Jahjaga: Gjykata Speciale nuk e njollos UÇK-në
Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, ka thënë se krijimi i Gjykatës Speciale është obligim ndërkombëtar që ka Kosova dhe si e tillë nuk njollos aspak luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Këto deklarata e para e shtetit i ka bërë pas takimit që zhvilloi të martën me presidentin bullgar, Rosen Plevneliev.
“Siç e dini, Kosova deri më tani i ka përmbushur të gjitha obligimet ndërkombëtare. Tani edhe me krijimin e Gjykatës Speciale Kosova duhet që njëherë e përgjithmonë ta largojë këtë pikë të zezë të kaluarës së vendit tonë.
Ne duhet ta përmbushim ketë obligim. Gjykata Speciale në asnjë rast nuk e paragjykon luftën e lavdishme të UÇK-së, por kjo ka të bëjë me individë” ka thënë Jahjaga.
Nga ana tjetër, e para e shtetit i ka kërkuar ndihmë Bullgarisë për ta mbështetur Kosovën në integrimet euroatlantike.
“Kosova dhe Bullgaria kanë një rrugëtim të gjatë të bashkëpunimit. Kosova është e interesuar për të pasur bashkëpunim sidomos në fushën e ekonomisë dhe investimeve në këtë fushë. Bullgaria ishte nga vendet e para që ka njohur Kosovën si shtet të pavarur”, ka thënë Jahjaga.


