UBT

Jahjaga: Falë Shqipërisë, Kosova pjesë e shumë nismave ndërkombëtare

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

“Falë mbështetjes tuaj Kosova është përfshirë në samite dhe nisma rajonale e ndërkombëtare. Shqipëria e ka mbështetur Kosovën edhe në proceset integruese dhe pranimin në institucione ndërkombëtare”, ka thënë Jahjaga.

Ajo ka nënvizuar se, me marrëveshjet e arritura në dialogun Prishtinë-Beograd, Serbia po shkon drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Nishani shtoi gjithashtu se Shqipëria e mirëpret ngritjen e Gjykatës Speciale për krimet e luftës, dhe se askush nuk guxon ta çrrënjos luftën heroike të UÇK-së dhe të popullit të Kosovës për liri.

Nishani iu drejtua me një apel edhe vendeve të BE-së, ndërsa, kërkoi prej tyre që të mos penalizojnë Kosovën nga vala e azilkërkimit, por t’i lejojnë qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë pa viza.

“Dua që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë të lirë dhe pa viza në zonën Shengen. Jemi të vetëdijshëm për valën e azilkërkimit por kjo nuk duhet të zbeh vullnetin e BE për liberalizimin e vizave të shqiptarëve të Kosovës. Ne si krerë shtetesh duhet të bëjmë më shumë për qytetarët tanë që të ndërtojnë jetën e tyre në atdhe”, ka thënë ai.

Nishani: Kosova kontribuese në përmirësimin e klimës së bashkëpunimit rajonal

Tiranë, 10 shtator – “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe po jep një kontribut të qenësishëm në përmirësimin e klimës së bashkëpunimit rajonal dhe praktikat e respektimit të pakicave kombëtare në Kosovë, që duhet të merren si shembull nga të gjitha vendet e tjera të Ballkanit”, deklaroi sot në Tiranë, presidenti Bujar Nishani.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, presidenti Nishani theksoi se “sot Kosova me gjithë sfidat e mëdha gëzon një status të ri, plotësisht të merituar në rajon edhe përmes të gjithë nismave dhe angazhimeve të saj në forumet rajonale dhe ndërkombëtare”.

“Statusi i ri i Kosovës e gjen edhe në dialogun e vendosur me Serbinë të dy shtetet janë në pozicione të barabarta”, nënvizoi Nishani duke shtuar se Shqipëria e ka mbështetur në vijimësi këtë proces dhe produktet e tij me pritshmërinë legjitime e të nevojshme që çdo marrëveshje e arritur të zbatohet me shpejtësi dhe plotësisht.

Kreu i Shtetit shprehu bindjen se zbatimi i angazhimeve të marra në kuadër të këtij dialogu do të shërbejë në normalizimin e marrëdhënieve të dy vendeve Kosovës e Serbisë, por njëkohësisht do të vazhdojë të çlirojë energji pozitive për gjithë rajonin.

“Kosova ka përpara sfida si çdo njëri prej vendeve të rajonit. Shqipëria e mirëpriti dhe mbështeti vendimin për themelimin e Gjykatës Speciale duke vlerësuar se marrja e këtij vendimi ishte i vështirë, por e duhura pasi vetëm kështu mund të hidhen poshtë të gjitha pretendimet e ngritura”, u shpreh Nishani.

Eco Higjiena

Presidenti Nishani tha se asgjë dhe askush nuk e tjetërson dot luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës në përballje me agresionin dhe gjenocidin çnjerëzor Millosheviqian.

Në fjalën e tij, presidenti Nishani theksoi sot se unifikimi i programeve kulturore dhe i kurrikulës së sistemit arsimor parauniveristar janë hapa shumë të rëndësishëm në këtë drejtim.

“Përfitova të përshëndes progresin e gjithanshëm të Kosovës në konsolidimin e shtetit dhe sovranitet dhe shtrirjen e të gjithë veprimtarisë së bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar”, tha Nishani.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duke falënderuar Presidentin Nishani për ftesën u shpreh se “shqiptarët kanë qenë një faktor i rëndësishëm për Kosovën pasi kanë kontribuar në mbështetjen e bërjes së Kosovës shtet”.

“Kemi përfunduar një numër të madh projektesh të mëdha infrastrukturore duke afruar më shumë qytetarët tanë dhe duke lehtësuar më shumë bashkëpunimin mes shteteve tona dhe tani ka ardhur koha që ne të punojmë më shumë të ndihmojmë më shumë njëri tjetrin, të forcojmë më shumë ekonomitë tona dhe njëherësh edhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik në rajon”, tha Jahjaga.

Jahjaga: “Është në kuadër të vazhdës së marrëveshjeve të arritura në procesin e dialogut me Serbinë. Procesi i dialogut ka për qëllim lehtësimin dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshja e arritur është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Arritja e marrëveshjes dhe krijimi i Asosacionit do të kontribuojë në përfshirjen e mëtejshme në jetën institucionale të komunitetit serb që jeton në këtë pjesë të republikës së Kosovës”.

Të pyetur rreth rolit të shqiptarëve në rajon, Jahjaga dhe Nishani dhanë këtë koment:

Jahjaga: “Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të pavarura. Dy shtetet tona po ecin në rrugën e integrimeve europiane dhe euroatlantike dhe kjo është mënyra më e mirë faktorizimin në rajon. Të dy vendet jemi të interesuara që të zhvillojmë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe po punojmë në mënyrë aktive që të jemi faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon. Zhvillimi ekonomik do të ndihmojë patjetër në ecjen përpara”.

Nishani: “Shqiptarët janë faktorë kyç për stabilitetin, sigurinë dhe presporitetin e Ballkanit, pasi janë të vendosur pothuajse në të gjitha hapësirat e rajonit. Shqiptarët e kanë konfirmuar që janë qytetarë me identitet të fortë kombëtar dhe kulturor, janë njerëz që kurrë nuk kanë qenë prishës të rendit dhe sigurisë së rajonit, nuk kanë qenë kurrë agresiv ndaj askujt”.

Nishani: “Sa i takon çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës unë e kam shprehur dhe herë të tjera dhe vazhdoj ta shpreh me forcë. Ne mbetemi të shqetësuar për situatën e tyre, veçanërisht në aspektin ekonomik dhe social. Personalisht në takimet që kam pasur me autoritetet më të larta, përfshirë kryeministrin Vuçiç gjatë vizitës së tij në Tiranë kam adresuar këtë shqetësim për të fokusuar edhe në çështje konkrete, qoftë në njohjen e diplomave të studentëve nga Lugina e Preshevës që kanë studiuar në Shqipëri dhe ende nuk po gëzojnë të drejtat që u takojnë. Edhe për çështje të tjera të zhvillimit ekonomik-social dhe zgjerimit të kësaj hapësirë për shqiptarët. Kam marrë angazhime dhe premtime të gjera nga ana e autoriteteve serbe që unë ende pres që ato të jetësohen në praktikë. Jemi në fazën e premtimeve nga autoritetet serbe, për të cilat shteti shqiptar do të vazhdojë të kërkojë me ngulm të realizohen në praktikë si e drejtë fondamentale e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës”.

http://koha.net/?id=27&l=74404