Fundamenti

Jahjaga ua kujton NATO-së dhe KFOR-it se barrikada është shkelje e Kushtetutës

/ 3 minuta lexim
KKVITI

​Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admirali Bruce W. Clingan thotë se NATO-ja me praninë e saj në Kosovë do të vazhdojë ta zbatojë misionin e saj në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit dhe të një mjedisi të sigurt për të gjitha qytetarët e Kosovës.

Kështu ka deklaruar ai gjatë takimit me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, ku kjo e fundit ia kujtoi se barrikadat e vendosura në urën e lumit Ibër, në Mitrovicë, po e pengojnë jetën e qytetarëve të vendit dhe kjo shënon shkelje të ligjeve dhe të Kushtetutës së vendit, që garanton lirinë e lëvizjes dhe të drejtat e barabarta për të gjithë pa dallim.

Këto u biseduan në takimin lamtumirës të Cligan, ku ishin edhe pasardhësi i tij në detyrë, admirali Mark E. Ferguson si dhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Salvatore Farina.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi lartë punën e admiralit Clingan dhe angazhimin e tij dhe të NATO-s për Kosovën dhe stabilitetin e saj dhe theksoi se mirëpret vazhdimin e përkushtimit ndaj Kosovës dhe rajonit të Ballkanit edhe me pasardhësin në detyrën e komandantit në Komandën e Napolit, admiralin Ferguson.

Fundamenti

Presidentja Jahjaga në bisedë me admiralin Clingan dhe admiralin Ferguson foli për zhvillimet aktuale politike por edhe për gjendjen e sigurisë në Kosovë, me theks të posaçëm në veri të territorit të Republikës së Kosovës.

Ajo tha se Kosova ka treguar përkushtimin e saj për ndërtimin e një marrëdhënieje të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe me Republikën e Serbisë, me të cilën ka arritur edhe marrëveshje në kuadër të dialogut për normalizimin të marrëdhënieve.

Presidentja Jahjaga tha se të gjitha marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen në praktikë dhe nënvizoi rëndësinë e krijimit të kushteve për lëvizjen e lirë të qytetarëve në të gjithë territorin e vendit.

Presidentja Jahjaga tha se NATO luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin dhe paqen jo vetëm në Kosovë por edhe në gjithë rajonin e Ballkanit dhe vlerësoi lartë ndihmën e Aleancës Veri-Atlantike në ngritjen e kapaciteteve dhe të standardeve të FSK-së.