RCCOLA

Jahjaga: 2014-ta, vit i vështirë për Kosovën; 2015-ta, vit i ndryshimeve

/ 7 minuta lexim
KKVITI

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një intervistë për Telegrafin deklaron se më 2014 është stërzgjatur proces i ndërtimit të institucioneve të vendit, duke e rrezikuar mirëqenien e qytetarëve. Prandaj, thekson se duhet kompensuar koha e humbur që të rikthehet shpresa dhe besimi i qytetarëve në institucione dhe në të ardhmen e tyre. Presidentja Jahjaga pranon se suksesi varet nga ne, nga përgjegjësia, përgjegjshmëria dhe llogaridhënia jonë. Ndërsa, është optimiste që viti 2015 të jetë vit i ndryshimeve të mëdha.

Telegrafi: Cili, sipas jush, ka qenë suksesi dhe dështimi më i madh i vitit 2014?
Jahjaga: Kemi përmbyllur një vit të rëndë dhe me sfida, por një vit të rëndësishëm për Kosovën. Kosova ka arritur që brenda këtij viti të jetë pjesë e rëndësishme e nismave ndërkombëtare, posaçërisht në fushën e sigurisë dhe të bëhet një aktor i rëndësishëm i sigurisë globale. Gjithashtu, në fushën e konsolidimit ndërkombëtar të vendit, kemi përmbyllur procesin e anëtarësimit të Kosovës në disa prej nismave edhe rajonale edhe ndërkombëtare, përfshirë SEECP dhe Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.

Kosova është bërë pjesë e organizatave të rëndësishme të sigurisë në rajon dhe ne presim që ajo të jetë pjesë e barabartë edhe e INTERPOL dhe EUROPOL, dhe rrjedhimisht një kontribuuese e rëndësishme për stabilitetin dhe sigurinë në rajon e më gjerë.

Gjatë vitit janë organizuar edhe zgjedhjet e para gjithëpërfshirëse të përgjithshme në vend, dhe ky proces është cilësuar si procesi më i mirë i organizuar në Kosovë, që prej përfundimit të luftës. Megjithëkëtë, periudha e mosmarrëveshjeve politike që ka zgjatur prej afro gjashtë muajsh ka ndikuar edhe politikisht, por edhe në aspektin ekonomik të vendit. Ne e kemi stërzgjatur procesin e ndërtimit të institucioneve të vendit, duke e rrezikuar mirëqenien e qytetarëve dhe duke luhatur besimin e tyre në institucionet e shtetit. Mbi të gjitha, kemi penguar edhe procese të tjera që ndërlidhen me konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Pra, një vit i vështirë për Kosovën që kërkon kompensimin e kohës së humbur dhe rikthimin e shpresës e besimit të qytetarëve në institucione dhe në të ardhmen e tyre.

Telegrafi: Kush është fajtori kryesor për gjendjen aktuale në vend: për papunësinë e lartë, varfërinë dhe ikjen e qytetarëve nga vendi?
Jahjaga: Ne duhet të merremi me mënyrën e zgjidhjes së çështjeve që ju përmendni. Papunësia dhe mos zhvillimi ekonomik sjell varfërinë dhe kjo gjendje është një prej disa shkaktarëve që nxit qytetarët të kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit. Nga ky migrim ilegal po përfitojnë grupe të caktuara dhe ne duhet ta ndalojmë këtë veprimtari që po ua cenon jetën qytetarëve tanë. Ne duhet të rishikojmë politikat tona zhvillimore dhe të nisim dhe përfundojmë reformat tona të thella në shoqërinë tonë. Reforma që do të prekin çdo segment të jetës, e në veçanti ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, që do të mundësojnë zhvillimin ekonomik të vendit dhe futjen e investimeve të huaja, reforma në arsim e shëndetësi.

Ne duhet ta thellojë më shumë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Institucionet e Kosovës duhet të punojnë më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit, në hapjen e vendeve të reja të punës, në krijimin e klimës së mirë për tërheqjen e investimeve të huaja dhe gjithashtu ta mbajë në vend edhe “trurin e saj”, pra rininë e saj. Ne duhet ta kthejmë përfundimisht dinjitetin e qytetarëve dhe besimin e tyre në institucionet e shtetit të tyre.

