Eko Higjiena

Java e plaçkës

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Nga Enis Veliu – Gati 10 mijë tiketa i ka shqiptuar Policia e Kosovës, vetëm gjatë javës që lamë pas, kundër shoferëve të papërgjegjshëm të cilët nuk i kanë respektuar shenjat e komunikacionit.

Mirëpo, për dallim nga herët tjera, kësaj radhe Policia nuk ka kursyer as qytetarët të cilët edhe pa vetura kanë shkaktuar kundërvajtje në komunikacion, duke kaluar rrugën në vende jo të lejuara për këmbësorë.

Një javë pas fillimit të “Java e sigurisë në komunikacion”, Policia e cilësoi si të suksesshëm fushatës ku e vazhdoi edhe më tutje.

Por, në praktikë del se qëllimi i aksionit të mos jetë vetëdijesimi i shoferëve, por inkasimi i sa më shumë mjeteve nga ana e qytetarëve, pasi që me fillimin e fushatës ka filluar të zbatohet edhe një vendim i kohës së UNMIK-ut, konfiskimi i dokumenteve deri në momentin kur të paguhet gjoba, një vendim dhe veprim tipik jodemokratik, por lehtë i zbatueshëm në një vend siç është Kosova.

Nëse e bëjmë një kalkulim shumë të thjeshtë, del se gjatë javës së fundit nga shqiptimi i gjobave, Policia ka siguruar më shumë se 250 mijë euro, shumë kjo gati edhe një herë më e madhe sesa është zakonisht javëve të tjera, ku gjatë 24 orëve Policia shqiptoi rreth 800 gjoba, e ndërkaq javën e fundit numri i gjobave të shqiptuara ka arritur deri në 1400.

Në çdo ditë të fushatës vetëdijesuese, Policia e Kosovës ka rritur numrin e gjobave të shqiptuara, e që në kushte normale është dashur të jetë e kundërta, pasi që bëhet fjalë për fushatë vetëdijesimi.

Uji Dea

E në këtë rast fushata po rezulton të mos jetë e suksesshme, pasi që Policia e Kosovës nuk e ka arritur qëllimin për t’i vetëdijesuar shoferët, pasi që numri i kundërvajtjeve po rritet çdo ditë e më shumë, por ka arritur suksesshëm inkasimin e sigurt të mjeteve përmes shqiptimit të tiketave.

Në kushte normale, shqiptimi i gjobës nuk është dashur të jetë qëllimi kryesor i Policisë por, edukimi i pjesëmarrësve në komunikacion. E para është promovuar nga Policia, por jo edhe e dyta.

Si duket që Policia ka harruar se gjoba është mjeti i fundit i domosdoshëm për vetëdijesim. Ajo është dashur të hyjë në funksion kur të janë shpenzuar të gjitha mjetet tjera vetëdijesuese.

Policia, si në gjithë botën ashtu edhe në vendin tonë, duhet të përdorë mjete efikase për të vetëdijesuar pjesëmarrësit në komunikacion, ku shqiptimi i vërejtjes mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te shoferi. Por, në Kosovë shqiptimin e gjobës e kemi si metodë të parë për vetëdijesim, e që defakto mund të cilësohet si fushatë totalisht e gabueshme. Realisht, ajo mund të ketë efekte financiare pozitive, por jo edhe vetëdijesuse.

Kështu që “Java e sigurisë në komunikacion”, më shumë mund të konsiderohet si javë e plaçkës sesa javë e vetëdijesimit të qytetarëve.

Këta të fundit mund të vetëdijesohen përmes fushatave të ndryshme propagandistike, por jo duke marrë gjoba gjithnjë e më të larta për kundërvajtjet që ata i shkaktojnë në komunikacion. E nëse rritja e shqiptimit të gjobave është elementi kryesor i fushatës atëherë, Policia atë ishte dashur ta emërojë ndryshe.