Jahjaga: Kosova po e konsolidon demokracinë e saj të brendshme

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga priti në takim Kryesuesin e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit Amerikan, Senatorin Bob Corker, me të cilin diskutoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës, bashkëpunimin rajonal dhe thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.
Jahjaga falënderoi Senatorin Corker dhe Kongresin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, zhvillimin dhe të ardhmen e saj demokratike.
“Kosova po e konsolidon demokracinë e saj të brendshme dhe përfaqësimin e saj ndërkombëtar, dhe mbetet një faktor i paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit”, ka thënë Jahjaga.
Presidentja më tej tha se Kosova është një rrëfim i suksesit të përbashkët të institucioneve dhe popullit të saj, si dhe bashkësisë ndërkombëtare, dhe vlerësoi përkushtimin e SHBA-ve dhe Kongresit amerikan për Ballkanin dhe për procesin e integrimit euroatlantik të shteteve të këtij rajoni.