Januzaj, i Kosovës
Mediet belge kanë shkruar se Adnan Januzaj pritet të largohet nga Përfaqësuesja belge dhe t’i ndihmojë Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”. Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, ka theksuar se çdo lojtar është i mirëpritur dhe do të fillojnë kontaktet me futbollistët që luajnë jashtë, pasi të pranohen në UEFA dhe FIFA.
Adnan Januzaj sërish në qendër të vëmendjes. Janë shkrimet e medieve belge që bëjnë të ditur se futbollisti me prejardhje nga Istogu, po mendon të luajë për Kosovën në kualifikimet e Botërorit “Rusia 2018”. Januzaj dy vite më parë kishte refuzuar Shqipërinë, duke vendosur të luajë për Belgjikën, por ai nuk është ftuar që 16 muaj nga Belgjika dhe kjo është arsyeja që nuk dëshiron të qëndrojë më te kjo Përfaqësuese. Adnani nuk po ka hapësira as në ekipin e parë te Manchester United, derisa huazimi gjashtëmujor në Borussia Dortmund ishte një dështim i plotë. 21-vjeçari konsiderohej si një yll me të ardhme të ndritur, megjithatë ky shkëlqim është zbehur kohët e fundit. Duke qenë se sipas rregullores së FIFA-s, një lojtar mund të ndryshojë skuadrën vetëm nëse ekipi përfaqësues i origjinës nuk ka qenë më parë anëtar i Konfederatës Botërore të Futbollit, e bën të realizueshëm synimin e Adnan Januzajt. Ndeshja e fundit e mesfushorit në përfaqësuesen belge të drejtuar nga trajneri Marc Wilmots ishte ajo e 16 nëntorit 2014 ndaj Uellsit, e vlefshme për kualifikueset e “Euro 2016″.
Dyert e hapura nga Kosova Ndërkohë, përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Alberti Bunjaki, ka thënë se nuk ka kontaktuar me të, megjithatë i ka dyert e hapura.”Nuk kam kontaktuar me të që një kohë. I kam parë shkrimet e atyre medieve. Dyert e Përfaqësueses sonë janë të hapura për të gjithë futbollistët, sidomos për ata që shprehin.dëshirë të jenë pjesë jona, e veçmas për ata që na përshtaten në këtë moment”, ka thënë përzgjedhësi i Kosovës./kosova sot/


