Jacobson: SHBA-ja, partnere e Kosovës!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë partnere të Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit në NATO dhe Bashkim Evropian, deklaroi të premten ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson.
Këto komente ajo i bëri në ditën e dytë të Samitit Ndërkombëtar të Grave “Partneriteti për Ndryshim: Fuqizimi i Grave”. Jacobson tha se barazia gjinore është e domosdoshme dhe se asnjë vend nuk mund të ketë përparim pa përmbushur këtë kriter, që arrihet përmes fuqizimit të rolit të gruas.
Në fjalimin e saj, ambasadorja amerikane premtoi jo vetëm angazhimin për përmirësimin e pozitës dhe fuqizimin e rolit të gruas në Kosovë, por rikujtoi edhe njëherë partneritetin amerikan në raport me shtetin e Kosovës.
“Qeveria amerikane është partnere e Kosovës në promovimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse të udhëhequr nga sektori privat, sigurimin se shoqëria dhe shteti i Kosovës udhëhiqet nga sundimi i rendit dhe ligjit, mbështetja e ndërtimit të institucioneve demokratike dhe duke punuar me aleatët tanë evropian për të arritur të ardhmen euro-atlantike të Kosovës”, ka thënë Jacobson, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.
Ndërkaq, presidentja Atifete Jahjaga tha se samitet e tilla janë një mundësi e mirë për vendet e rajonit që të bëjnë më shumë për fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri.
Samitit i është drejtuar edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek. Ajo tha se shumica në Parlamentin Evropian mbështet pavarësinë e Kosovës, integrimin e saj në BE dhe procesin e liberalizimit të vizave. Kurse, ministrja e punëve të jashtme dhe çështjeve evropiane të Kroacisë, Vesna Pusic, përshëndeti nismën për këtë samit, duke vlerësua se fuqizimi i pozitës së gruas ndihmon të gjithë në krijimin e një të ardhme më të mirë.
Sa i përket Kosovës, konferenca ka nxjerrë në shesh shumë elemente në lidhje me pozitën dhe trajtimin e gruas. Përderisa përfaqësimi në politikë dhe institucione ruhet përmes kuotave të garantuara edhe me Kushtetutë, panelistët në vazhdimësi e kanë cilësuar si një nga të metat kryesore çështjen e gruas dhe pronës, marrë parasysh se traditat në Kosovë ende favorizojnë mashkullin si pronar e trashëgimtar para femrës.
Samiti i përmbyllë punimet të shtunën, kur pritet të nxirren edhe disa konkluzione.