RCCOLA

Jahjaga partive politike: Ndërtoni më shpejtë institucionet, shmangini zgjedhjet

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka kërkuar nga liderët e partive politike që t’i ndërtojnë shpejtë institucionet duke e shmangur përsëritjen e zgjedhjeve dhe duke parandaluar thellimin e mëtejmë të krizës politike.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e Zyrës së Presidentes.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në kuadër të procesit të lehtësimit të diskutimeve me liderët e partive politike parlamentare, ka takuar sot në takime të veçanta kryetarin e PDK-së, zotëri Hashim Thaçi, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, zotëri Albin Kurti, kryetarin e LDK-së, zotëri Isa Mustafa dhe kryetarin e NISMA-s, zotëri Fatmir Limaj.

UBT

Për shkak të angazhimeve të kryetarit të AAK-së, zotëri Ramush Haradinaj, Presidentja Jahjaga ka zhvilluar bisedë telefonike me të për çështjen e ndërtimit më të shpejtë të institucioneve të vendit.Presidentja Jahjaga në biseda me liderët e partive politike parlamentare u ka bërë thirrje që të ecet më shpejt drejt ndërtimit të institucioneve të qëndrueshme, për të mos e futur vendin në një krizë më të thellë.

Ajo përsëriti qëndrimin se zgjidhjet duhet të gjenden brenda kuadrit kushtetues dhe bazuar në vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe theksoi domosdoshmërinë që liderët, duke e vlerësuar seriozitetin e situatës në të cilën gjendet vendi, të ofrojnë zgjidhjet që çojnë drejt ndërtimit të institucioneve, duke kërkuar rrugë që shmangin përsëritjen e zgjedhjeve.

Presidentja Jahjaga theksoi se vonesa në ndërtimin e institucioneve të vendit po e rrezikon angazhimin dhe bashkëpunimin e Kosovës në proceset ndërkombëtare, posaçërisht në fushën e sigurisë dhe po e dëmton partneritetin e saj me faktorin ndërkombëtar në fusha të ndryshme. Kosova nuk mund të mbetet e izoluar për shkak të pamundësisë që të gjejë zgjidhje për institucionet e saj.Ajo tha se gjetja e shpejtë e një emëruesi të përbashkët nga takimet do të mund të çonte drejt një takimi më të gjerë, të përbashkët, për ta përmbyllur gjithë procesin.