujtohet Ridvan Qazimi”. Dëgjojmë kërcënime e kërkesa për të “vepruar organet e shtetit”, vazhdon kryetari Kamberi, “thuase vërtetë besojnë se duke u çirrur nëpër mediume qendrore, të cilat po tentojnë të nxisin trazira në Luginë të Preshevës, do të na frikësojnë”, duke apeluar se “Nga ky vend i bëjmë të qartë zyrtarëve dhe neofashistëve, Manifestimi për Komandant Lleshin ndalet vetëm nëse i shlyeni shqiptarët nga Lugina e Preshevës. E kjo nuk do të ndodh!”.

Ndonëse pavarësisht edhe ata vetë janë të vetëdijshëm se kjo nuk mund të ndodhë, thotë me bindje të thellë kryetari Kamberi, por ata tentojnë të destabilizojnë rajonin tonë. “Në shërbim të kësaj ideje të mbrapshtë janë shumë faktorë, zyrtarë, parti politike me orientime fashiste, mediumet qendrore. Shtypi bulevardesk, sot i ke përplot me artikuj kundër shqiptarëve, me nxitje e shtytje për ta destabilizuar Bujanocin dhe Luginën e Preshevës. Në këtë situatë na mbetet të shpresojmë të mos të gjendet edhe ndonjë avokat i djallit për të ndihmuar këto ide të mbrapshta” u shpreh në fjalimin e tij kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi.

Gjithashtu, gjatë aktiviteteve kushtuar përvjetorëve të UÇPMB-së, në Konçul të Bujanocit, u mbajt edhe një akademi përkujtimore kushtuar dëshmorit të kombit nga ky fshat Vehbi Rexhepit.

Aktivitetet tradicionale “Ditët e Komandant Lleshit” dhe dëshmorëve të tjerë, që dhanë jetën për atë pak liri që gëzon tani Lugina e Preshevës, u përmbyllën me një program të pasur kulturor e sportiv, njofton Jetapress.