Fundamenti

Jahjaga në Capitol Hill thekson rëndësinë e mbështetjes amerikane për marrëveshjet

/ 2 minuta lexim

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u prit sot në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Washington. Ajo takoi anëtarët e lartë të Komitetit për Çështje të Jashtme të Kongresit amerikan, të kryesuar nga kongresisti Ed Royce dhe anëtari i lartë i Komitetit, kongresisti Eliot Engel.

Jahjaga falënderoi kongresistët amerikanë për përkrahjen e vazhdueshme që Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka dhënë për Kosovën. Ajo theksoi se Kosova është e lirë dhe e pavarur për shkak të ndihmës dhe përkrahjes së Kongresit amerikan.

Presidentja njoftoi kongresistët për reformat e brendshme, konsolidimin e demokracisë së Kosovës dhe forcimin e sovranitetit. Presidentja theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave për të tërhequr investitorët e huaj, reforma këto që duhet të shoqërohen me një luftë të paprecedentë kundër korrupsionit.

Presidentja Jahjaga gjithashtu informoi kongresistët me rrjedhën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe arritjen e marrëveshjeve të fundit. Ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të përkrahjes së Shteteve të Bashkuara për dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog, transmeton Koha.net.

Mobi Casa

Presidentja Jahjaga gjithashtu kërkoi vazhdimin e përkrahjes së Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Presidentja theksoi se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë luftë duke u bërë shembull në rajon.

Kongresistët falënderuan Presidenten Jahjaga për vizitën dhe thanë se Kosova tashmë është një rrëfim i suksesit. Ata ritheksuan përkrahjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për aspirata e saja euroatlantike, zbatimin e reformave demokratike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

http://koha.net/?id=27&l=77352