Jahjaga: Dhuna nuk arsyetohet, dialogu mënyra e vetme për tejkalimin e situatës

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga thotë se dhuna është e papranueshme derisa thotë se dialogu dhe institucionet janë mënyra e vetme për tejkalimin e situatës.Në një shkrim në Facebook, Jahjaga thotë se dhuna kundër policisë dhe vandalizimi i pronës private, nuk mund të arsyetohet në asnjë rast.
Ajo thotë se tejkalimi i situatës, bëhet me dialog dhe institucione.
Shkrimi i plotë i Jahjagës:
Të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të papranueshme, të dhunës në sheshet dhe rrugët e Prishtinës që po dëmton rendin dhe ligjin dhe po cenon rëndë sigurinë dhe jetën e qytetarëve.
Dhuna kundër policisë dhe vandalizmi i pronës, private e publike, nuk mund të arsyetohet në asnjë rast. Qetësia dhe rendi duhet të rivendosen dhe kryeqytetit duhet t’i rikthehet normaliteti. Qytetarët e Kosovës nuk mund të bëhen peng i një situate jonormale që po mbretëron në vendin tonë.
Dialogu dhe institucionet janë mënyra e vetme për të tejkaluar situatën e krijuar dhe duhet të veprojmë bashkërisht në parandalim të çfarëdo eskalimi të mëtutjeshëm të gjendjes.