Jahjaga: Të ndërtojmë shtetin e së drejtës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Jahjaga,në urimin e saj për Vitin e Ri, ka thënë se të gjithë duhet të kemi më shumë dashuri për vendin për të sëndërtuar ëndrrën për shtet të së drejtës.

Ja edhe urimi i plotë i Presidentes Jahjaga
Kur të gjithë jemi mbledhur sonte me familjet dhe miqtë për të kremtuar këtë Natë të gjatë festive, dua t’ju uroj nga zemra – Gëzuar – shumë shëndet dhe shumë suksese; Gëzuar – me njerëzit Tuaj për një Vit të Ri, që shënon një fillim me mbarësi për gjithë shoqërinë.

Kjo është gjithmonë një kohë e shpresës, kur kremtojmë përmbylljen e një Viti dhe fillimin e një Viti tjetër, kur përmbledhim gjithë punën dhe rezultatet por kur gjithashtu shohim përpara drejt sfidave që na presin edhe si shoqëri edhe si shtet, me të cilat do të përballemi të gjithë me kurajo dhe përkushtim.

Kjo është koha kur e përmbyllim një vit që ka lënë aq shumë vështirësi, kur e kemi vënë në sprovë edhe durimin, edhe besimin, edhe shpresën tuaj për shtetin tuaj, për të cilin aq shumë kanë sakrifikuar dhe të cilin Ju e keni dashur më ndryshe. Një shtet me më shumë zhvillim dhe më shumë përparim, një shtet të demokratizuar, shtetin e të gjithë qytetarëve pa dallim. Dhe sado e gjatë të jetë rruga e reformave në shoqëri, sado të vështira dhe të dhimbshme të jenë ato, ne do t’i përballojmë me forcën, guximin dhe vullnetin tonë për ta ndërtuar shtetin e përparuar.

Është koha kur të gjithë së bashku duhet ta kthejmë besimin në vetvete dhe në shtetin që po ndërtojmë, siç kanë bërë gjenerata të tëra që kanë mbajtur gjallë shpirtin për një Kosovë ndryshe, një tokë të premtuar për qytetarët e saj, në të cilën do të gjejnë prehjen edhe familjet që për mbi 15 vjet vazhdojnë të kërkojnë më të dashurit e tyre, të zhdukur gjatë kohës së luftës.

Dhe sonte, kur të gjithë do të festojmë me familjet tona, le ta shohim një vit të ri me më shumë shpresë, me më shumë dashuri për vendin dhe më shumë punë për të sendërtuar ëndrrën e të gjithëve për Kosovën – shtetin e së drejtës dhe shtetin e të barabartëve.

Gëzuar për shumë mot!

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).