Fundamenti

Jahjaga kërkon ndihmë ndërkombëtare për zbardhjen e komplotit terrorist

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka takuar sot kryeministrin e Kosovës, zotëri Isa Mustafa, dhe krerët e mekanizmave të sigurisë, drejtorin e Policisë së Kosovës, zotëri Shpend Maxhunin dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, zotëri Bashkim Smakaj, për të vlerësuar gjendjen e sigurisë në vend pas arrestimit të një të dyshuari me sasi të mëdha eksplozivi në kryeqytet.

Presidentja Jahjaga e përgëzoi Policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe punën e mirë në pengimin e këtij veprimi terrorist dhe në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Sipas njoftimit për medie, presidentja Jahjaga kërkoi nga mekanizmat e sigurisë që të ngritin sigurinë e përgjithshme në Kosovë dhe apeloi te qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit që po e hetojnë këtë incident.

Fundamenti

Njëkohësisht, presidentja Jahjaga, duke marrë parasysh natyrën komplekse dhe serioze të këtij komploti të dyshuar terrorist, u bëri thirrje shteteve të rajonit që të bashkëpunojnë në zbardhjen e rrethanave dhe të ndihmojnë në sjelljen e akterëve të përfshirë në këtë akt terrorist para drejtësisë.

Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që Kosova të mos bëhet vatër dhe shënjestër e aktiviteteve terroriste dhe institucionet e vendit do të bëjnë çmos që siguria kombëtare e Kosovës dhe e aleatëve të saj të ruhet dhe të garantohet.

© KOHA.net