Fundamenti

Ja mesazhi i kryeministrit Mustafa në 14 vjetorin e sulmeve në SHBA

/ 2 minuta lexim

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, përmes një mesazhi ka përkujtuar 14 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në mesazhin e kryeministrit Isa Mustafa thuhet “Para 14 vjetësh, më 11 shtator 2001, kombi amerikan ishte cak i sulmeve më të tmerrshme terroriste që bota demokratike kishte përjetuar ndonjëherë. Mijëra njerëz të pafajshëm u vranë, objekte të rëndësishme u shkatërruan dhe bota demokratike u vu para sprovës së madhe të terrorizmit global. Sulmet e 11 shtatorit 2001 na tmerruan të gjithëve, por nuk arritën për asnjë moment të thyejnë shpirtin e paepur të kombit amerikan, i cili u ringrit edhe më i fuqishëm dhe më i vendosur kundër të keqes, duke dëshmuar fuqinë, vizionin dhe unitetin global në mbrojtje të vlerave të shenjta të lirisë dhe të civilizimit perëndimor”.

UBT

Kryeministri më tej shprehet se 14 vjet pas këtyre akteve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbarë bota demokratike, vazhdojnë të jenë të bashkuara në luftën kundër të keqes, duke garantuar triumfin e vlerave të demokracisë përballë kërcënimit permanent terrorist.

“Në këtë ditë përkujtimi dhe krenarie, qytetarët e Kosovës qëndrojnë bashkë dhe solidarizohen me familjet e viktimave dhe mbarë popullin amerikan. Kosova dhe populli i saj janë përjetësisht mirënjohës për kontributin e pazëvendësueshëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për çlirimin e Kosovës dhe për zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit tonë”, shprehet Mustafa. /Telegrafi/