Jahjaga lavdëron Policinë për operacionin në kapje të terroristëve të dyshuar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, vizitoi sot Policinë e Kosovës, dhe atje u prit me nderimet më të larta nga Garda e Nderit e Policisë dhe më pas u takua me drejtorin e përgjithshëm Shpend Maxhuni si dhe drejtues tjerë të Policisë.
Jahjaga dhe Maxhuni biseduan për punën dhe angazhimin e Policisë së Kosovës në ruajtjen e rendit dhe të sigurisë së përgjithshme të qytetarëve.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni e njoftoi presidenten Jahjaga për punën, aktivitetet dhe sfidat me të cilat përballet Policia e Kosovës.
Ai tha se pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë përkushtimin e tyre për të ofruar sigurinë për të gjithë qytetarët e vendit.
Presidentja e vendit Jahjaga tha se vizita e saj në Policinë e Kosovës është një mbështetje institucionale për këtë mekanizëm shumë të rëndësishëm të sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit. Ajo tha se Policia e Kosovës me përkushtimin dhe profesionalizmin e saj ka siguruar mbështetjen e të gjithë qytetarëve të vendit dhe se si institucion gjithëpërfshirës po bënë punë të madhe në ruajtjen e rendit dhe të sigurisë kombëtare.
Presidentja Jahjaga e shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm Maxhuni bënë vizitë në Qendrën e Përgjimit, në Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtarë në fushën e zbatimit të ligjit si dhe në Qendrën Operative të Drejtorisë së Përgjithshme.
Pas vizitës presidentja dhe drejtori i përgjithshëm dhanë deklaratë për media. Po e botojmë të plotë deklaratën e presidentes Jahjaga:
Sot kam ardhur për të vizituar Policinë e Republikës së Kosovës, për t’i ofruar mbështetjen e institucioneve për punën dhe angazhimin e të gjithë burrave dhe grave të këtij mekanizmi më të rëndësishëm të sigurisë, por njëherit t’i ofrojmë edhe përkrahjen tonë të pakursyer këtij institucioni që ofron dhe garanton sigurinë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës në tërë territorin e vendit.
Policia e Kosovës vazhdon të jetë njëri ndër institucionet që gëzon respektin dhe besimin e qytetarëve në tërësi dhe kjo ka qenë e vazhdueshme ndaj qytetarëve të Kosovës dhe është një punë e vazhdueshme e këtij institucioni për të ndërtuar në mënyrë të vazhdueshme besimin ndaj të gjithë qytetarëve.
Operacioni i fundit i Policisë së Kosovës ndaj individëve të caktuar të dyshuar për veprime terroriste ka dëshmuar thjeshtë edhe bashkërendimin në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës, por gjithsesi se ka dëshmuar edhe përkushtimin e palëkundur të këtij institucioni në ruajtjen dhe garantimin e sigurisë kombëtare të shtetit tonë.
Ne jemi të përkushtuar të sigurojmë lirinë e gjithsecilit qytetar të shtetit tonë dhe drejtësia funksionon për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe kushdo që nuk është në këtë anë, gjithsesi që do të ballafaqohet me dorën e rendit dhe të ligjit, tha Jahjaga.