Jam rritur pa ndjesinë e së ardhmes

Festivali më i madh i poezisë në botë, “Poetry parnassus”, ka filluar në Londër. Janë plot 204 poetë nga e gjithë bota që e vërshuan kryeqytetin britanik, duke sjellë vargje dhe kulturë nga i gjithë globi. Mes këtyre poetëve, nuk mungon edhe një përfaqësuese shqiptare.
Bëhet fjalë për poeten Luljeta Lleshanaku, vepra e së cilës është përkthyer në gjuhën angleze. BBC i kishte kushtuar një vëmendje të veçantë tre poetëve pjesëmarrës në këtë festival, që përfaqësonin kultura tërësisht të largëta. Ata ishin poetja Tishani Doshi nga India, Nick Makoha nga Uganda dhe Luljeta Lleshanaku nga Shqipëria. Poetja shqiptare ka treguar të shkuarën e saj në sistemin komunist, si mbesa e një të pushkatuari nga regjimi.
“Vetëm 20 vjet më parë unë nuk mund ta imagjinoja të udhëtoja për në Britaninë e Madhe dhe të merrja pjesë në një ngjarje si ‘Poetry Parnassus’. Kur isha në shkollë, asnjë prej mësueseve të mia nuk më pyeti se çfarë dëshiroja të studioja në të ardhmen, sepse ato e dinin që mua nuk më lejohej të shkoja në shkollën e lartë. Nuk isha e lejuar të publikoja, të kisha një jetë publike.
Nuk mund të linim shtëpinë. Më lejohej të punoja vetëm në ndonjë fabrikë apo kooperativë. Nuk ndiej se kam humbur ndonjë gjë të madhe si poete, pasi isha 23 vjeç kur sistemi politik ndryshoi në 1991-shin. Ndoshta nuk isha ende gati për të pasur një publikim serioz. Por unë e di ç’do të thotë të rritesh pa ndjesinë e së ardhmes. Unë jam një e mbijetuar, populli im është një i mbijetuar.
Poema ime në antologjinë e ‘Parnassus’ titullohet ‘Pa kohë’. Është mbi xhaxhin tim, një nga liderët e rezistencës antikomuniste, i ekzekutuar më 31 dhjetor 1950. E lanë trupin e tij të ekspozuar në qendër të qytetit si një paralajmërim për të tjerët, ishte një veprim shumë brutal. Ai kishte tre fëmijë dhe ata duhet ta shihnin. Ai ishte konsideruar si një nga armiqtë më të rrezikshëm të sistemit. Ai nuk ka një varr”, ka rrëfyer Lleshanaku për BBC.