RCCOLA

Jahjaga merr mbështetjen amerikane për zgjidhjen e ngërçit politik

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka takuar në New York, Ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit për Evropë dhe Azi, zonjën Victoria Nuland, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi, me theks të veçantë krijimin e institucioneve të reja të Kosovë pas zgjedhjeve të 8 qershorit.

Presidentja Jahjaga e njoftoi zonjën Nuland për përpjekjet që po bëhen në Kosovë për krijimin e institucioneve të vendit, përfshirë konstitutimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e qeverisë së re, duke theksuar se deri më tani konsolidimi i institucioneve ka qenë i lidhur ngushtë me interpretimet ligjore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që ka dëshmuar pjekurinë politike dhe demokratike të vendit dhe partive politike për të zgjidhur kontestet përmes institucioneve të thirrura për ta bërë një gjë të tillë dhe për t’i respektuar vendimet e këtyre institucioneve të pavarura.

Në një komunikatë për media nga Presidenca e Kosovës, thuhet se Jahjaga e theksoi rëndësinë që zgjidhja e ngërçit politik të bëhet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilëve u është besuar vota e qytetarëve për t’i çuar përpara proceset e rëndësishme në Kosovë dhe për t’i kryer me përgjegjësi misionin dhe obligimet që shteti ynë ka marrë përsipër.

Fundamenti

Presidentja Jahjaga, duke shquar fillimin e konsultimeve me partitë politike parlamentare të Republikës të Kosovës, e theksoi rolin e saj në këtë proces si faktor i unitetit dhe garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve për ndihmën në gjetjen e formulës së përshtatshme politike që do t’i hapte rrugë krijimit të institucioneve.

Ajo tha se Kosova mbetet e pa luhatur në orientimin e saj që të jetë një partnere e fuqishme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropën Juglindore, e përkushtuar të ecë drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Në komunikatë thuhet po ashtu se Ndihmëssekretarja Nuland e siguroi Presidenten Jahjaga se ajo e ka mbështetjen e plotë të qeverisë amerikane në përpjekjet e saj që me liderët e partive politike të Kosovës të gjejë mënyrën për të ecur përpara në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin vazhdimin e një marrëdhënieje të afërt me Kosovën e përkushtuar ndaj rendit dhe ligjit, dialogut me Serbinë dhe të ardhmes euroatlantike.