UBT

Ja si të kuroni diabetin me ushqime

/ 13 minuta lexim
KKVITI

Këshillat nga specialistët për pacientët e sheqerit. Diabeti i sheqerit është një sëmundje endokrino-metabolike, që ka të bëjë me mënyrën se si organizmi ynë e përpunon sheqerin (karbohidratet apo glukozën) që ne marrim me ushqimet e ndryshme.

Defekti qëndron në pamundësinë e insulinës, një hormon i prodhuar nga pankreasi, për të mbajtur nivelin e sheqerit në gjak në vlerat normale. Insulina ose prodhohet pak (pamjaftueshmëri e pankreasit) ose nuk vepron si duhet për të futur sheqerin brenda në qelizat e indeve të organizmit (pamjaftueshmëri e insulinës). Për rrjedhojë sheqeri është me tepricë në gjak dhe jep shenja të ndryshme (simptoma) si etja, shtimi oreksit, shtimi në peshë, nevoja për urinim të shpeshtë, lodhja e shpejtë, ulja e vëmendjes dhe përqendrimit dhe në përgjithësi një dobësi e përgjithshme. Këto simptoma nuk është e thënë të jenë të gjitha të pranishme tek një pacient me diabet.

Llojet

Diabeti i sheqerit është dy tipesh. Kjo sëmundje në kuptimin e përgjithshëm është e tillë që karakterizohet me rritjen mbi shifrat normale të sheqerit në gjak dhe me daljen e tij nëpërmjet urinës. Përveç ç’rregullimit të sheqernave në diabet ç’rregullohen yndyrnat, kripërat dhe ç’rregullohet metabolizmi i lëndëve. Kjo sëmundje jep ndërlikime akute të menjëhershme dhe ndërlikime kronike që zgjasin gjithë jetën. Në mënyrë të përgjithshme ndërlikimet vijnë si pasojë e uljes apo e ngritjes së sheqerit në gjak, dhe kur këto janë respektivisht të menjëhershme, të sëmurët bien në gjendje kome ose në gjumë të thellë. Por sëmundja e diabetit ndikon gjithashtu dhe prek arteriet e zemrës, nga ku mund të shfaqen edhe infarkte të cilat janë sëmundje tepër të rrezikshme ose kur dëmtohen arteriet e këmbës, shfaqet gangrena e këmbës, kur dëmtohen arteriet e syrit shfaqet një ndërlikim nga i cili sëmuren të dy sytë edhe i sëmuri mund të humbë edhe shikimin, kur dëmtohen arteriet e veshkës shfaqet një dëmtim që në popull njihet me termin azotemia. Për këtë unë do të rekomandoja dietat diabetike si edhe disa ilaçe barna popullore që së fundmi kanë dalë në treg në vendin tonë.

Barnat

Sulfoniluret, janë barnat kryesore me të cilat trajtohet sëmundja e diabetit. Më tej të gjithë diabetikët kurohet rregullisht me insulinë. Insulina ultra e shpejtë, nëse para buke, injektimi duhet të bëhet 20 minuta para ngrënies. Pas injektimit, niveli maksimal në gjak arrihet brenda 1 ore dhe efekti zgjat 3-4 orë. Insulina e shpejtë, nëse edhe kjo merret para buke, injektimi bëhet 60 minuta para ngrënies. Efekti zgjat 5-7 orë.

