RCCOLA

Jakupi dhe “Plani B” i PDK-së

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Nga Milaim Shefkiu- Partia Demokratike e Kosovës deri para një jave ka qenë një parti homogjene, e konsoliduar dhe funksionale, dhe pothuajse të gjitha partitë politike ia kanë parë për lakmi.

Kjo për faktin se në një parti ku gravitojnë komandantët e luftës, të burgosurit politikë, familjarët e të rënëve në luftë, komunistë e “kullera”, ka arritur të funksionojë aq mirë sa që ndonjëherë ka tejkaluar edhe harmoninë familjare.

Ky homogjenitet ka vazhduar për disa vjet, duke funksionuar me një strukturë mirë të organizuar, me të gjitha segmentet funksionale, sikurse mozaiku shumëngjyrësh që në fund krijon një portret të bukur për sy. Ky subjekt, duke u frikësuar nga “fqinjët” nuk ka lënë të dalin jashtë as shqetësimet më të vogla.

Nga “sofra” e PDK-së, si duket asnjë nuk ka dalë i uritur, secili ka ngrënë aq sa ka mundur, dikush mish e dikush fasule, por të gjithë të ngopur. Por, shqetësimet, pakënaqësitë, paudhësitë dhe parregullsitë filluan të shfaqen para dy tre muajsh, kur në skenë dolën disa aktivistë të “padëgjueshëm” të partisë, të cilët për disa hesape të vetat, pak subjektive dhe më shumë objektive, thanë se më kështu nuk shkon.

Ishte Fatmir Limaj i pari që shfaqi pakënaqësi, pas të cilit vulë “gjurulldisë” në qeverisje i dha Jakup Krasniqi. Ky i fundit si njeri me aq ndikim dhe me aq reputacion, tha se në ketë nomenklaturë ka hajdutëri dhe se themeli i kësaj qeverisjeje është ndërtuar mbi kontrabandimin e votave.

Krasniqi pavarësisht se mund të mbetët një zë i vetmuar në PDK, ai i hyri rrezikut për të bërë ndryshim. Sikurse Xhordano Bruno në kohën e Inkuizicionit Romak, i cili për të manifestuar të vërtetën, pranoi “Saçin e Skuqur” mbi kokë. Edhe Krasniqi në këtë aventurë, mund të mbetet një pishtar i drejtësisë në PDK, por mund të përfundojë tragjikisht sikurse dikur disa politikanë nga partia rivale – LDK, të cilët, me idenë e ndryshimeve, iknin nga Ibrahim Rugova dhe përfundonin tragjikisht me 0,5 për qind të votave. Edhe Jakupi mund të digjet sikurse eshka, dalëngadalë, por e ka vështirë ta realizojë atë që synon.

RCCOLA

Ky qëndrim që ka shfaqur kësaj jave sekretari i PDK-së, duke “i çuar në rrs”, disa nga bashkëpartiakët e tij, mund t’i kushtojë edhe vetë Krasniqit, por padyshim edhe PDK-së. Për Krasniqin tashmë pas përplasjes me Adem Grabovcin, ka mbetur vetëm një rrugë, “rruga e Siratit”, reformimit të partisë më të madhe parlamentare, ose dorëheqja nga partia.

E para, është vështirë e realizueshme, sepse me këtë praktikë të kundërshtimit në Kuvend

nuk mund të reformohet një parti që drejtohet nga një lider karizmatik siç është Hashim Thaçi, dhe e dyta është “djegia si kamikaz” duke i dhënë fund një karriere 20-vjeçare politike.

Nëse reformon partinë, Krasniqi mbetet hero, ndërsa nëse ikën bashkë me dy veta të tjerë, partia mund të dobësohet, ndërsa nëse e humb garën elektorale në zgjedhjet e ardhshme, atëherë ai mbetet një lloj dezertori i një partie që ia dha të gjitha të mundshmet, duke e bërë ministër, kryetar të Kuvendi, shef i grupit parlamentar dhe ushtrues detyre të presidentit. Pra në PDK, asnjë njëri nuk ka fituar me shumë se sa Krasniqi, nëse shikohet si karrierë politike.

Mirëpo PDK-ja akoma nuk ka përfunduar, ajo e ka edhe “Planin B” të veprimit. Nëse dy krahët më të fuqishëm të partisë nuk arrijnë të bashkohen, atëherë është një njeri që mund ta luajë rolin e ndërmjetësit, ose lehtësuesit, Kadri Veseli. Ky i fundit, duke qenë për një dekadë jashtë medieve dhe opinionit, me bagazhin e luftës dhe të pasluftës si shef i SHIK-ut, mund të reflektojë në drejtim të dy poleve, edhe Krasniqit edhe Thaçit.

Meqë ka shprehur gatishmëri për të hyrë në politikë, ai tashti e ka momentin për të shpëtuar partinë dhe për t’iu bashkuar PDK-së. Nëse edhe ky “Plan B” nuk jep rezultat, atëherë PDK-ja, me refleksionet e brendshme, do të dobësohet edhe më shumë, dhe në zgjedhjet e ardhshme, të cilat mund të ndodhin shumë shpejt, mund të mbetet sikurse dikur, “nën hije”.