Izolimi na ndjek edhe në 2018-n

Politika e papërgjegjshme karshi qytetarëve dhe vetë shtetit të Kosovës, edhe në këtë vit që po e lëmë pas, përkundër premtimeve dhe pritjeve optimiste nga qytetarët, e la Kosovën përsëri pa liberalizimin e vizave. Tani, premtimet janë për vitin në vijim 2018, ndonëse as këtij premtimi nuk i beson askush.
Sado që jemi mësuar t’i dëgjojmë politikanët tonë, pozitë dhe opozitë, që fajin për izolimin e Kosovës ia hedhin BE-së, analistë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile gishtin për përgjegjësi ia drejtojnë politikës vendore, e cila, sipas tyre, po e lë Kosovën pa liberalizim vizash, vendin më të izoluar në Evropë, me premtime të rrejshme që kurrë nuk u realizuan. Tanimë qytetari e ka në kujtesë premtimin e zyrtarëve të këtij shteti, sipas të cilëve kosovarët është dashur që 8 vjet më parë ta fitojnë të drejtën të udhëtojnë pa viza. Premtim ky i dhënë nga ish-kryeministri Thaçi, tani president i vendit, e pak gjasa ka që edhe vitin tjetër të hiqen vizat për kosovarët. Për pasojë të këtij izolimi, edhe qytetarët nuk po shohin ardhmëri në këtë shtet për të cilin u derdh gjak për ta bërë,por po kërkojnë çdo rrugë për të ikur sa më larg, si ata që janë në gjendje të rëndë sociale, ashtu edhe klasa e mesme.
Politika është fajtore
Ariana Qosaj-Mustafa, nga instituti KIPRED, i tha gazetës se për fajin e kësaj politike, Kosova e humbi një shans shumë të afërt që e kishte për ta fituar liberalizimin e vizave, sikur që po e gëzojnë vendet e tjera. “Besoj se kemi qenë shumë afër këtij procesi me zbatimin e gati 99% të kritereve për liberalizimin e vizave. Me vetë faktin se u propozua dhënia nga ana e Komisionit Evropian pas plotësimit të dy kushteve të mbetura liberalizimi i vizave për Kosovën. Po ashtu është propozuar liberalizimi për Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, e këto tre shtete vetëm e kanë marrë liberalizimin gjate viteve 2016 dhe 2017. Tek ne çështja e Demarkacionit, e përdorur nga partitë politike në opozite si dhe mungesa e vullnetit nga partitë në pushtet për luftimin e korrupsionit të lartë kanë sfiduar procesin. Vendimi i Demarkacionit mbetet ende pa konsensus nacional dhe duket se nuk do të ketë së shpejti zgjidhje për të. Fatkeqësisht, druaj se do të humbim edhe kësaj radhe shansin historik që ta kemi udhëtimin e lirë të të rinjve tanë, meqë vitin tjetër ka zgjedhje të reja parlamentare në BE”, tha Qosaj- Mustafa për “Kosova Sot”. Fatin e liberalizimit të vizave e lidh me mungesë vullneti të politikës kosovare për t’i dhënë epilog çështjes së Demarkacionit dhe luftimit të krimit e korrupsionit edhe Arton Demhasaj nga Lëviza FOL. “Akoma nuk e kemi kryer çështje e Demarkacionit, e cila po na përcjell si çështje me vite, për të dalë te çështja e krimit dhe korrupsionit për të na vlerë- suar nëse jemi në rregull apo jo”, tha Demhasaj për “Kosova Sot”.
Situata e rëndë sociale
Profesor i sociologjisë në UP Fadil Maloku, rrugën e largët dhe me plot pengesa të kosovarëve për liberalizimin e vizave e sheh edhe të ngecja e madhe në zhvillimin ekonomik të vendit, që është një kriter tjetër, ndonëse i pashkruar si kusht, i domosdoshëm, por që BE- ja ta ketë parasysh dhe do ta përdorë atë si mburojë nga rreziku i eksodit masiv të qytetarëve të Kosovës drejt BEsë në rast të heqjes së shpejtë t vizave. “Shifra alarmuese të papunësisë në Kosovë! Në një hulumtim të organizuar nga studentët e masterit në Departamentin e Sociologjisë, del se papunësia është përzgjedhur të jetë problemi kryesor dhe dominues në jetën e qytetarëve kosovarë. Sipas shumë indikatorëve socialë, diku mbi 50% të fuqisë punëtore në Kosovë vlerësohet të jetë e papunë. Ajo çka është edhe më shqetësuese ka të bëjë me faktin se te kontingjentet e reja të rinjve që janë të gatshëm të hyjnë në tregun e punës kuota e papunësisë është në rritje e sipër dhe ka arritur 75% -80%-shin e tyre (!?). Kurse në mesin e subkulturës së grave kjo kuotë arrin mbi 85% të papunë! Kur kësaj i shtojmë indikatorin tjetër që tregu i punës në Kosovë për çdo vit shtohet me mbi 35.000 të rinj të gatshëm për të kërkuar punë, atëherë na del se gjendja është aq alarmuese, saqë edhe vetë çuditemi se si është e mundur që një papunësi kaq e madhe të mos ketë reperkusione në institucionet vendimmarrëse të shtetit të Kosovës”, u shpreh ai. “Kësaj kur t’i shtojmë edhe të dhënat se politika sociale aktuale institucionale me neglizhencën, anashkalimin dhe në fakt injorimin që është duke u bërë disa kategorive dhe familjeve të kërcënuara seriozisht edhe me mbijetesë fizike, atëherë bëhet krejt e qartë se edhe shfrytëzuesit e këtyre ndihmave (lexo: lëmoshave!) ashtu siç dëshmojë një studim i yni ad hoc në njëfarë mënyre nuk u dedikohen dhe nuk u takojnë gjithherë atyre që vërtet kanë nevojë për këtë ndihmë që i obligon shteti i Kosovës. Kjo shtresë e margjinalizuar, si asnjë shtresë tjetër shoqërore, është skajshmërish e kërcënuar nga “bankroti” i përditshëm social e shoqërorë”, tha prof.Maloku për “Kosova Sot”.