Ushqimet

Për të frenuar komplikacionet që diabeti lë në organizëm është shumë e nevojshme shmangia e konsumit të atyre ushqimeve që kanë nivel të lartë yndyrash. Në këto kushte një dietë e mirë për personat që vuajnë nga diabeti duhet të konsistojë në konsum të sasive të bollshme të proteinave bimore, si: drithërat, patatet dhe proteinat e tjera që përmban mishi, peshku dhe veza. Një tjetër grup i rëndësishëm është dhe futja e sheqernave në organizëm, orientimi i të cilave duhet të jetë drejt atyre me bazë bimore dhe sasi më të pakta shtazore, si dhe sheqernat e shpejta që janë në përmbajtje të qumështit apo frutave. Njëkohësisht edhe yndyrat luajnë një rol të rëndësishëm, por këto të fundit duhet të përzgjidhen me kujdes në grupin e yndyrave me bazë bimore. Kombinimi i këtyre elementeve mund të ndihmojë në largimin e problemeve dhe mbajtjen e një regjimi të rregullt të sëmundjes. Dietës ushqimore duhet ti shtohen edhe disa këshilla të rëndësishme siç është ecja në këmbë sa më shumë gjatë ditës, ushqimi në mënyrë të shëndetshme duke pirë sa më pak lëngje frutash të konservuara, pasi ato kanë shumë sheqer, pakësimin e orëve të qëndrimit para televizorit, kompjuterit dhe video-lojërave (veçanërisht për të vegjlit). Aktiviteti i rregullt fizik, si dhe orët e plota të fjetjes ndihmojnë më tej largimin e problemeve të diabetit. Vaktet e ngrënies së diabetit duhet të jenë sa më të rregullta, pasi vetëm në këtë formë organizmi merr në kohën e duhur sasinë e lëndëve të nevojshme ushqimore, duke shmangur mbidozimet që mund të krijohen në raste të mosrespektimit të vakteve të ngrënies.

Perimet dhe zarzavatet

Zarzavatet dhe perimet konsiderohen si armiqtë më të mirë që frenojnë komplikacionet që diabeti sjell në organizëm. Konkretisht dieta ushqimore duhet të ketë në përmbajtje të saj sasi të bollshme ditore të perimeve dhe zarzavateve të gjelbra. Përdorimi i gjallë këtyre zarzavateve në sasi të mjaftueshme si gjatë drekës apo dhe darkës, çdo ditë është një mundësi e mirë për të kontrolluar këtë sëmundje. Kjo pasi në përmbajtje të këtyre zarzavateve gjenden sasi të shumta antioksidantësh, vitaminash dhe kripërash minerale dhe fibra të cilat luftojnë radikalet e lira që pengojnë qarkullimin e lëndëve ushqimore nëpërmjet gjakut për në organet e tjera jetësore. Sa më pak të gatuara të jenë perimet dhe zarzavatet, aq më mirë i bëjnë organizmit, pasi gatimi shpesh herë humbet sasinë e vitaminës C që perimet kanë në përmbajtje të tyre, së bashku me shumicën e mineraleve që i shoqërojnë. Është e këshillueshme pirja e ujit në të cilin më parë janë zier perimet. Ky ujë ka në përmbajtje të tij sasi të bollshme të mikroelementeve të dobishme, siç janë zinku, magnezi, kaliumi, të cilat e ndihmojnë organizmin të kryejë më me lehtësi funksionet.

Frutat

Krahas perimeve këshillohet edhe ngrënia e frutave, por jo në sasi të mëdha, pasi në përmbajtje të tyre ka nivele të larta sheqeri. Sipas rekomandimeve të bëra nga mjekët, rezulton se ngrënia e frutave dhe perimeve pakësojnë rrezikun për shfaqjen e sëmundjeve të zemrës dhe atyre kanceroze, të cilat janë shumë të lidhura me diabetin. Sasia e frutave dhe perimeve duhet të kombinohet gjatë gjithë vakteve. “Pacienti mund të marrë 2 fruta të vogla kumbulla ose kajsi, mund të marrë një dorë rrush ose feta të ndara të pjeprit, mollës, bananeve etj. E këshillueshme është që gjatë ditës të merren edhe një sasi e vogël e frutave të thata, rreth një lugë gjelle. Duhen konsumuar sa më shumë lëngje, veçanërisht uji. Duhet të pakësohet konsumi i lëngjeve të konservuara që kanë nivele të larta sheqeri”

Yndyrat që nuk mbartin rrezikshmëri

Organizmi ka nevojë edhe për një sasi të caktuar yndyrash, përzgjedhja e të cilave duhet të jetë kryesisht me bazë bimore. Duke qenë se yndyrat janë shumë të pasura me kalori këshillohet që konsumi i tyre të bëhet në nivele të kontrolluara që përfshijnë sasi të pakta, çka ndikon edhe në humbjen e peshës së tepërt e cila mbizotëron tek pacientët diabetikë.

