Mobi Casa

Janë kryer tri faza të dezinfektimit hapësinor

/ 4 minuta lexim

Gjilan -Qyteti i Gjilanit ka më pak mushkonja dhe insekte tjera të bezdisshme prej kur këtu ka filluar të bëhet dezinsektimi i hapësirës, projekt ky që në tri faza është realizuar edhe sivjet, ndërkohë që faza e katërt, do të bëhet në fund të muajit shtator.

Veton Uka, zyrtar komunal për shëndetësi, duke folur për rrjedhën e deritashme të këtij projekti, në takimin e Komitetit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se sivjet është dezinsketuar një hapësirë prej 1000 hektarësh.

Uka ka thënë se për shkak të kufizimeve buxhetore, dezinfektimi është bërë vetëm në qytet, ku numri i insekteve është më i madh e sidomos përgjatë lumit Mirusha dhe pjesa te “Zabeli…”, që konsiderohet një vatër e mushkonjave, të cilat tani janë reduktuar në masë të madhe, sepse është e pamundur që insektet të zhduken në tërësi.

Banorët e kësaj lagje, që dikur nuk kanë mundur t`i hapin asnjëherë dritaret e shtëpive, shkaku i mushkonjave dhe kundërmimit, tani janë të kënaqur, sepse gjendja atje është krejtësisht tjetër.

Ai ka thënë se dezinfektimi është bërë nga toka, me ndihmën e dy automjeteve të posaçme për spërkatje, ndërsa në pjesët ku depërtimi i tyre ka qenë i pamundur, këtë punë e kanë kryer persona të aftësuar për këtë qëllim.

Ndërkaq, dezinfektimi i shkollave, që është pjesë e këtij projekti, do të bëhet nga 20 gushti i këtij viti, në kohën kur personali teknik kthehet në punë, ndërsa nxënësit ndodhen ende në pushime, në mënyrë që më një shtator, shkollat të jenë të gatshme për fillimin e punës.

Uji Dea

Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale i ka dhënë përkrahje të plotë Drejtorisë së Shëndetësisë në këtë projekt, duke sugjeruar që vitin tjetër të zgjerohet hapësira e dezinsektimit, duke i përfshirë edhe fshatrat, për çka pati vërejte përfaqësuesi i LDK-së, dr Jashar Jashari.

Dr Sanije Poroshtica ka thënë se në krahasim me disa qytete tjera, Gjilani është shumë rehat prej mushkonjave. “Në Prishtinë nuk ke pse e pret mbrëmjen prej këtyre insekteve” ka thënë ajo.

Dr Abdylatif Latifi, kryesues i këtij Komiteti, tha se dezinsketimi hapësinor sikurse edhe dezinfektimi i shkollave është një punë e qëlluar që po bëhet në komunën e Gjilanit dhe i ka inkurajuar autoritetet komunale që në të ardhmen ta shtrijnë projektin edhe në vendbanimet tjera, ndonëse qyteti mbetet pika më e ndjeshme për insekte.

Në këtë takim, të fundit për pjesën e parë të agjendës së këtij viti, KSHMS është informuar nga drejtori i QKMF-së, dr Valbon Milazimi, për arsyet e vonesës së projektit për vlerësimin e gjendjes shëndetësore të nxënësve të shkollave fillore të Gjilanit” si dhe me përgatitjet që janë duke u bërë që ky projekt të fillojë në shtator të këtij viti.
Milazimi u shpreh optimist se atëherë projekti do të fillojë dhe realizohet sipas dinamikës së paraparë, ndërkohë që u shpreh optimist edhe sa i përket sigurimit të buxhetit, përfshirë edhe donatorët.

KSHMS i dha mbështetje të plotë në këtë projekt drejtorit të QKMF-së dhe e inkurajoi atë që t`i vazhdojë përpjekjet për këtë drejtim, duke e vlerësuar të rëndësishëm vlerësimin e gjendjes shëndetësore të nxënësve.

Sami Ahmeti ka kërkuar që kontrollimi shëndetësor të bëhet në mënyrë të përhershme dhe të jetë gjithëpërfshirës, derisa dr Nexhat Halili tha se ka dilema nëse mund të fillohet në shtator me projekt, pasi që ende nuk janë siguruar mjetet. /rajonipress/