Fundamenti

Jahjaga nuk ka ndarje të Kosovës

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Megjithëse mbështet pa asnjë rezervë, vazhdimin e dialogut të Prishtinës me Beogradin, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në një intervistë ekskluzive për agjencinë e lajmeve Kosovapress, ka deklaruar se nuk do të ketë ndarje as të Kosovës, as të Serbisë, as shkëmbim territoresh, as status të veçantë për veriun e Kosovës. Sipas saj, për këtë pjesë, nuk do te ketë asgjë më shumë jashtë pakos së presidentit Ahtisaari.

Duke folur për kundërshtimet e lëvizjes Vetëvendosje ndaj vazhdimit të dialogut dhe reagimit të policisë së Kosovës, Jahjaga ka thënë se askush nuk ka imunitet mbi ligjin, për manipulimin e masave dhe as për tejkalimin e kompetencave duke shtuar se Policia e Kosovës nuk mund të përdoret për qëllime politike.

Duke folur për zhvillimet e fundit politike në vend, sidomos pas takimit të kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, në Bruksel, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka ripërsëritur qëndrimin e saj pro vazhdimit të dialogut, duke shtuar se nuk ka mënyrë tjetër se si do të mund të obligohej Serbia ta ndërronte qasjen ndaj Kosovës, si parakusht për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve, detyrime këto të çdo shteti që aspiron integrimin në BE.

“Dialogu nuk është vetëm mënyra më e mirë, por është mënyra e vetme me të cilën ne si shtet i pavarur dhe si shtet sovran do ta detyronim dhe do ta obligonim Serbinë që t’i përmbushë të gjitha obligimet e veta karshi Kosovës dhe karshi normave e standardeve ndërkombëtare. Unë nuk shoh zgjidhje tjetër. Ne kemi provuar dhe i kemi testuar të gjitha mënyrat tjera dhe kemi parë që nuk kanë pasur rezultate, nuk kanë pasur efekt. Kështu që, është e vetmja alternativë dhe e vetmja mënyrë është procesi i dialogut me të cilin ne, si dy shtete fqinje që nuk kemi pasur një të kaluar, ta themi, aq të lehtë dhe me shumë pasoja, që mund t’i normalizojmë marrëdhëniet në mes të të dyja shteteve tona”, ka thënë presidentja.

Ajo nuk sheh ndonjë rrezik që dialogun nga niveli teknik po avancohet në atë politik duke shtuar se shumë më e rëndësishme se emërtimi, teknik apo politik, është mënyra e përfaqësimit, e në këtë rast, sipas saj, Kosova futet në dialog vetëm si e barabartë me palën tjetër dhe si shtet sovran.

“Aspekti se a është teknik apo politik, unë e them se më shumë është një shprehje apo një aspekt i terminologjisë se si përdorët. Është me rëndësi që Kosova të paraqitet e pavarur, që Kosova të paraqitet në mënyrë dhe në nivel të barabartë sikurse të gjitha shtetet e tjera dhe Kosova në çdo përfaqësim të vetin dhe në çdo prezantim të saj, deri më tani, është përfaqësuar si shtet sovran, si shtet i pavarur me integritet dhe sovranitet territorial të garantuar ndërkombëtarisht dhe në ato korniza dhe në ato suaza do të vazhdojë që të prezantohet në çdo takim dhe çdo përfaqësim jashtë kufijve të shtetit tonë”, ka thënë ajo.

Gjithnjë duke folur në këtë temë, presidentja e Kosovës, Atife Jahjaga, përjashton ndarjen e Kosovës, shkëmbimin e territoreve apo edhe çfarëdo statusi special për veriun e vendit.

“Nuk ka ndarje të Kosovës, nuk ka ndarje të Serbisë, nuk ka shkëmbim territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka shpërngulje apo shkëmbim të popullsisë, nuk ka status të veçantë dhe nuk ka autonomi të veçantë. Zgjidhja e vetme është vetëm e vetëm përbrenda Pakos së Ahtisaarit dhe implementimit të fuqishëm dhe të hollësishëm të këtij dokumenti që tanimë është inkorporuan në kushtetutën e vendit tonë”, ka thënë ajo.

