Jahjaga: Lufta kundër ekstremizmit duhet të jetë e përbashkët
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga konsideron se asnjë vend nuk është i paprekshëm dhe i pacenueshëm nga trendet e fundit të radikalizmit dhe të ekstremizmit. Prandaj, lufta kundër këtyre të këqijave që po cenojnë sigurinë kolektive, sipas saj, duhet të jetë luftë e përbashkët.
Këto komente, e para e shtetit i bëri në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore i cili po mbahet në Tiranë.
Jahjaga ka deklaruar se siguria nuk është vetëm çështje e brendshme, por ajo duhet tw shndërrohet në lidhje të fuqishme të unitetit rajonal.
“Përgjigja jonë ndaj ekstremizmit dhe radikalizmit duhet të jetë zhvillimi ynë, udhëheqja e reformave dhe angazhimi në të gjithë sektorët, përfshirja më e madhe e qytetarëve në vendimmarrje dhe mbi të gjitha ofrimi i mundësive më të mëdha. Prandaj është e domosdoshme një qeverisje e bazuar në vlerat demokratike në vendet tona, që synon bashkëpunimin me vendet e tjera dhe gjithpërfshirjen si përgjigje”, ka deklaruar Jahjaga.
Sot më shumë se asnjëherë më parë, sipas saj, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të bashkuara në aspiratën për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Rajoni, siç ka thënë ajo, duhet të flasë me një zë në krijimin e projekteve të përbashkëta të zhvillimit posaçërisht në infrastrukturë dhe në energji dhe të bëhet pjesë e hartave të rëndësishme evropiane në këto fusha./Gazeta Tribuna/