Kushtëzimet e Brukselit
Përgjegjësia i shkon politikës së papërgjegjshme për izolimin e kosovarëve në mes të Evropës, me mungesë të liberalizimit të vizave, edhe sipas analistes Albana Rexha nga Grupi për studime Juridike dhe Politike. Sipas saj, është e pamundur të dilet nga kjo situatë pa konsensus nacional të politikës kosovare, ngase BE-ja ka përcaktuar kushte specifike për liberalizimin e vizave vetëm për Kosovën. “Fatkeqësisht, Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm pa liberalizim të vizave në rajon. Dy kushtëzimet nga ana e Brukselit, duke përfshirë Demarkacionin me Malin e Zi dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit do të vazhdojnë të jenë pjesë e presionit dhe politikës kushtetuese të BE-se ndaj Kosovës. Në diskursin publik besoj se shpesh kemi dëgjuar mendime nga ato që BE-ja nuk po tregohet e drejtë me Kosovën, duke kushtëzuar me përfundimin e Demarkacionit me Malin e Zi, por është me rëndësi të kujtojmë dhe sqarojmë për të gjithë se BE-ja ka të drejtë në vendosjen e kritereve specifike ndaj shteteve spirante për të qenë pjesë e BE-së në momentin kur BE-ja e vlerëson se ai lloj kriteri mund të paraqesë problem në fazat e mëvonshme të integrimit”, theksoi ajo. “Është shumë e rëndësishme që të ketë konsensus ndërmjet vendimmarrësve, duke përfshirë këtu pozitën dhe opozitën në një zgjidhje sa më shpejt, dhe nuk konsideroj se përfaqësimi është i denjë në momentin kur thuhet nga e ana e përfaqësuesve të Qeverisë se ‘nuk mund të kemi konsensus’, ‘është shumë e vështirë’, ‘nuk do votohet në Kuvend’ dhe të ngjashme. Në fund të fundit, qytetarët kanë zgjedhur ata për të zgjidhur problemet e tyre dhe zgjidhja e tyre mund të bëhet vetëm përmes koalicioneve dhe diskutimeve përmbajtjesore në mes të të gjithë aktorëve”, tha analistja Albana Rexha nga GSJP-ja për “Kosova Sot”.
Të fundit në proceset integruese
Skeptik për kthjellje të politikës, që t’i kalojë dy kritere dhe t’i hapë më shpejt rrugë perspektivës evropiane, shtetit dhe qytetarit të Kosovës, është edhe analisti Blerim Burjani. “Tema më e dhimbshme për kosovarët është izolimi i tyre, pa mundësi të lëvizjes së lirë, duke u sjellë vërdallë nëpër ambasada për një vizë, për të shkuar tek familjarët, bizneset duke u sjellë nëpër ambasada të ndryshme duke kërkuar viza për të lidhur kontrata ekonomike, të sëmurët në pamundësi për të pasur shërim adekuat brenda dhe pa mundësi dalje pa viza, si dhe studentët, të cilët gjithashtu t’u nënshtrohen regjimit të vizave, përderisa edhe OJQ-të kanë mbetur të izoluara në vend. Për këtë vit të zgjedhjeve dhe riformulimit të interesave të kësaj klase politike përmes dy palë zgjedhjeve është shkaktuar humbje buxhetore 12 milionë euro për organizim të dy palë zgjedhjeve me një qeveri të përbërë dhe të udhëhequr nga partitë e vogla”, theksoi ai. “Kosova ka mbetur prapa në integrimet evropiane, përderisa vendet e tjera të rajonit po i ofrohen anë- tarësimit. S’ka përparim në luftën kundër korrupsionit, ka pasur spektakle mediale merr e liro njerëz që dihet prej “havaje”, që janë pasuruar prej buxhetit të qytetarëve”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.
Sipas tij, edhe sektori ekonomik privat është në stagnim dhe me rrezik shkatërrimi, përderisa sektori publik dhe ai i administratës shtetërore jetojnë nga buxheti i qytetarëve, një administratë e madhe me shumë ministri dhe me një batalion zëvendësministrash nga të cilët pa asnjë kompromis vazhdohet të zhvatet qytetari.
(Kosova Sot)