Uji Dea

Jahjaga: Kosova duhet të ndihet mirë me përgjigjen që i ka dhënë ekstremizmit të dhunshëm

/ 7 minuta lexim
FITORJA

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një status në profilin e saj zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar për një nga prioritetet e saj gjatë mandatit në krye të shtetit.

Jahjaga ka thënë se lufta kundër ekstremizmit asnjëherë nuk është injoruar nga organet e rendit.

Ajo po ashtu ka shkruar se, Kosova ka qenë e rrezikuar nga ekstremizmi në të njëjtën kohë me shtetet e tjera të Evropës.

Jahjaga ka numëruar kontributin e saj në këtë luftë si dhe arritjet gjatë mandatit të saj si presidente.

Ish-presidentja ka deklaruar se ka qenë ajo që në vitin 2014 kishte koordinuar aksionin e Policisë së Kosovës për të arrestuar xhihadistët kosovarë.

“Në verën e vitin 2014 nën koordinimin tim, në kohën kur Kosova po kalonte nëpër krizë të thellë politike, organet e rendit dhe të drejtësisë kanë ndërmarrë operacionin më të madh për arrestimin e rreth 60 qytetarëve në nivel Kosove për pjesëmarrje në lufta të huaja dhe bashkangjitje organizatave terroriste”, ka shkruar Jahjaga.

Ajo po ashtu ka shkruar se pas 3 viteve punë të palodhshme të mekanizmave të sigurisë dhe politikës, Kosova duhet të ndihet mirë me përgjigjen që i ka dhënë ekstremizmit të dhunshëm, transmeton “zeri.info”

“Gjatë tërë kësaj përpjekje jo rrallë përkrahja përbrenda ka qenë e paktë dhe përqeshja e shpeshtë. Por, pas 3 viteve pune të palodhshme të mekanizmave tonë të sigurisë dhe vendosmërisë politike për mos të lejuar që Kosova të bëhet vatër e ekstremizmit të dhunshëm, Kosova duhet të ndihet mirë me përgjigjen që i ka dhënë ekstremizmit të dhunshëm”, ka shkruar ndër të tjerash Jahjaga.

Postimi i plotë i Jahjagës:

Disa fjalë për ekstremizmin e dhunshëm në Republikën e Kosovës

Nga debati i sotëm, gjithsesi i nevojshëm, jam e shtyrë t’i rikthehem një prioriteti që ka përshkuar pothuaj tërë mandatin tim si Presidente e Republikës së Kosovës në periudhën 2011-2016, për t’i ofruar disa sqarime dhe pikëpamje rreth përmasave të dukurisë së ekstremizmit të dhunshëm dhe përgjigjes institucionale që i është dhënë këtij fenomeni në Kosovë gjatë kësaj periudhe.

Këtij debati dua t’i kontribuoj me fakte që do të na ndihmojmë ta kemi më të qartë kontekstin dhe rrethanat nën të cilat kemi vepruar dhe që besoj na ndihmojnë të ndajmë faktet nga përfundimet në të cilat vijnë vrojtuesit e ndryshëm.

Ky kërcënim asnjëherë nuk është injoruar nga organet e rendit. Këtë e them me plot përgjegjësi duke konsideruar që në dhjetë vitet e fundit kam mbajtur pozita ekzekutive në Policinë e Kosovës dhe si kreu i shtetit, që drejtpërdrejt janë lidhur me përgjigjen që Kosova i ka dhënë këtij fenomeni.

GRANDEMALL

Pa dashur të amnistoj klasën politike për shkaqet që kontribuan në krijimin e hapësirës për këtë fenomen në Kosovë, dua t’iu përkujtoj që Kosova është përballur me sfidën e ekstremizmit të dhunshëm në të njëjtën kohë me shumë shtete evropiane. Por, ajo që e ka dalluar Kosovën – e cila megjithatë në 8 vjet shtetformimi ka ende institucione të brishta – nga të gjithë janë hapat e shpejtë dhe vendosmëria për të vepruar ndaj këtij kërcënimi.

Në verën e vitin 2014 nën koordinimin tim, në kohën kur Kosova po kalonte nëpër krizë të thellë politike, organet e rendit dhe të drejtësisë kanë ndërmarrë operacionin më të madh për arrestimin e rreth 60 qytetarëve në nivel Kosove për pjesëmarrje në lufta të huaja dhe bashkangjitje organizatave terroriste. Këtij aksioni, me mbi 1000 policë, i ka paraprirë një punë e gjatë dhe shumë intensive e djemve dhe vajzave tona në uniformë që asnjëherë nuk e kanë nënçmuar këtë kërcënim.

