Jahjaga takon shefat e partive, kërkon nga ata t’i lënë anash interesat e ngushta

Presidentja Atifete Jahjaga ka takuar Hashim Thaçin, Isa Mustafën ndërsa me Ramush Haradinajn ka folur në telefon. Ajo u ka kërkuar atyre që ti lënë anash interesat e ngushta dhe ti formojnë institucionet.
Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Jahjagës në Facebook.
Kam takuar sot gjatë ditës, dy nga liderët e partive politike parlamentare, kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi dhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, si dhe kam zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, për të trajtuar çështjen e ndërtimit të institucioneve të vendit.
Kam kërkuar nga tre liderët, ashtu siç kërkoj edhe nga të gjithë liderët e tjerë partiakë të tregojnë pjekuri politike dhe duke lënë anash mospajtimet ndërmjet tyre dhe interesat e ngushta, të veprojnë shpejt për ndërtimin e institucioneve, konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.
Liderët e partive politike parlamentare duhet të veprojnë shpejt për të siguruar qëndrueshmërinë e vendit.
Ne duhet të dëshmojmë përkushtimin për ndërtimin e shtetit të së drejtës, duke respektuar kuadrin tonë kushtetues. Jam e përkushtuar që duke garantuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në vend, të zbatoj në përpikëri vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Institucionet e reja duhet të ndërtohen në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Duhet të garantojmë se me institucionet e reja do të përmbushim çdo detyrim ndaj qytetarëve tanë dhe gjithashtu obligimet ndaj bashkësisë ndërkombëtare, partneriteti me të cilën është jetik për vendin.
Dialogu politik është i rëndësishëm për forcimin e demokracisë së brendshme dhe ai duhet të zhvillohet, pavarësisht mospajtimeve, në interes të qytetarëve dhe të avancimit të proceseve të përgjithshme në vend.