Jashari: Ende ka politikanë të dinjitetshëm e idealist
Gjilan – Nazim Jashari është emër i njohur në skenën politike në Gjilan, por së fundit ai ka aderuar në Lëvizjen për Bashkim. Jashari në bisedën për rajonipress flet për aderimin e tij, sfidat që ka për ta rritur dhe fuqizuar Lëvizjen për Bashkim në Gjilan si dhe shumë çështje tjera që lidhen me skenën politike në Gjilan.
Rajonipress: Zoti Jashari pse vendoset të aderoni në Lëvizjen për Bashkim. Ishte në pyetje programi-koncepti politikë apo diçka tjetër?
Jashari: Besoj që koncepti politik i bashkimit kombëtar me të cilin identifikohet Lëvizja për Bashkim është i pranueshëm për shumicën absolute të shqiptarëve kudo që janë, porse nuk është vetëm ky koncept themelor politik arsye e aderimit tim në LB. Një arsye tjetër madhore është edhe ruajtja e ndershmërisë dhe idealizmit tek aktivistët e këtij subjekti edhe në këtë kohë të krizës morale që po kalojmë, gjë që më krijon kënaqësinë dhe privilegjin që të rreshtohem krah tyre në përpjekjet për ngritjen dhe fuqizimin e lëvizjes duke synuar rritjen e ndikimit elektoral si parakusht për ndikim më të madh në rrjedhat shoqërore.
Rajonipress : Cili do të jetë ndikimi i juaj në këtë subjekt politikë dhe si mendoni të jepni kontribut për të avancuar jetën politike dhe ekonomike për rajonin e Anamoravës?
Jashari: Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të LB jam kooptuar në përbërjen e këtij këshilli dhe njëkohësisht jam caktuar koordinator i LB për qytetin e Gjilanit, ku si detyrë themelore e imja do të jetë rritja dhe fuqizimi i LB në Gjilan duke ngritur struktura nismëtare që do ta përgatisin mbajtjen e Kuvendit të LB për Gjilanin nga i cili do të dalë udhëheqja e zgjedhur demokratikisht e Lëvizjes për Bashkim.
Konsideroj se kjo nuk do të jetë sfidë aspak e lehtë duke pasur parasysh degradimin e proceseve politike dhe të institucioneve në popull e që për rrjedhojë ka shkaktuar një humbje të madhe të besimit të qytetarëve në partitë politike, mirëpo paradoksalisht nuk ka mënyrë tjetër për përparimin e cilësisë së politikëbërjes e me këtë edhe rikthimin e besimit të qytetarëve në proceset politike dhe në institucione përveç se përmes aktivizimit të energjive të reja, konstruktive dhe kreative në këto procese, e të cilat përmes shembujve personalë të përkushtimit dhe të përgjegjshmërisë do të dëshmonin që edhe në Kosovë mund të kemi politikanë të dinjitetshëm dhe idealistë të tillë çfarë edhe i duhen vendit tonë që ka kaq detyra të mëdha dhe të vështira përpara.
Rajonipress: Si e vlerësoni punën e pushtetit lokal dhe si atë të opozitës. Çka do të kishit ndryshuar në Gjilan, po të ishit në pozitat vendimmarrëse?
Jashari : Konsideroj që funksionimi i skenës politike në qytetin tonë karakterizohet nga dy momente indikative. Kemi partinë politike kryesore që u prinë institucioneve komunale që shfaqet me disa pamje kontradiktore pikërisht për shkak të kundërshtive të mëdha brenda saj e që jo rrallë krijojnë konfuzion tek qytetarët për mënyrat e vendimmarrjes në këtë mazhorancë politike.
Kemi partinë kryesore opozitare të përfaqësuar në Kuvendin komunal që karakterizohet me një pasivitet të theksuar të të bërit politikë opozitare në kuvend e që mundohet ta kompensojë me aktivizimin mediatik të të shtunave, herë me vend e herë kot së koti vetëm sa për t’u fotografuar.
Konsideroj që gjëja kryesore që duhet ndryshuar, jo vetëm në qeverisjen komunale, tash pas trembëdhjetë vitesh të funksionimit të pushtetit demokratik është gjetja e mundësive për rritjen e cilësisë së shërbyesve civilë si parakusht për t’u përgjigjur sfidave në rritje rreth krijimit të kushteve për zhvillimin ekonomik të domosdoshëm si parakusht për ndaljen e këtij trendi negativ në të cilin ka hyrë shoqëria jonë tash e sa vite.
Sigurisht që kjo mund të bëhet vetëm duke ndryshuar qasjen e deritashme në pushtetin qendror në rend të parë, por edhe në këtë lokal, duke tejkaluar mendësitë partiake dhe të ekuilibrimeve formale ndërpartiake gjatë kërkimit të zgjidhjeve në politikat e kuadrove, dhe sidomos gjetja e formave ligjore për stimulimin e atyre që mund t’i shërbejnë vendit me kreativitetin e tyre. Pa e bërë këtë hap cilësor zhvillimi ekonomik do të vonojë, siç edhe po vonon.
Rajonipress: A mendoni se Gjilani padrejtësisht po anashkalohet financiarisht nga Qeveria e Kosovës ?
Jashari: Mendoj se mospërfillja e qytetit të Gjilanit në aspektin e përkrahjes financiare nga ana e qeverisë qendrore, në krahasim me disa komuna shumë më të parëndësishme në aspektin ekomomik është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e mungesës së unitetit ose thënë më troç rrjedhojë e rivaliteteve të brendshme në degën komunale të partisë në pushtet e që për pasojë pati venitjen e autoritetit të personave përfaqësues të kësaj partie në qendër.
Mendoj se kjo i ka kushtuar shumë qytetit të Gjilanit dhe se kjo sjellje e zyrtarëve të kësaj partie nuk ka kaluar pa u hetuar nga qytetarët e komunës sonë.
Rajonipress: Kush mendoni se mund të jetë kandidati më i përshtatshëm për kryetar të Gjilanit në zgjedhjet e ardhshme lokale?
Jashari: Këtë do ta vlerësojnë qytetarët pas shpalljes së kandidaturave dhe pas shpërfaqjes së programeve dhe zotimeve zgjedhore, porse për një gjë jam i sigurt: që kushdo që do të marrë guximin që ta kërkojnë besimin e qytetarëve duhet të jetë shumë i kujdesshëm me zotimet e veta publike sepse do të ballafaqohet me qytetarë larg më të vëmendshëm se para katër vitesh./rajonipress/