Kështu diabetikët duhet të qëndrojnë larg yndyrave që merren nëpërmjet produkteve të tilla si “pastat, gjalpi, mishi me yndyrë, djathi i deles” . Përdorimi në sasi të larta i këtyre yndyrave dëmton zemrën. Ndaj këshillohet që sasia e yndyrave që duhet të marrë organizmi të sigurohet nëpërmjet përdorimit të vajit të pastër vegjetal, vajit të ullirit. Por edhe këto të fundit duhet të konsumohen sipas sasive të përcaktuara nga mjeku pas verifikimit të gjendjes shëndetësore në të cilën ndodhet pacienti diabetik. Gjithashtu, konsumi i alkoolit duhet të jetë në sasi të monitorueshme. Kjo nuk do të thotë ndalimin e rreptë të tij. Në këtë rast lejohet konsumi i një gote verë të kuqe, por jo më shumë se 125 mil, pasi fenoli që ka në përmbajtje ndihmon funksionimin e zemrës.

Trajtimi përmes aktivitetit sportiv

Krahas ushqimit një ndër këshillat më të vlefshme që nuk duhet neglizhuar kurrsesi është kryerja e aktiviteteve fizike. Sa më shpesh të kryhet aktiviteti fizik gjatë javës aq më e lartë është edhe mbrojtja që organizmi fiton nga komplikacionet e rënduara të diabetit. Megjithatë, sasia dhe doza e ushtrimeve që duhen bërë gjatë ditës janë të ndryshme në varësi të stadit në të cilën ndodhet sëmundja e diabetit tek pacienti. Këshillohet ecja në këmbë të paktën 30 minuta. Më të rinjtë mund të kryejnë edhe sporte të tjera si not, vrapim basketboll, ecjet sportive. Këto të fundit duhet të zbatohen në varësi të rekomandimeve që jep mjeku, pasi jo të gjithë pacientët mund të kryejnë të njëjtat aktivitete.

Efektet shëruese tek vaji i peshkut

Përmban omega 3 i cili ka shumë efekte pozitive mbi organizmin tonë sidomos në mbrojtjen e zemrës, dhe rekomandohet që njerëzit me diabet të marrin 2-3 porcione në jave. Porcione të cilat mund të merren duke ngrënë peshk (sardele, ton etj). Nuk rekomandohen suplementet me vaj peshku, sepse janë më të mira të konsumohen të freskëta. Sheqeri duhet të reduktohet në maksimum, por nuk është e thënë që duhet të eliminohet fare, këshillohet të merret sheqeri i frutave në formën e fruktozës. Ekziston edhe sheqeri artificial në farmaci që është më i këshillueshëm tek njerëzit që duan të bien në peshë.

Konsumi i kripës, i rrezikshëm

Është e rekomandueshme që çdo diabetik të mos marrë më shumë se 6 gram kripë në ditë. Mënyra më e mirë për të ulur kripën është të përdoren sa më shumë prodhime të freskëta të prodhuara në kushte shtëpie. Nuk duhet harruar se më shumë se gjysmën e nevojave ditore të kripës i marrim me ushqime të konservuara. Reduktimi i kripës tek diabetiket çon në ulje të vlerave të tensionit,reduktim të sëmundjeve të veshkave, sëmundjeve të zemrës, trombozës cerebrale dhe disa llojeve të tumoreve.

Kuroni diabetin me zarzavate të gjelbra

RCCOLA

Është vërtetuar se zarzavatet e gjelbra, veçanërisht të gjalla, për të gjithë ata që vuajnë nga diabeti duhet t’i përdorin çdo ditë, në drekë dhe darkë, në sasi të bollshme. Zarzavatet e gjelbra përmbajnë antioksidantë, vitamina, kripëra minerale dhe fibra. Të gjitha perimet përmbajnë vitaminë C në përqindje të ndryshme, sipas llojit të bimëve. Njëzetë e katër orë pas këputjes, ato humbin 10-15% të vitaminës C. Gjatë gatimit humbin jo vetëm gjithë vitaminën C, por dhe shumicën e mineraleve. Por uji në të cilin ato janë zier përmban mikromineralet e dobishme, si kaliumi, magnezi dhe zinku, prandaj dhe mund të përdoret për të gatuar supë. Nisur nga veçoritë e mësipërme, zarzavatet e gjelbra janë shumë të dobishme për diabetikët.