Mobi Casa

Për këtë pjesë të vendit, asgjë më shumë jashtë pakos së Ahtisaarit. Ajo ka pohuar se tashmë, institucionet e vendit, kanë nisur dialogun me përfaqësuesit legjitim të asaj pjesë të Kosovës, të cilët përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe se atje gjatë vitit të ardhshëm do të ketë zgjedhje.

“Në vitin e ardhshëm do të mbahen edhe zgjedhjet lokale ku do t’i kemi përfaqësuesit e zgjedhur legalë dhe legjitim që përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe askënd, e aq më pak me Serbinë s’do të bisedojmë për këto çështje të brendshme të Kosovës. Ne tanimë vetëm kemi hapur dialogun në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës në kuadër të kornizave të Pakos së Ahtisaarit apo Planit të Ahtisaarit për implementimin më të fuqishëm të këtij plani në terren përbrenda këtyre komunave dhe gjithsesi se Serbia mund të ketë rol në këtë dhe e ka rolin e saj, e kjo është e paraparë edhe në kuadër të Pakos së Ahtisaarit në fushën e arsimit, të kulturës, të shkencës dhe të shëndetësisë”, ka thënë ajo.

Presidentja, Jahjaga nuk ka lënë pa komentuar edhe reagimet e lëvizjes Vetëvendosje, e cila kundërshton vazhdimin e bisedimeve me Serbinë duke shtuar se e mirëkupton atë, por që nuk ka alternativë tjetër për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, pos dialogut.

“Unë kam mirëkuptim për qëndrimet e opozitës, mirëpo nuk kemi alternativë tjetër përveç procesit të dialogut me të cilin duhet t’i normalizojmë marrëdhëniet në mes të të dyja shteteve tona. Në mes të barabartëve nuk ka kushtëzime dhe ka respekt, ka mirëkuptim, ka respekt të normave dhe standardeve ndërkombëtare, ka dëshirë dhe synim për arritjen e marrëveshjeve që shkojnë të favor dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve të të dyja vendeve dhe që i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka thënë presidentja e vendit.

Sipas saj, lëvizja Vetëvendosje, si pjesë e institucionit më të lartë të shtetit, nuk shfrytëzoi të gjitha mekanizmat institucional. Ajo ka pohuar se reagimi në rrugë nuk është zgjidhje dhe se vendimet e shumicë janë obliguese, sidomos për partitë politike parlamentare.

“Është qëndrim edhe përgjegjësi e lëvizjes Vetëvendosje ndaj apo para elektoratit, para anëtarëve dhe para të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Veprimet nuk ishin veprime institucionale edhe pse lëvizja Vetëvendosje është parti politike parlamentare. Si presidente e vendit unë kam shprehur qëndrimin dhe vazhdoj ta mbaj atë qëndrim, sepse duhet të shteren dhe duhet të shfrytëzohen të gjithë mekanizmat institucional që ekzistojnë përbrenda institucioneve të Kosovës dhe përbrenda Kuvendit të Kosovës. Rruga nuk është zgjidhje për asgjë dhe veprimet dhe vendimet janë obligative për partitë dhe për të gjitha subjektet politike parlamentare”, ka thënë ajo.

Në këtë temë, të protestës dhe reagimit të policisë së Kosovës, ajo ka shtuar se askush nuk ka të drejtë dhe as imunitet për të manipuluar me masën apo edhe me kompetencat ligjore.

“Republika e Kosovës është shtet demokratik, është një shtet që ka një përkrahje dhe mbështetje të fuqishme ndërkombëtare edhe në ndërtimin e vazhdueshëm të të gjitha proceseve demokratike dhe kjo nuk e amniston askënd nga asnjë veprim apo nga veprimet e bëra, sepse askush nuk ka imunitet, ta themi, mbi ligjin për manipulimin e masave për tejkalimin e kompetencave dhe vlerësimet për të gjithë këtë bëhen konform suazave ligjore, në kuadër të normave ligjore dhe prezantimeve dhe ballafaqimeve të të gjitha fakteve në të dyja anët”, ka thënë, ndër të tjera, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë një interviste ekskluzive dhënë Agjencisë së lajmeve Kosovapress. /Kosovapress/