“Izraelitët” e MPJ-së

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, dy pozitat në kabinetin e tij i ka ndarë për persona të afërt me lobin e shtetit të Izraelit, i cili shtet deri më tash nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Burime të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se disa ditë më parë në kabinetin e tij, ministri Hoxhaj ka emëruar në pozitën e asistentes administrative Ines Demirin, vajzën e kryetarit të Shoqatës së Komunitetit Hebraik, Votim Demiri.
Sipas këtyre burimeve, kjo shoqatë për disa aktivitete ka pranuar edhe mbështetje financiare nga Ministria e Punëve të Jashtme, ndonëse një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga zyrtarët e dikasterit qeveritar që udhëheq Hoxhaj.
”Vajza e Demirit e ka përfituar këtë pozitë në MPJ në kohën kur ky dikaster qeveritar është vizituar nga një institucion i hebrenjve. Vizita e fundit në MPJ më 20 gusht 2013 është bërë nga një delegacion i lartë i Unionit Evropian Hebraik dhe pritja u bë nga ministri Hoxhaj”, ka nënvizuar ai.
Hoxhaj po ashtu, sipas burimeve të “Zërit”, së fundi në cilësinë e shefit të Kabinetit të Ministrit e ka emëruar Blerim Vela, i cili është kthyer kohë më parë nga Izraeli në Kosovë. Më parë, ky zyrtar i lartë ka qenë i punësuar për vite të tëra në Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Prishtinë.
Emërimin e asistentes administrative dhe shefit të kabinetit të ministrit Hoxhaj e konfirmojnë edhe vetë zyrtarët e kësaj ministrie, të cilët, megjithatë, mohojnë se punësimi i tyre ka lidhje me lobin izraelit…(Zëri)