Mobi Casa

Jahjaga në dorë të “Babës”

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Vonesa e presidentes në emërimin e Aleksandër Lumezit për kryeprokuror e ka futur tërë sistemin e drejtësisë në krizë të thellë, me pasoja potencialisht të rënda edhe për vet Jahjagën.

Nga burime të afërta me një grup të deputetëve të opozitës të cilët kanë përpiluar një arsyetim ligjor për ta dërguar presidenten Jahjaga në Gjykatën Kushtetuese, Telegrafi ka mësuar se mbi presidenten Jahjaga së shpejti do të rëndojnë akuza për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe për vonesë të jashtëligjshme të dekretimit të Aleksandër Lumezit për Kryeprokuror të shtetit.

Telegrafi ka siguruar tërë analizën juridike në të cilën mbështetet grupi i deputetëve që synojnë të inicojnë kundër presidentes Jahjaga, procedurë ligjore me akuza të rënda të shkeljes së aktit kryesor ligjor të Republikës së Kosovës.

Nëse ky rast procedohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese dhe merr epilog kundër vonesës së presidentes, ka gjasa që presidentja Jahjaga mos ta përjetoj mandatin e plotë dhe të “shkoj në shtëpi” më herët se ç’ka planifikuar.

Fati politik i presidentes Jahjaga, sikurse i dy presidentëve para saj, me gjasë përsëri do të gjendet në duar të Enver Hasanit, i cili njihet në peizazhin politik me emrin “Baba”.

Me datën 20 shkurt 2015, Këshilli Prokurorial i Kosovës nominoi Aleksandër Lumezin për Kryeprokuror të Shtetit.

Propozimi për emërim të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit dërgohet nga Këshilli Prokurorial i Kosovës te Presidenti i Shtetit jo më vonë se pesë (5) ditë nga dita e marrjes së vendimit për nominimin e kandidatit.

Deri më tani, Presidenti nuk e ka dekretuar emërimin e z. Aleksandër Lumezi si Kryeprokuror të Shtetit.

Nominimi i z. Aleksandër Lumezit është rezultat i përsëritjes së procedurës për nominimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit në pajtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastet KI99/14 dhe KI100/14 të datës 8 korrik 2014.

ARKATANA

Me këtë aktgjykim, Gjykata Kushtetuese anuloi vendimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës me nr. 146/2014 për nominimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, si dhe urdhëroi Këshillin Prokurorial që ta përsëris procedurën e zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 109, paragrafi 7, Kryeprokurori i Shtetit emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, në bazë të propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Të njëjtën e përsëritë neni 84, paragrafi 17, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ligji nr. 03/L-224 për Këshillin Prokurorial të Kosovës pasqyron në tërësi dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në nenin 4, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.4, përcaktohet që Këshilli Prokurorial i Kosovës është kompetent për propozimin e kandidatëve tek Presidenti për emërim si Kryeprokuror të Shtetit.

Në nenin 20, paragrafi 1, theksohet se Këshilli bën nominimin e Kryeprokurorit të Shtetit nga radhët e Prokurorëve dhe ai emërohet nga Presidenti për një mandat shtatë (7) vjeçar pa mundësi riemërimi.

Presidenti i Shtetit nuk ka të drejtë që të refuzojë kandidatin e nominuar nga Këshilli Prokuroriali Kosovës.

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës bëhet dallimi midis emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit (neni 84, paragrafi 17) dhe të prokurorëve (neni 84, paragrafi 18). Dallimi midis emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe të prokurorëve pasqyrohet edhe në ligj. Sipas nenit 19, paragrafi 2, të Ligjit për Këshillin Prokurorial, Presidenti ka të drejtë të refuzojë një kandidat për prokuror me kusht që brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve t’i ofrojë Këshillit arsyet me shkrim mbi refuzimin. Mirëpo, kjo dispozitë vlen vetëm për emërimin e prokurorëve, por jo edhe për emërimin e Kryeprokurorit. Kur bëhet fjalë për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, ligji nuk i jep asnjë të drejtë Presidentit që të refuzojë kandidatin e nominuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Përveç kësaj, Presidenti nuk ka të drejtë që të vonojë emërimin e kandidatit të nominuar për Kryeprokuror të Shtetit. Përkundër deklaratave zyrtare nga Zyra e Presidentit, që Presidenti është duke vepruar brenda afateve të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj, as Kushtetuta e as ligji nuk i japin Presidentit ndonjë afat.

Presidenti ka për detyrë kushtetuese që të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës (neni 4, paragrafi 3, i Kushtetutës). Për këtë arsye Presidenti duhet të veprojë pa ndonjë vonesë dhe të mos e zvarris emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Çdo vonesë në emërimin e kandidatit të nominuar për Kryeprokuror të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, e cila ka për pasojë cenimin ose në mënyrë tjetër vështirësimin e funksionimit të institucionit të Prokurorit të Shtetit, paraqet shkelje të një prej funksioneve më themelore kushtetuese të Presidentit. Kjo vlen në veçanti në rastin aktual, ku asnjë palë e përfshirë në procesin e nominimit të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit nuk e ka kontestuar as procedurën e as rezultatin.

Për këtë arsye, çdo vonesë në emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit e ekspozon Presidentin e Shtetit ndaj rrezikut që deputetët të fillojnë procedurën për shkarkimin e Presidentit për shkak të shkeljes së rëndë të Kushtetutës sipas nenit 91, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për të filluar këtë procedurë mjafton vota e një të tretës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët mund të ngrisin peticionin e tyre drejtpërdrejtë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/