Jahjaga e Hoxhaj, mijëra euro për mobile të reja

E para e vendit Atifete Jahjaga nuk po ua vë veshin kërkesave për dorëheqje. Ajo veç sa po ia rregullon vetit kushtet në presidencë. Në kabinetin e presidentes kanë vendosur të investojnë goxha para për t’ia bërë sa më komod Jahjagës qëndrimin. Aty do të vendosen mobile të reja pavarësisht se presidentja zyrat e saj i kishte trashëguar me inventar të ri nga pararendësi i saj. Presidenca do të shpenzojë hiq më pak se 9,300 euro për furnizim me mobile.
Për këtë punë javën e kaluar është përzgjedhur kompania “Murebest”, derisa në këtë aktivitet të prokurimit kishin ofertuar tre Operator Ekonomik dhe vlera më e lartë e ofruar ishte 9,989 euro.
Këshilltari i Lartë Politik për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, Arbër Vllahiu ka konfirmuar për Tribuna se mobiliet do të vendosen në presidencë.
“Mobiliet do të vendosen në Kabinetin e Presidentes, që përfshin disa zyra, përfshirë pjesën e Protokollit, hapësirën për pritjen e mysafirëve, hapësirat e punës, kabinetet e stafit politik e hapësira të tjera”, ka thënë ai.
Vllahiu këto blerje i ka arsyetuar me atë se asnjëherë gjatë mandatit të Presidentes nuk janë bërë blerje të tilla.(Tribuna)