Mbi supet e tyre e kemi vënë përgjegjësinë për mbrojtjen e sigurisë nacionale dhe mbledhjen e mjaftueshme të dëshmive që këta pjesëtarë të grupeve terroriste të sillen para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar për rrezikimin e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës dhe aleatëve të tyre. Dua t’iu përkujtoj që këta mekanizma kanë punuar ditë e natë, përkundër kufizimeve të shumta të mandateve të tyre, që ta garantojnë sigurinë tonë kombëtare. Dhe e them me plot bindje që e kanë bërë një punë shembullore.

Si pjesë e këtij operacioni të koordinuar, ne i kemi dhënë goditje ekstremizmit të dhunshëm përmes mbylljes së xhamive ilegale dhe organizatave gjoja humanitare që kanë shërbyer si fronte për t’i indoktrinuar qytetarët e Kosovës dhe për t’i financuar kauzat terroriste.

– Kemi arrestuar individë që kanë mbjellë urrejtje dhe kanë nxitur të rinjtë tanë të marrin rrugë për Siri nën kauza të rrejshme.

– Kemi shtrirë bashkëpunimin në nivele të ndryshme me shtetet fqinje, bashkëpunim ky që ka eliminuar suksesshëm rekrutuesit kryesorë në Ballkan dhe ka zbuluar rrugët e financimit.

– E kemi forcuar bashkëpunimin tonë me aleatin tonë kryesor në këtë luftë dhe në shtetndërtim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zhvillimet në Kosovë dhe toleranca jonë zero ndaj këtij fenomeni dhe përkrahësve të tij ka qenë pikë permanente e takimeve të mija me nivelet më të larta në Shtetet e Bashkuara, në Bashkimin Evropian dhe shtetet e lindjes duke krijuar aleanca të vlefshme që na kanë ndihmuar që suksesshëm ta konfrontojmë këtë problem.

– Në takime brenda dhe jashtë i kam ngritur edhe shkaqet që i kanë kontribuar këtij fenomeni në Kosovë, duke mos përjashtuar përjashtimin shoqëror, korrupsionin dhe izolimin tonë si faktor kontribues.

Puna jonë nuk ka përfunduar me kaq, sepse dimensioni i reagimit të autoriteteve rendit ndaj ekstremizmit fetar nuk mjafton. Edhe pse nuk jemi anëtar të OKB-së ne kemi marrë obligim ta harmonizojmë legjislacionin tonë me propozimet e rezolutës së Presidentit Obama në Këshillin e Sigurimit, duke u bërë ndër vendet e para që ka miratuar ligjin për dënim me burg deri 15 vjet për rekrutuesit dhe të rekrutuarit për kauza terroriste. Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës kam bërë thirrje çdo herë që të jemi vigjilent ndaj këtij kërcënimi si institucione dhe si shoqëri.

Së fundi, në dhjetor 2015, zyra ime është angazhuar drejtpërdrejt në sigurimin e fondeve dhe ndihmës për ta parandaluar ekstremizmin e dhunshëm në nivelin lokal si pjesë e nismave të Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes, dhe mekanizmi që do të kanalizojë këtë ndihmë duhet të jetësohet së shpejti nga Qeveria e Kosovës.

Qasja në këtë fond do të krijojë partneritete të reja dhe mundësi për iniciativa të ndryshme që do të ndihmojnë fuqizimin e qytetarëve për të luajtur rol aktiv në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Gjatë tërë kësaj përpjekje jo rrallë përkrahja përbrenda ka qenë e paktë dhe përqeshja e shpeshtë. Por, pas 3 viteve pune të palodhshme të mekanizmave tonë të sigurisë dhe vendosmërisë politike për mos të lejuar që Kosova të bëhet vatër e ekstremizmit të dhunshëm, Kosova duhet të ndihet mirë me përgjigjen që i ka dhënë ekstremizmit të dhunshëm.

Në vitin 2013 dhe vitin 2014, gjithsej rreth 200 qytetarë kanë shkuar në drejtim të Sirisë. Në vitin 2015 numri i tyre nuk ka kaluar gishtat e dorës. Këtë vit, asnjë qytetar i Kosovës nuk u është bashkangjitur këtyre kauzave të rrejshme. Këto janë fakte të pandryshueshme. E tillë duhet të jetë edhe vendosmëria jonë politike dhe shoqërore që një sfidë të tillë të mos rikthehet më kurrë në mesin tonë.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.