Eco Higjiena

Telegrafi: Çka paraqet rrezik më të madh për Kosovën: ekstremizmi fetar, Serbia apo korrupsioni?
Jahjaga: Keni numëruar tri çështje që janë të ndryshme nga njëra-tjetra e që i keni cilësuar si rrezik. Institucionet përgjegjëse për luftimin e ekstremizmit dhe çfarëdo lloji të radikalizmit kanë treguar gatishmërinë e tyre për përballje me këto fenomene, duke mos lejuar që Kosova të shndërrohet në një vend të sigurt për grupe apo individë të caktuar që u janë bashkuar kauzave të huaja. Pres që Kuvendi i Kosovës ta kaloj ligjin që parandalon pjesëmarrjen e qytetarëve tanë në luftërat jashtë vendit. Ne nuk i kemi kaluar pasojat e luftës në Kosovë dhe vazhdojmë të përballemi ende me to. Jemi rreshtuar përkrah botës demokratike dhe do të vazhdojmë të jemi pjesë e pandashme e saj. Në luftën kundër korrupsionit duhet të tregojmë rezultate. Jemi të gjithë të barabartë përpara ligjit dhe të gjithë mekanizmat për luftimin e kësaj dukurie dhe krimit të organizuar duhet të tregojnë rezultat. Sundimi i ligjit është parësor për shtetin e Kosovës, që synon të ndërtohet si shtet i së drejtës.

Sa i përket Serbisë, ne kemi hyrë në dialog me të dhe kemi arritur marrëveshje. Ne duam që marrëveshjet të zbatohen në tërësi, sepse kështu i kontribuojmë lehtësimit të jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit, dhe sepse kështu ecim në rrugën e normalizimit ndërmjet dy vendeve tona të pavarura dhe i hapim rrugë perspektivës evropiane të dy shteteve tona. Duam që të përmbyllim dialogun me Republikën e Serbisë me një marrëveshje të paqes, që do të përmbyllte edhe periudhën e hasmërive dhe do të hapte një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve tona. Nuk kemi pse t’i frikësohemi Serbisë, sepse koha e hegjemonisë ka përfunduar, periudha e hasmërive dhe e konflikteve duhet të përmbyllet përfundimisht.

Ne besojmë në shtetësinë tonë, po aq sa besojmë në rrugën tonë të integrimeve në BE, dhe po aq sa besojmë në vetvete.

Telegrafi: A ka vend për të qenë optimist për të ardhmen e afërt të Kosovës?
Jahjaga: Natyrisht se suksesi varet nga ne vetë. Sa kemi kapacitet, aftësi dhe përgjegjësi për të ndërtuar një të ardhme ndryshe për qytetarin tonë. Varet nga vullneti ynë sa duam të punojmë për të afruar rrugën evropiane dhe për ta ndërtuar një shtet që bazohet në rend dhe ligj dhe një shtet, ku investitorët e huaj do të gjejnë një mjedis të sigurt për të investuar. Pra, suksesi varet nga ne, nga përgjegjësia, përgjegjshmëria dhe llogaridhënia jonë.

Telegrafi: Ku e shihni Kosovën në fund të 2015-ës dhe çfarë mesazhi do t’ua përçonit sot qytetarëve të vendit?
Jahjaga: Ne duhet ta përfundojmë sa më shpejt kapitullin e liberalizimit të vizave për qytetarët tanë. Duhet të përmbushim ato kritere që na janë përcaktuar dhe kjo duhet të bëhet sa më shpejt, sepse nuk mund ta lejojmë që për një kabllo interneti, që nuk është futur në një pikë kufitare, të mbajmë peng qytetarët.

Duhet ta përmbyllim Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Kemi humbur kohë të çmueshme në gjysmën e dytë të këtij viti, dhe prandaj na duhet një përshpejtim për ta kompensuar atë kohë të humbur. Mbi të gjitha pres që viti 2015 të shndërrohet në një vit kthese për të mirën e qytetarëve të vendit, një vit kur do të fillojë reforma e thellë në shoqëri, në secilën fushë, që do të ndihmojë mirëqenien e qytetarëve tanë. Pres që viti 2015 të jetë vit i ndryshimeve të mëdha, që do të kthejë besimin e humbur të qytetarëve në institucionet e vendit. /Telegrafi/