Ja çfarë njoftoi Qeveria për vizitën e Ramës në Prishtinë
Qeveria e Kosovës ka lëshuar një komunikatë përmes të cilës ka treguar se takimi i sotëm mes Isa Mustafës e Edi Ramës kishte për qëllim koordinimin e projekteve të dy shteteve në prag të Samitit të Vjenës.Veç kësaj, në njoftim shkruan se kanë folur edhe për zhvillimet në rajon, pas specifikuar se për çfarë zhvillimesh bëhet fjalë.
Ky është njoftimi i Qeverisë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.
Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, koordinimin e projekteve dhe bashkëpunimit të dy shteteve në prag të Samitit të Vjenës si dhe zhvillimet në rajon.
Kryeministri Isa Mustafa e informoi kryeministrin Edi Rama për progresin që po arrihet në Kosovë në të gjitha fushat, me theks të veçantë për reformat dhe prioritetet e Qeverisë.
Kryeministri Mustafa po ashtu theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin dhe partneritetin strategjik me Shqipërinë.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë.
Kryeministri Rama po ashtu shprehu përkrahjen e Republikës së Shqipërisë për proceset në Kosovë, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë shqiptare për zgjerimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit me Kosovën./wxpress/


