Uji Dea

Jahjaga kthehet me ‘zarf’ nga Amerika

/ 2 minuta lexim

Tre muaj pas dështimit të liderëve kosovarë për të krijuar institucionet e reja, të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit, ndërkombëtarët sërish janë detyruar të ndërhyjnë. Me krizën politike në Kosovë tani po merret edhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

Burime të Top Channel brenda institucioneve të Kosovës, kanë treguar me kushte anonimiteti, se presidentja Atifete Jahjaga gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara do të diskutojë për krizën politike në vend.

Top Channel ka mësuar se presidentja Jahjaga do të ketë një takim me Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Victoria Nuland, nga e cila pritet të marr edhe instruksionet amerikane se si të procedojë pasi të kthehet javën e ardhshme në Prishtinë.

Departamenti Amerikan i Shtetit tanimë i ka të njohura qëndrimet e dy blloqeve politike në Kosovë, pasi që ndihmës sekretarja Nuland ka qëndruar në Kosovë në muajin korrik ku një muaj pas zgjedhjeve kishte dëshmuar atmosferën e krijuar.

Po ashtu, disa nga liderët e Bllokut pas zgjedhor tanimë kanë takuar ditëve të fundit disa ambasadorë të vendeve të Quint-it, ku kanë diskutuar për krizën politike.

Fidanishtja

Zyrtarë të lartë të subjekteve politike nuk kanë pranuar të flasin zyrtarisht për këto zhvillime, por kanë pohuar se tanimë kanë marrë instruksione nga miqtë ndërkombëtarë, që mos të synojnë të ndërmarrin hapa të njëanshëm, pa marrë një përgjigje nga ndërkombëtarët.

Ndërkohë, kryesuesja e seancës konstituive Flora Brovina, ka konfirmuar se këtë javë nuk do të ketë vazhdim të seancës konstituive.

Ajo ka deklaruar se vazhdimi i seancës do të ndodhë në fund të javës së ardhshme, më 2 tetor.

Presidentja Atifete Jahjaga pritet që menjëherë pas kthimit nga vizita në Shtetet e Bashkuara të thërras në takime të ndara secilin kryetar të partive parlamentare, për t’ua treguar mesazhin amerikan.

Pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve për dalje nga kriza, kanë filluar të qarkullojnë edhe skenarë të ndryshëm për krijimin e institucioneve, por deri tani zgjedhjet e reja të parakohshme askush nuk i sheh si opsion për të dalë nga kriza. /tch/