Mungesa e kromit shkakton diabet

Kromi u identifikua si një nga mineralet në trupin e njeriut vetëm 30 vjet më parë. Studimet për të vazhdojnë akoma. Kromi është pjesë e një përbërje që bën të mundur insulinën të punojë. Është gjithashtu i rëndësishëm në metabolizëm dhe strukturën gjenetike. Për shkak të njohurive jo të mjaftueshme për këtë kripë minerale është e vështirë të dallohen shenja të veçanta, në mungesë të tij. Megjithatë dihet se mund të shkaktojë rritje të kolesterolit në gjak. Në studimet e bëra tek kafshët, mungesa e kromit shkakton një sëmundje, që është shumë e ngjashme me diabetin. Gjendet kryesisht tek mishi, drithërat, fasulet e thata, thjerrëzat, lajthia, peshku dhe prodhime të tjera nga deti.

Kanella ul nivelin e sheqerit në gjak

Kanella është një nga aromat dhe erëzat më të vjetra të njohura në botë, e cila njihej për ndihmën që jepte te burrat që kishin probleme me stomakun, vetëm nëse përzihej me sheqer. Kanella ndihmon në kontrollimin e nivelit të sheqerit në gjak, nivelet e larta të të cilit përbëjnë rrezik për shfaqjen e sëmundjeve të zemrës. Sipas studimeve, u zbulua se nëse të sëmurët me diabet tipi-2 konsumojnë kanellë për 6 javë, jo vetëm ulin nivelin e sheqerit në gjak, por edhe LDL, kolesterolin e keq.

Farat e frutave parandalojnë diabetin

Farat e disa frutave në mjaft raste janë jo vetëm ngacmuese, por edhe të kujtojnë shijen e frutit nga janë marrë. Edhe pse frutat nuk mund t’i mbijetojnë kohës, me farat e tyre nuk ndodh e njëjta gjë e tillë, sidomos kur ato përpunohen dhe konservohen. Të tilla janë farat e kajsisë, bajamet, frutat e ndryshme të thata, etj. Këto fara dhe fruta të thata përmbajnë antioksidantë të cilat reduktojnë nivelin e insulinës rezistente në gjak e cila mund të jetë faktor rreziku për shfaqjen e diabetit.

Arrat dhe bajamet pakësojnë rrezikun e diabetit 2

Diabeti 1 tipit 2 mund të bëhet shkak për sëmundjet të veshkave, zemrës dhe verbim. Por në një studim të kohëve të fundit thuhet se gratë që hanë çdo ditë 30 gramë arra kanë 30 për qind më pak gjasa për tu prek nga diabeti. Ndërsa tek gratë që konsumojnë çdo ditë një lugë vaj kikiriku rreziku ulet me 20 për qind. Përveç yndyrës së mirë, arrat përmbajnë edhe vitamina të shumta, minerale dhe fibra. Arrat, bajamet dhe lajthitë nuk luajnë asnjë rol në rritjen e peshës trupore, siç mendohej deri më sot.

Këshillat

1-Pacientët me diabet duhet të kontrollojnë peshën

2-Duhet të kufizojnë sheqernat e rafinuara

3-Duhet të rrisin sasinë e fibrës në dietë

4-Yndyrat duhet të jenë vajra me 1 lidhje dyfishe (si p.sh. vaji i ullirit)

5-Duhet t’i shtojnë dietës së tyre arra

6-Efikase edhe bajamet

Shenjat

1-Dhimbje barku

2-Frymëmarrje të ngadalta e të thella

3-Prani e ketoneve në gjak dhe në urinë

DIABETI

Diabeti është çrregullimi i metabolizmit që reflektohet në paraqitjen e sasisë jonormale të glukozës në gjak, si pasojë e rezistencës së qelizave të gjakut ndaj insulinës apo si pasojë e sasisë së vogël të insulinës së sekretuar nga pankreasi. Janë dy gjendje që mund të shkaktohen nga diabeti i sheqerit (diabetes mellitus), hiperglicemia (niveli i lartë i glukozës) dhe hipoglicemia (niveli i ulët i glukozës). Diabeti i sheqerit është një sëmundje endokrino-metabolike, që ka të bëjë me mënyrën se si organizmi ynë e përpunon sheqerin, i cili merret me ushqimet e ndryshme. Defekti qëndron në pamundësinë e insulinës, për të mbajtur nivelin e sheqerit në gjak në vlerat normale. (TiranaObserver)