UBT

Jahjaga: Kosova është krenare për miqësinë e përjetshme me SHBA-të

/ 4 minuta lexim

Janë betuar 36 vullnetarët amerikanë para Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që do të i shërbejnë Kosovës.Në solemnitetin e betimit mori pjesë e presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga.

Ajo duke folur me këtë rast tha se i dëshiron mirëseardhje grupit të dytë të vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Kosovë dhe shtoi se vullnetarët e grupit të parë punuan me devotshmëri në tërë Kosovën, me komunitetin ku shërbyen dhe ofruan një dritare për kulturën amerikane.

“Gëzohem që suksesi i këtij programi po vazhdon më tutje. Ju, vullnetarë të rinj, do të shihni se familjet ku do të jetoni, shkollat ku do të punoni dhe komuniteti të cilit do t’i shërbeni kanë një traditë të gjatë të mikpritjes. Ju do të ndjeni që miku i shtëpisë është pjesë e familjes dhe gëzon respektin më të madh. Do të shihni se jo vetëm në komunitetin ku shërbeni por në tërë Kosovën populli ynë është krenar për partneritetin dhe miqësinë e përjetshme të shtetit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Jahjaga.

“Kjo do të jetë përvoja juaj më domethënëse dhe më fisnike. Në familjet kosovare dhe në punën tuaj do të përjetoni momente të veçanta. Do të ndani bukën, kripën dhe zemrën. Do të mësoni për besën e për rëndësinë e saj ndër shekuj. Do të keni përgjegjësi për ta ruajtur nderin e shtëpisë e do ta kuptoni sa i shenjtë është shkollimi për ne. Në odat tona do të dëgjoni tregime për mbijetesën, nderin e përpjekjet e qytetarëve të Kosovës. Do të qani me përjetimet e luftës, me kujtimin e atyre që u vranë, atyre që u dhunuan dhe atyre që ende janë të zhdukur”, tha ajo.

“Patjetër që do të mahniteni me stoicizmin e qytetarëve tanë për të krijuar një shtet ndryshe, për të falur dhe për të vazhduar tutje. Do të mahniteni me vullnetin dhe guximin e vajzave dhe djemve të Kosovës për të kontribuuar në ndërtimin e shtetit tonë. Kjo energji e të rinjve është ekzistenciale për shtetin tonë. Kosova do të jetë përvojë e paharrueshme për të gjithë ju”.

“E di që ky grup i vullnetarëve, për herë të parë do të jetojë dhe do të ndihmojë edhe komunitetin serb të Kosovës. Ju do të shihni se Kosova është shtet i të gjithëve. Do të kuptoni që dallimet nuk na ndajnë, por na bëjnë më të fortë”, tha Presidentja.

UBT

“Dëshiroj që të falënderoj ambasadorin Delawie i cili dje i dorëzoi kredencialet dhe filloi punën si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, për përkrahjen e këtij programi që në ditën e tij të parë të punës. Gjithashtu, dua që t’i them se nga sot ai do të ballafaqohet me konkurrencë nga këta ambasadorë të paqes dhe të bashkëpunimit”.

“Një falënderim i veçantë për drejtorin e përgjithshëm z. Kurtz dhe stafin jashtëzakonisht profesional të Korpusit të Paqes këtu në Kosovë. Puna e tyre e ka bërë Korpusin e Paqes një ndër programet më të suksesshme deri më sot në Kosovë.

Korpusi i Paqes këtu në Kosovë është një program i rëndësishëm për fuqizimin e miqësisë së përjetshme të popujve tanë dhe në mes të dy shteteve tona”, tha në fund Jahjaga.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Greg Delawie, iu është drejtuar Korpusit të Paqes duke thënë se këta vullnetarë do të prezantojnë paqen mes Kosovës dhe SHBA-së.

Ai gjithashtu shtoi se SHBA ka për qëllim që të jetë miku më i ngushtë i Kosovës dhe për këtë është duke punuar çdo ditë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Barjami shprehi mirëseardhje dhe i falënderoi ata për punën që do të bëjnë në Kosovë duke shpresuar se qëndrimi dy vjeçar i këtyre vullnetarë të bëhet faktor it ransformimit modern të të rinjve kosovar. /Telegrafi/