UBT

Jahir Bahtiri, do të kujtohet përherë si edukator i dalluar i shumë brezave të gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” të Podujevës

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Pas një sëmundje të shkurtër dje ka ndërruar jetë Jahir Fejzullah Bahtiri,profesor i shumë brezave të gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”të Podujevës, dhe të Shkollës fillore të mesme të ulët “Zenel Hajdini”të Prishtinës.

JAHIR BAHTIRI – 1950 – 2020

Jahiri,lindi më 30 nëntor të vitit 1950,në lagjen Gjonaj të Vendenisit ( ish – Gllamnik) të Podujevës.
Ai, tetëvjeçaren e kreu në shkollën e fshatit “Ganimete Tërbeshi”dhe në atë”Vëllazërim- Bashkim”të qytezës së Podujevës.

Më gjithë gjendjen e rëndë ekonomike me sukses të dalluar e përfundon edhe gjimnazin.
Pas përfundimit të shkollës së Mesme, meqenëse, kishte prirje të theksuara në Matematikë, regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, dega Matematikë – Fizikë.

Duke parë mungesën e mësimdhënësve të Matematikes, si 21vjeçar nis punën në gjimnazin “Aleksadër Xhuvani”të Podujevës, i njohur deri më, 1991, si gjimnazi shoqëroro – gjuhësor”8 Nëntori”.

Në këtë vatër të Arsimit llapjan, ai jep kontribut të jashtëzakonshëm, deri në fund të viteve të 80- ta.

Edhe pse dukshëm më i ri në moshë punoi me vullnet dhe pasion plot dy dekada, përkrah mësimdhënësve me përvojë si: Nexhmi Sejdiu, Abdullah Vokrri, Shefki Toplica, Ramadan Salihu, Latif Sadiku, Bajram Blaku, Kadri Kadriu, Shefki Krasniqi, Tefik Mehmeti, Sabri Rexhepi etj.

Gjithnjë i përmbajtur dhe modest lehtë dialogonte për probleme të shumta me kolegë e nxënës. Haptas vërehej përkushtimi i tij ndaj nxënësve hallexhinj, sidomos atyre që vinin nga fshatrat malore të Gallapit dhe Grykës së Pollatës.

Herë- herë në mungesë të mjeteve të transportit nxënësit e këtyre zonave edhe i humbnin orët e para të mësimit.

Jahir Bahtiri, si pedagog dhe humanist i vërtetë në marrëveshje me ta gjente kohën e përshtatshme për kompensimin e orëve të humbura.

Nxënësve, që jetonin në qytezën e Podujevës, dhe në fshatrat përreth u sugjeronte që të jenë solidarë me shokët e tyre, të paktën ditëve të ftohta të dimrit, duke u ofruar atyre strehim, ngase në Podujevë, s’ekzistonte kurrfarë konvikti apo shtëpie nxënësish.

Hidromorava

Ky problem u zgjodh vetëm atëherë kur në Orllan dhe Kërpimeh, u hapën paralele të ndara në kuadër të gjimnazit “Aleksandër Xhuvani “të Podujevës.

Më,1975- 1976 profesor, Jahir Bahtiri, ishte kujdestar klase i paraleles së-IV- 4, në gjimnazin e Podujevës, ku bënte pjesë edhe Ali Adem Ajetit, hero i kombit, i rënë në betejë me forcat pushtuese serbe më, 30 maj 1989.

Profesor, Bahtiri,vitin e kaluar duke i evokuar kujtimet e tij, autorit të kësaj nekrologjie për ish- nxënësin e tij Ali Ajeti, i pati deklaruar “Ndihem i privilegjuar që kisha një nxënës si Aliun.”Vërtetë ai kishte tiparet e studiuesit dhe udhëheqësit të dalluar”. Meqë, Aliun e njoha nga afër këto që i them janë origjinale dhe pa glorifikime ”.

Duke u munduar të kujtoj edhe momente nga Mbrëmja e Maturës, së fundmajit 1976,me ish- nxënësit e tij, e posaçërisht me Aliun,të organizuar atëkohë në ambientet e gjimnazit e tradhtojnë lotët, dhe rrëfimi mbetet i përgjysmuar.

Deri me pavarësimin definitiv të Kosovës, nga Serbia, gjendja në Arsim ishte tepër e rëndë, dhe gjithçka bëhej në baza vullnetare.

Jahiri, që tërë forcën e tij prej intelektuali e kishte përqendruar në aftësimin dhe edukimin e brezave, në vitet e 90 – ta, krijon marrëdhënie pune në Shkollën “Zenel Hajdini”të Prishtinës.

Edhe pse pa të ardhura jep çdo gjë nga vetvetja vetëm që ta ruajë mësimin në Gjuhën shqipe, të cilin gati çdo ditë e kërcënonin pushtuesit serbë, me vënje të dryrit.
Edhe në mjedisin e ri Jahir Bahtiri, gëzonte respekt të veçantë, si nga nxënësit, prindërit dhe kolegët e tij.

Andaj, lajmi mbi vdekjen e tij u prit si në Prishtinë, ashtu edhe në Llap, me dhembje dhe pikëllim të thellë.

Varrimi i të ndjerit Jahir Bahtiri, veteran i Arsimit të Kosovës,u bë dje pasdite në varrezat e familjes Bahtiri – Syla,të fshatit Vendenis të Podujevës. Familje këto prej dy vëllezërve, dhe të të njëjtit trung gjenealogjik.

Pjesëmarrjen aq masive të njerëzve në ceremoninë e varrimit në emër të familjes e përshëndeti i biri, Dr. Elton Bahtiri, mësimdhënës i Fakultetit të Mjekësisë,në Universitetin e Kosovës./arif ejupi/rajonipress/