Fundamenti

Jashari: Procesi i Partneritetit Publiko Privat ishte transparent dhe ligjor

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Procesi i Partneritetit Publiko Privat (PPK), ka qenë maksimalisht transparent, dhe i bazuar në legjislacionin në fuqi, duke marrë miratimin e Kuvendit Komunal, madje përtej ndarjeve partiake pozitë-opozitë nëpër të gjitha fazat e procedurave të udhëhequra thotë Nazim Jashari .

Partneriteti Publiko Privat tashmë i ndodhur nën llupën e hetuesve nuk mund të ndikojë negativisht në proceset zhvillimore dhe tejet pozitive që kanë ndodhur gjatë këtij procesi. Kështu mendon Nazim Jashari këshilltar i kryetarit Mustafa për PPP, i cili për rajonipress ka sqaruar të gjitha procedurat dhe zbatimin e anës ligjore që e ka përcjellur këtë proces.

Jashari i pyetur nga rajonipress rreth transparencës së PPP dhe të mirave që i ka sjellur ai Gjilanit thotë se këto projekte mund të vlerësohen objektivisht për secilin projekt të kurorëzuar me nënshkrimin e kontratës veç e veç. “Një gjë duhet pasur parasysh që përmes procesit të PPP-së komuna është munduar që të nxisë zhvillim ashtu që, përmes investitorëve privatë, gjithmonë duke konsideruar interesin e tyre, është rrekur t’i kompensojë mjetet e munguara investive në buxhetin e Komunës” tha Jashari.

Fundamenti

Duke komentuar hetimet rreth këtij procesi Jashari tha se zhvillimi i hetimeve nga ana e organeve të autorizuara është zhvillim normal, sa herë që mund të shfaqen dyshime lidhur me mënyrën e zbatimit të ligjit nga ana e institucioneve, mirëpo ajo që nuk është normale është publikimi i të dhënave për hetimet nëpër medie të ndryshme, sepse konsideroj që procesi i hetimeve duhet të jetë sa më diskret, edhe për të mirë të vetë hetimeve, por edhe për të mirë të atyre që hetohen. “Sa i përket asaj se kjo mund të ndikojë në ftohjen e investitorëve privatë, ajo mbetet të shihet nëpër procese të tjera të prokurimeve që eventualisht mund të ndërmarrë komuna për të zhvilluar projekte të reja të PPP-së”.

Megjithatë Jashari ka dilema me mënyrën se si po zhvillohen këto hetime. “Këtu mund të ketë faj edhe përgatitja e zyrtarëve tanë hetimor dhe zotësia e tyre në studimin dhe analizimin e dokumentacioneve të cilat janë publike dhe të cilat i japin të gjitha përgjigjet sa i përket respektimit të ligjshmërisë gjatë udhëheqjes së procedurave, kështu që nuk mendoj që ka pasur fare nevojë që zyrtarët komunalë të ftohen nëpër intervista. Jam i bindur thellësisht, duke pasur të gjitha njohuritë e nevojshme lidhur me transparencën e procesit dhe respektimin e ligjshmërisë gjatë udhëheqjeve të proceduarve, që ky hetim do të mbyllet pa ngritur kurrfarë padie ndaj askujt” tha Jashari./rajonipress/