Jahjaga: Unë i prij delegacionit në Amerikë, jo Kryeministri
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vendosur të mos e përfillë listën e Kryeministrit Isa Mustafa dhe Ministrit të Jashtëm Hashim Thaçi, për sa i përket asaj se kush do të jetë pjesë e delegacionit të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që mbahet në shtator.
Presidentja ka thënë se ajo do të jetë kryesuese e delegacionit të Kosovës, në vizitën e muajit të ardhshëm, në Amerikë.
“Presidentja Jahjaga do të përfaqësojë Kosovën në javën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe do të jetë kryesuese e delegacionit të Kosovës gjatë kësaj jave, të rëndësishme për prezantimin e Kosovës dhe konsolidimin ndërkombëtar të vendit”, thuhet në reagimin e Presidentes, dërguar Gazetës Express.
Ky reagim i Presidentes vjen pas deklarimeve të zyrtarëve të Qeverisë, se Kryeministri Isa Mustafa është duke e përgatitur listën e zyrtarëve kosovarë që do të shkojë në New York.
Në reagim, Zyra e Presidentes citon Kushtetutën, duke thënë se Atifete Jahjaga drejton politikën e jashtme të Shtetit.
“Zyra e Presidentes bën me dije se bartëse e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës, është Presidentja e vendit dhe ajo në bashkërendim me institucionet tjera përfaqëson politikat shtetërore të vendit”, thuhet më tej në reagim.
Express gjatë ditës ka raportuar se Presidentja e Kosovës ende s’ka marrë përgjigje prej Qeverisë nëse do të jetë pjesë e delegacionit të Kosovës në OKB.
Zyrtarët e Qeverisë kanë thënë se Kryeministri Isa Mustafa deri në fund të javës së ardhshme do ta publikojë listën e zyrtarëve kosovarë që do të marrin pjesë Sesionin Vjeshtor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Sidoqoftë, Kryeministri Isa Mustafa e ka pranuar ftesën e Presidentit të SHBA’së, Barack Obama, për të marrë pjesë në takimin e Liderëve, që do të mbahet më 29 shtator në New York.
Në krejt këtë situatë, ende nuk dihet se kush do të dalë në foto me Obamën, në darkën që e organizon për nder të Sesionit të Asamblesë së OKB’së.
Ndryshe, përplasja se kush do të shkojë në New York, ka nisur në fund të muajit maj, kur Kryeministri Mustafa dhe Ministri Thaçi, gjatë një takimi në Zyrën e Presidentes, i kishin thënë Jahjagës se këtë vit delegacionin e Kosovës në OKB do ta kryesojë Kryeministri e jo Presidenti.
Madje, Thaçi e kishte përgënjeshtruar një komunikatë të Presidentes, e lëshuar pas takimit, ku Jahjaga kishte thënë se me Thaçin e Mustafën folur vetëm për Gjykatën Speciale.
Ndërkohë, kjo nuk është hera e parë kur Presidentja nuk lejohet të shkojë në OKB. Edhe në vitin 2013, Kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi e kishte udhëhequr delegacionin e Kosovës, por se atëherë Jahjaga s’pati reaguar fare.
Se a do të jetë Jahjaga për herë të katërt në OKB apo do të shkojë Isa Mustafa për herë të parë, pritet t ëshihet në ditët në vijim pasi të qartësohet kjo përplasje institucionale.


