Ja çfarë thotë Pacolli për dekoratën “Nderi Kombit”

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Vlerësimin të cilin ia ka bërë shteti shqiptar, përkatësisht presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, duke ia dhënë dekoratën “Nderi i Kombit” kryetarit të Aleancës për Kosovë të Re (AKR), Behgjet Pacollit, ky i fundit thotë se kjo e shtynë “që ta vazhdojë edhe më tutje kontributin e tij për Kosovën dhe qytetarët e saj”.
Në një prononcim për Telegrafin, ai ka thënë se ky titull “është kurorëzim moral i gjithë betejave dhe sfidave të tija jetësore”.

“Më vjen mirë që shteti amë, presidenti i Republikës dhe të gjitha taborët politikë atje, të majtët dhe të djathtët, u bashkuan në vlerësimin e këtyre të arriturave jetësore”, ka thënë ai.

Sipas tij, vlerësimet e bëra nga të gjitha segmentet e politikës shqiptare, “si sipërmarrës. Filantrop. lobues për njohje të pavarësisë së Kosovës e si promotor i doktrinës të bashkimit ekonomik kombëtar”, e kanë bërë që ta kuptojë “dozën e respektit që kanë ata për angazhimin e tij politik dhe ekonomik”.

“Më nderuan shumë fjalët e motivacionit të dekorimit të presidentit të Shqipërisë, fjalët e ish- kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, pastaj vlerësimet e kreut të opozitës dhe të Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, i cili për më tepër më akordoi ‘Sahatin e Qytetit’ si nderim për mysafirët e rrallë. Më nderuan pa masë edhe vlerësimet e kryetarit të Parlamentit të Shqipërisë dhe zëvendëskryeministrit Niko Peleshi. Më kanë mbetur në mendje fjalët e Sali Berishës: ‘Ti ke qenë njeriu i suksesit si individ dhe si ndërmarrës. Ti vendose ta ofrosh në shërbim të kombit suksesin tënd personal. Kështu ti i ke shërbyer kombit në çdo kohë’”, ka theksuar Pacolli.

Kreu i AKR-së ka theksuar se nuk do të ndalet në aktivitetin e tij, pavarësisht se në cilin pozicion ndodhet.

“Nëse ka një vend ku hapen fabrikat në Kosovë. kjo është atje ku njerëzit e AKR-së janë në krye të punëve”, thotë ai.

“Shikoni Gjakovën, ku bashkëpunimi me kompanitë e mëdha suedeze dhe amerikane sollën ndërtimin e një fabrike të re. Brenda disa muajsh do të fillojë fabrika në Mitrovicë. Një fabrikë tjetër shumë moderne, për të cilën s’dua të flas shumë në këtë moment, do të fillojë punën në një qytet tjetër. A po e bën dikush tjetër këtë në një kohë kaq të trisht të ikjeve dhe akoma më të trisht që pritet të ndodhë – të rikthimeve”, ka thënë Pacolli.

Uji Dea

Sipas tij, dekorata të cilin e ka marrë “ia shton energjinë për të vazhduar”.

“Do formulojë propozime, platforma zhvillimore ekonomike për të shtuar punësimin dhe zhvillimin e vendit. Kush don t’i dëgjojë, t’i implementojë, unë jam i gatshëm të ndihmoj, në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo që jetojnë shqiptarët. Më vjen keq se gjithë shtyllat e programit tim, që mbeten akoma aktuale, në funksion të zhvillimit ekonomik të vrullshëm, nuk u votuan. Nëse ato do të realizoheshin, qoftë pjesërisht, asnjë qytetar i Kosovës nuk do të kishte arsye për ta lenë vendin. Ndërkohë, do të vazhdoj të sjell investitorë të mëdhenj që për të ardhur në Kosovë kanë nevojë për mbështetjen time, për garancitë e mia, tanimë private. Mjerisht, Kosova nuk është realitet tërheqës për investitorët, siç tregojnë të dhënat më të fundit. Por, puna ime është titanike”, ka shtuar ai.

Pacolli ka deklaruar se do investojë atje ku mundet, dhe se do të kapërcejë pengesat e atyre, që siç thotë ai, “pasi pengojnë kanë paturpësinë të pyesin: e çfarë bëre ti për Kosovën”?

“Argatët e tyre ndonjëherë infiltrohen dhe në mediat sociale me këtë pyetje. Ia ka dhënë përgjigjen një ekonomiste e re nga Shqipëria në një shkrim të vetin, që tha: mos prisni që një njeri i vetëm të investojë në çdo fshat të Kosovës, se nuk ka asnjë precedent të ngjashëm në botë. Një shtet i tillë do të ishte shtet privat dhe nuk do të mjaftonte as buxheti i disa shteteve të mesme për të realizuar gjëra të “, ka deklaruar Pacolli.

Ndryshe, të premten në mjediset e Presidencës së Shqipërisë, u zhvillua ceremonia e dekorimit të parit të AKR-së, Behgjet Pacolli me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Motivacioni i dekoratës lidhet me lartësimin e imazhit të shqiptarit në botë, me ndërmarrësi në shumë pika të globit, si dhe me veprimtarinë humanitare. Motivacioni vlerësonte gjithashtu kontributin lobues për pranimin dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe promovimin e realiteteve të përbashkëta ekonomike midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Gjatë vizitës në Tiranë, Pacolli është takuar edhe me kryetarin e Tiranës, Lulëzim Basha, dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Me këtë rast, Basha i ka akorduar Pacollit titullin: “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”, i cili është i dyti pas titullit “Çelësi i Qytetit” që ka marrë më parë nga ish kryebashkiaku Edi Rama. /Telegrafi/