Fundamenti

Jabllanoviq ik!

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Enis Veliu – Tentimi i Qeverisë së Kosovës për të marrë në pronësi gjigantin metalurgjik “Trepça”, dështoi suksesshëm, me ç’rast nxori në pah forcën e deputetëve, por edhe ministrave të Listës “Srpska” në Qeverinë e Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviç, si dhe ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq, përfundimisht treguan se kanë guxim dhe forcë politike në momente vendimmarrje, në Qeverinë e Kosovës.

Këta të fundit marrin rroga nga buxheti i varfër i shtetit tonë. Ndërkaq, në praktikë zbatojnë urdhra të marrë nga Qeveria e Serbisë. De juro kryeministër i tyre është Isa Mustafa, e de fakto ai i Serbisë, Aleksandër Vuqiq.

Si në të kaluarën por edhe tash, ata publikisht janë deklaruar disa herë se nuk e njohin shtetin që përfaqësojnë, por më saktësisht ata kujdesen vetëm për interesa të serbëve që jetojnë në Kosovë, por jo edhe të qytetarëve tjerë që jetojnë në shtetin tonë pavarësisht nacionalitetit.

Kështu edhe i porositi që të veprojnë në vazhdimësi edhe në të ardhmen, edhe kryeministri i Serbisë Vuqiq gjatë vizitës që ua bëri para pak ditësh disa komunave serbe në vendin tonë.

Në fillim ideja e Qeverisë që përmes një ligji të shndërrojë minierat e “Trepçës” si Ndërmarrje Publike Qendrore, ishte e mirë dhe e pranueshme, madje edhe për partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, pasi që do të krijonte më shumë mundësi dhe hapësirë për zhvillimin e tyre, e të cilat edhe më tutje mbahen gjallë me “infuzione” të Qeverisë së Kosovës.

Në kushte dhe rrethana normale shteti është dashur të përfitojë nga veprimtaria e tyre. Por, çuditërisht që 15 vjet pas mbarimit të luftës një gjë e tillë edhe nuk ka ndodhur.

Por, një tentim i Qeverisë për t’u bërë pronare e gjigantit metalurgjik devijoi brenda ditës, pasi që Qeveria e Serbisë përmes përfaqësuesve të tyre në institucionet e Kosovës, por edhe përmes faktorëve ndërkombëtarë në vendin tonë arriti që të ndërhyjë dhe të ndryshojë projektligjin në fjalë. Thënë më thjesht, përmes ndryshimeve që u bënë, Qeveria serbe bleu kohë për të bërë pazare.

Lëshimi pe i institucione të Kosovës karshi kërkesave të Serbisë përmes të deleguarve të tyre në institucionet e vendit, përfundimisht tregoi se Qeveria e Kosovës nuk mund të marrë asnjë vendim pa pëlqimin e tyre, duke i bërë kështu ata faktorë vendimmarrës në Qeverinë e Kosovës.

Së paku kështu nuk kishte ndodhur në Qeveritë e kaluara edhe pse ministrat serbë nuk kishin munguar asnjëherë, por ata në vazhdimësi zbatonin vendimet dhe ligjet e Republikës së Kosovës përkundër presioneve të vazhdueshme që kishin nga Qeveria e Serbisë.

Derisa në të kaluarën Qeveria e Kosovës ka pasur telashe vetëm me komunat e veriut, nga zgjedhjet e fundit, institucionet tona po përballen edhe me probleme të vazhdueshme të cilat po i shkaktojnë edhe ministrat e Listës “Srpska”, por edhe kryetarët e komunave serbe që gjenden në brendi të Kosovës, e që të gjithë në përjashtim të kryetarit të komunës së Shtërpcës janë anëtarë të Listës “Srpska”.

Uji Dea

Por, edhe ky i fundit pavarësisht se nuk është pjesë e Listës Serbe, edhe më tutje vazhdon të përçojë në komunën që drejton urdhrat dhe direktivat e marra nga qeveria serbe. Ky i fundit çuditërisht gjithmonë është pjesë vendimmarrëse e proceseve të mëdha që ndodhin në vend, ndonëse në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit, prania e tij aty nuk do të ishte e nevojshme. Më së miri ka treguar rasti i koncesionimit të qendrës së skijimit në Brezovicë.

Fatkeqësisht, kryetarët e komunave nga Lista “Srpska” nuk njohin shtetin e Kosovës, nuk njohin Kushtetutën e shtetit që përfaqësojnë, nuk njohin ligjet që janë nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës. Por, këta kryekëput punojnë me rregulla dhe ligje të qeverisë së Serbisë, e ndonëse pagën e marrin nga Qeveria e Kosovës.

Para pak ditësh Komuna e Graçanicës ka vendosur në zemër të qytetit termin “Kosova i Metohija”, në njërën nga rrugët kryesore të saj. Karshi saj janë emra të tjerë, që i kundërvihen plotësisht nocionit të pajtimit ndëretnik. E këto janë emërtimet “24 Marsi” dhe “17 Marsi”. E para lidhet me ditën kur Aleanca Veri-Atlantike vendosi të bombardonte Serbinë, për shkak të dhunës dhe spastrimit etnik në Kosovë. E dyta “17 Marsi”, lidhet me trazirat që përfshinë Kosovën në vitin 2004, ku u vranë 25 njerëz, nga të cilët 21 ishin shqiptarë.

Po ashtu edhe 15 vjet pas luftës Qeveria e Kosovës thuajse ka mbyllur sytë ndaj bizneseve ilegale e legale që gjenden nëpër komunat serbe që në realitet thuajse janë të pakontrolluara nga askush.

Po ashtu, në bizneset që gjenden në këto komuna tregtohen produkte e të cilat në vendin tonë kanë hyjnë ilegalisht. E për çudi është vështire ta rastësish ndonjë biznes serb që posedon pajisje fiskale.

Njëjtë në këto komuna është edhe me sistemin shëndetësor, ku edhe me tutje është nën menaxhim direkt të qeverisë së Serbisë.

Barnat që përdorin këtu hyjnë në rrugë legale dhe ilegale. Në të parën përmes donacioneve të ndryshme të organizatave të ndryshme që fshihen pas veprimtarive humanitare, por edhe një pjesë e madhe e tyre hyn ilegalisht në vendin tonë duke përdorur rrugët malore.

Situate e njëjtë edhe te furnizimi me energji elektrike, ku veriu i Kosovës është super i privilegjuar në këtë aspekt, pasi që rrymë kanë pa ndërprerë, pa bërë pagesa fare, e ku borxhet e tyre karshi shtetit janë më të larta se 100 milionë euro.

Përfundimisht ministrat dhe kryetarët e komunave nga Lista “Srpska” po tregojnë forcën e tyre edhe pa formimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë, por me formimin e kësaj të fundit ata do të jenë edhe më të fortë.

Madje nuk është larg mendsh që në një të ardhme të shpejtë asociacionin ata mund ta shndërrojnë edhe në një Republike Serbe brenda Kosovës, pasi që veprimet e tyre të kundërligjshme së paku deri më tash nuk i ka sanksionuar dhe nuk po i sanksionon askush.