Jasharaj thotë së në dhjetor miratohet Projektligji për statusin e mësimdhënësve të viteve të 90-ta

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka bërë të ditur se Projektligji për njohjen e statusit të mësimdhënësve të viteve të 90-ta, do të përmbyllet me miratim në Kuvendin e Kosovës në fillimin e këtij muaji.

Ai në një prononcim për Ekonomia Online tha se pavarësisht zërave se ky Projektligj do të mund të ndikonte në buxhetin e Kosovës, nuk duhet të jetë shqetësues, pasi sipas tij shifrat madje janë zvogëluar nga viti në vit për shkak se disa prej mësimdhënësve të asaj kohe nuk jetojnë më.Jasharaj ka thënë se ky shqetësim është ngritur pikërisht për shkak të tendencave politike për ta ngritur veten, ndërsa ka thënë se nga takimi që ka zhvilluar me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj dhe kryetarin e komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, nga të cilët ka marrë përkrahje se ky Projektligj do të jetësohet.

“Mbase kjo stërzgjatje erdhi ngase dolën ca zëra të cilët krijuan një opinion, një pjesë të opinionit se gjoja se ky projektligj mund ta cenojë buxhetin e Kosovës dhe kërkon implikime të larta buxhetore, por gjërat pas debateve të vazhdueshme, pas insistimit të SBASHK-ut dhe pas dërgimit të gjithë dokumentacionit që arsyeton ligjin dhe e tregon se vërtetë ky ligj është në shërbim të njerëzve të viteve të 90-ta dhe nuk cenon buxhetin e Kosovës”, tha ai.

Ai tha se nga Kurteshi ka marrë ka marrë premtim se i tërë ky proces do të përmbyllet në javën e parë të dhjetorit.“Ky ligj po bën 5 vite të historisë së tij dhe nga informacionet dhe kontaktet e vazhdueshme që i kemi me deputetë që janë anëtarë të komisionit parlamentar për Arsim dhe konkretisht edhe me kryetarin Ismajl Kurteshi, kemi marrë garanci se është finishi, janë disa komisione legjislative dhe të tjera të cilat janë duke e shikuar nga pozicionet e tyre dhe kemi premtime se java e parë e dhjetorit do të sjellë këtë projektligj tek deputetët për leximin e dytë”, tha ai.“Shifrat që janë dhënë fillimisht janë të sakta, madje këto shifra zvogëlohen sepse me kalimin e kohës këta njerëzit e viteve 90-ta, një pjesë e madhe e tyre nuk janë më mes të gjallëve dhe shifra që ata e kanë dhënë fillimisht 9300, kanë menduar për të gjithë të pensionuarit, mirëpo ky numër bie diku në 6000 ngase 3500 njerëz nga statistikat tona tregojnë se nuk janë më mes të gjallëve. Po them me bindje të plotë, është thënë kështu mbase se ligji është dashtë të përdoret edhe në sfera politike, se kush po e bën, kush nuk po e bën, por ligji për vitet 90-ta nuk e rrezikon buxhetin e Kosovës, ngase nëse fillon nga viti i ardhshëm, gjithsej për vitin e ardhshëm nuk kërkohen më shumë se 6 milionë e 700 mijë euro shtesë, që këta njerëz të kenë beneficionet meritore”.

Ai tha se pritjet janë që në javën e parë të përmbyllet kjo çështje.“Ne po presim që java e parë e dhjetorit të shënojë përmbylljen e ecjes kaq të gjatë të këtij ligji”.Sipas Jasharajt, nëse Projektligji për statusin e mësimdhënësve të viteve të 90-ta dhe ai për Pagat, nuk realizohen, SBASHK do të vazhdojë me greva masive në tërë sistemin arsimor në Kosovë.“Cilat do nga këto dy çështje nuk realizohen, apo nëse nuk realizohen asnjëra, apo nëse realizohet vetëm njëra, SBASHK-un do ta dërgoj në grevë. Nëse mbeten gjërat kështu të zvarritura, e të pa marrura vesh, atëherë arsimi shqip i Kosovës do të jetë në grevë, nga çerdhet e edhe në universitet”, tha ai.

Ai ka folur edhe për idenë që kishte dhënë muaj më parë, që mësimdhënësve të sëmurë rëndë, tu jepej pushim dhe nga 100 për qindëshi i pagesës, 70 për qind tu paguhej atyre, ndërsa 30 për qind praktikantëve mësimdhënës.Përveç fjalëve premtuese nga institucionet, ai tha se nuk ka marrë veprime konkrete.“Kjo ide është përkrahur shumë me fjalë edhe nga ministria, edhe nga institucionet tjera, por deri në momentin që po flas nuk kemi ndonjë informatë që është bërë diçka konkrete dhe kjo është keq”.“Shteti ynë ish dashtë me u marrë seriozisht me arsimin, t’i bëjë gjërat konkrete, të veprojë konkretisht dhe pa pasur nevojë për buxhetin siç është rasti me të pensionuarit, sepse paga e tyre 70 për qind do të shkonte për të sëmurët, 30 për qind do të ishte një shpërblim për mësimdhënësit praktikantë”.

Ndërsa, është shprehur se SBASHK-u vazhdon të bëjë thirrje që inspektorët të inspektojnë orët mësimore dhe të përmirësohen mangësitë që gjinden, mirëpo asesi nuk pranon që mësimdhënësit t’i nënshtrohen testeve me shkrim për të matur njohuritë e tyre akademike.“SBASHK-u e ka thënë gjithmonë se nuk është kundër që mësimdhënësit tonë të vizitohen në orët mësimore nga inspektorët, në mënyrë që të shihet nga afër se sa e si punojnë, në mënyrë që dobësitë eventuale t’ua thonë dhe t’i përmirësojnë. Kemi qenë dhe jemi kundër ndonjë testi me shkrim të njohurive të arsimtarëve, sepse ata këto njohuri i kanë dëshmuar në fakultet tek profesorët e tyre. Ajo që kemi kërkuar ne, është që kolegët tonë të vizitohen nga inspektorët nëpër orë, që bashkërisht t’i tejkalojmë dobësitë eventuale”, tha Jasharaj.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).