Jahjaga ta thërrasë vazhdimin e seancës

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, duhet ta thërrasë vazhdimin e seancës inauguruese të Kuvendit të Kosovës, nëse këtë nuk e bën deputetja më e vjetër, Flora Brovina. Kështu vlerësojnë përfaqësuesit e Bllokut LAN-V, por edhe njohësit e çështjeve politike, të cilët kërkojnë nga presidentja që të reflektojë në këtë periudhë.
Mirëpo, zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu, ka përjashtuar çdo mundësi që Presidentja e Republikës së Kosovës të thërrasë seancë të Kuvendit. “Presidentja është garantuese dhe jo imponuese e funksionimit demokratik të institucioneve. Kuvendi dhe deputetët e zgjedhur kanë mandatin e tyre dhe detyrat e obligimet e tyre”, ka thënë shkurt Vllahiu.
Ndërsa, Bajram Gecaj nga LDK-ja ka thënë se asgjë nuk ka ndryshuar nga java e kaluar, ndërsa koalicioni paszgjedhor ende qëndron pranë qëndrimeve të marrëveshjes fillestare.
Ndryshe, reagimet e tyre vijnë pasi deputetja Flora Brovina ka refuzuar të thërrasë vazhdimin e seancës inauguruese pa marrëveshje politike. E për t’ia imponuar asaj thirrjen e seancës, deputetët e partive të koalicionin LAN dhe “Vetëvendosje”, kanë thënë se do t’i mbledhin nënshkrimet e deputetëve që Brovina të thërrasë seancën./zeri/