RCCOLA

Ja si fitohen tenderët

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

E vetmja mënyrë për të fituar tender në institucionet e shtetit në Kosovë është ryshfeti dhe zhvatja. Këtë e thonë vetë bizneset në një raport mbi prokurimin publik të Odës Amerikane. Ata madje vlerësojnë se prokurimi publik është zinxhiri më i korruptuar i sistemit.

Me ryshfet e zhvatje. Vetëm në këtë mënyrë mund të fitohet një tender në institucionet publike.

Këtë e thonë vetë bizneset në një raport mbi prokurimin publik të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Bizneset kanë deklaruar se në marrjen e tenderëve po favorizohen kompani të caktuara të afërta me Qeverinë. Ndërkaq, ryshfeti e zhvatja janë format korrputive përmes të cilave mund të arrihet deri në një kontratë.

Në këtë raport, bizneset madje janë deklaruar se nuk po ushtrojnë ankesa fare kur ka parregullsi, me frikën se ndëshkohen në tenderët e tjerë nga autoritetet kontraktuese. Dyshime kanë edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit, për të cilin thonë se po i favorizon kompani të caktuara.

“Të anketuarit besojnë se prania e korrupsionit (ose të paktën perceptimi që ai ekziston) është e lartë në rastet e prokurimit publik. Disa kompani shkojnë aq larg sa që thonë se prokurimi publik është zinxhiri më i korruptuar i ”sistemit”, gjë që duhet të adresohet menjëherë”, thuhet në ketë raport.

Përqindja e të anketuarve, sipas raportit, që pohojnë të kenë hasur në korrupsion në aktivitetet e prokurimit është 58 për qind.

Sipas bizneseve, llojet e korrupsioneve në të cilat hasin më së shumti janë favorizimi, ryshfeti dhe zhvatja.

“Ngjashëm, 52,4 për qind e të anketuarve pohojnë të kenë dëgjuar raste kur kompanitë brenda sektorit të tyre kanë bërë pagesa jo zyrtare për të garantuar suksesin e ofertave të tyre në aktivitetet e prokurimit”, thuhet aty.

Mobi Casa

Krahas korrupsioni, probleme të tjera që kanë konstatuar bizneset janë edhe varshmëria e tepërt në kriterin e çmimit më të ulët dhe specifikacionet teknike, të cilat përpilohen në atë mënyrë që favorizojnë në operator të caktuar.

Sa i përket përpilimit të specifikimeve teknike, fakti që ndonjëherë ato përpilohen në mënyrë që favorizuese për një operator ekonomik të caktuar tregon që jo gjithmonë kompania më e mirë fiton një projekt të caktuar. Kjo mund të çojë në një kualitet jo të kënaqshëm të punës dhe si rezultat tenderët duhet të ri-shpallen nga agjencitë e prokurimit, duke çuar në shpenzime të panevojshme për shtetin, një barrë kjo që bie mbi tatimpaguesit.

“Sipas përgjigjeve të të anketuarve, në mesatare, përqindja e herëve kur specifikacionet teknike janë të përgatitura në këtë mënyrë është 39 për qind, ndërsa në 61 për qind të rasteve, specifikimet teknike nuk janë të të përgatitura të favorizojnë një kompani specifike, e para në kundërshtim me ligjin mbi prokurimin publik”, thuhet në raport.

Probleme tjera vleresohën të jenë anulimi i paarsyeshëm i tenderëve, prania e korrupsionit dhe problemet lidhur me vetë ligjin.

Bizneset nuk janë të kënaqura as me punën e Organit Shqyrtues të Prokurimit. Për më tepër bizneset po ngurojnë të ushtrojnë ankesë në OSHP, për shkak të frikës se mos ndëshkohen nga autoritetet kontraktuese në tenderë të tjerë.

“Rreth 52 për qind e të anketuarve kanë thënë se janë të brengosur se ankesa mund të rezultojë me probleme në të ardhmen gjatë aplikimeve për aktivitete prokuruese”, thuhet në raport.

Fakti që kompanitë duhet të paguajnë një tarifë prej 500 eurosh për çdo ankesë të bërë në OSHP është marrë si problem, posaçërisht në rastet kur vetë projekti është i një vlere të ulët. Sidoqoftë, ata respondentë vlerësuan se OSHP në të shumtën e rasteve jep përgjigje në kohë ndaj ankesave.

Bizneset e vlerësojnë shumë ulët OSHP-në për transparencë. Por, këtë në raport e kanë mohuar përfaqësuesit e këtij institucioni.(express)