Izolimi i kosovarëve zgjatet pa fund
Në takimet e fundit të zyrtarëve të shtetit të Kosovës me përfaqësuesit e BE-së, në të cilat është hapur edhe tema e liberalizimit të vizave dhe kushtet e mbetura për t’u finalizuar nga pala kosovare, është parë qartazi se tani përfaqësuesit e BEsë po ua mbyllin gojën ashpërsisht pushtetarëve aktualë, të cilëve u kanë thënë prerë se nuk ka liberalizim vizash pa luftë kundër korrupsionit dhe pa Demarkacion me Malin e Zi.
Sipas analistëve politikë, tanimë do të jetë e vështirë për Kosovën ta bëjë liberalizimin e vizave, kur BE-ja po i përsërit qartë kushtet, derisa kjo klasë politike e barrikaduar në distancë nga mungesa e vullnetit për veprim mbahet përgjegjëse që e solli në këtë derexhe Kosovën, ku për shumë vjet nuk plotësuam kushtet për të udhëtuar qytetarët pa viza në Evropë.
Analisti politik Florim Zeqa konsideron se nuk ka liberalizim vizash pa luftë kundër korrupsionit dhe pa Demarkacion me Malin e Zi, si dhe pa përmbushjen e obligimeve që ka marrë Kosova nga marrëveshjet ndërkombëtare, të realizuara nga dy qeveritë e kaluara; të marrëveshjes famëkeqe të 19 prillit 2013 të nënshkruar nga Hashim Thaçi, të marrëveshjes së 25 gushtit 2015, të nënshkruar nga Isa Mustafa për “Zajednicën” serbe në Bruksel si dhe të marrëveshjes së 26 gushtit 2015 në Vjenë për Demarkacionin me Malin e Zi, të nënshkruar nga presidenti Thaçi dhe homologu i tij malazias, me të cilën Malit të Zi i falen 8200 hektarë tokë e Kosovës.”Në rrethanat aktuale do të jetë e vështirë për Kosovën, gjegjësisht për Qeverinë “Haradinaj” të kalojë testin e Demarkacionit në Kuvend. Do ta ketë tepër të vështirë të kapërdijë zotimet e tij opozitare për mbrojtjen e tërësisë territoriale para kuvendarëve të rinj, të cilët me plot të drejtë do ta gjejnë “alibinë” për mosvotimin e Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvend sipas versionit të Qeverisë së kaluar, të nënshkruar edhe nga presidenti Thaçi. Parlamentarët do t’i kërkojnë kryeministrit Haradinaj mbajtjen e premtimeve opozitare për kthimin e kufirit me Malin e Zi në Çakorr, në të kundërtën për Haradinajn do të jetë tepër sfidues rrugëtimi nëpër “tehun e shpatës”.Kjo, përveçse do të rrezikojë rënien e parakohshme të Qeverisë “Haradinaj”, qytetarët e vendit do të privohen padrejtësisht nga lëvizja e lirë drejt vendeve të BE-së edhe për një kohë të gjatë”, theksoi Zeqa.
Rezistenca qeveritare
Politologu Gurakuq Kuçi vlerëson se ashpërsia politike e BE-së ndaj Kosovës është rritur me ardhjen e Qeverisë “Haradinaj”, kur tani po has në rezistencë jo vetëm opozitare, por edhe qeveritare për realizimin e urdhrave të vet. “Urdhrat e tillë nuk kanë një direktivë diplomatike. Sidoqoftë, tek çështja e Demarkacionit me Malin e Zi, Kosova vetë e ka humbur rastin që të manovrojë më herët, ishte koha kur kryeministër ishte Isa Mustafa dhe sikur ky i fundit së bashku me partnerët e koalicionit, presidentin dhe opozitën të ishin më konstruktivë dhe të kërkonin nga Parlamenti rrëzimin apo kalimin e tij para se Mali i Zi të ishte pjesë e NATO-së veprimet do të ishin më të lehta. Mirëpo, tani kam frikë së është vonë dhe si çështje vetëm do të prolongojë proceset integruese të Kosovës”, u shpreh ai. “Në anën tjetër, korrupsioni ka qenë kërkesë e kamotshme nga BE-ja që të luftohet, sepse BE-ja e di që me institucione dhe individë brenda tyre nuk mund të bëjë investime as demokratike, e as financiare të mira në Kosovë. Por, proceset kërkojnë zgjidhje, kushtet e BE-së tashmë janë pothuajse të pashmangshme, por edhe procesi me komision të ri nga Haradinaj duhet të japë një zgjidhje dhe korrupsioni nuk ka zgjidhje tjetër, përveç luftës së pakompromis”, tha politologu Kuçi për “Kosova Sot”.
BURJANI: ME NDËRKOMBËTARËT NUK MUND TË LUHET
Njohësi i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, thotë se zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe BE-së treguan më së miri se definitivisht BE-ja dhe SHBA-ja nuk do të tolerojnë neglizhencën dhe paaftësinë politike për të nxjerrë vendime të duhura në dobi të qytetarëve dhe në interes ndërkombëtar, të respektimit të rendit dhe ligjit. “Pra, nuk ka më shaka, kjo klasë politike mund të merret me veten e vet, por BE-ja nuk do të merret me këtë kategori njerëzish të papunë, që duke keqpërdorur pozitat e tyre në pushtet janë bërë milionerë përmes keqpërdorimit të taksave të qytetarëve. Kjo lojë me bashkësinë ndërkombëtare po shihet se nuk lejohet më, ka përfunduar tashmë. Ajo që dihet e që shihet është se do të jenë qytetarët e këtij shteti të ri dhe të varfër ata, që do ta paguajnë për çdo ditë këtë faturë të mosveprimit të institucioneve të shtetit për nxjerrjen e vendimeve të kërkuara, si për Demarkacionin edhe për mosveprim në luftën kundër korrupsionit”, u shpreh ai. “Mirëpo, presioni ka filluar dhe tani pa vonesë duhet të fillohet me dekriminalizim të plotë të organeve të shtetit, të bordeve, me largimin nga pozitat shtetërore të fenomenit të nepotizmit, hajnisë dhe gjërave të mbrapshta manipulative, që kanë dëmtuar plotësisht jetën e qytetarëve të Kosovës”, theksoi Blerim Burjani për “Kosova Sot”.
MEHMETI: LUFTIMI I KORRUPSIONIT ËSHTË I PAMUNDUR, PASI DO T’I BINTE SIKUR KËTA POLITIKANË E LUFTOJNË VETVETEN
Analisti Faton Mehmeti pohon se kushtëzimi i BE-së për liberalizim të vizave, që ka të bëjë me Demarkacionin dhe luftimin e korrupsionit, për politikanët e vendit tonë janë krejt të pakapërdishme dhe vështirë të realizohen. “Veçanërisht luftimi i korrupsionit është i pamundur, pasi do t’i binte sikur këta politikanë e luftojnë vetveten. Sa i përket Demarkacionit, ajo vetëm po shërben si pretekst që duke mos ratifikuar Demarkacionin mos të luftojnë korrupsionin, duke fajësuar BE-në për mungesë të vizave. Por, dihet se fajtorët kryesorë janë politikanët, e jo BE-ja dhe as qytetarët e vendit”, tha Faton Mehmeti
Sfida tepër të zorshme
Analisti politik, Ali Hertica, thotë se, duke pasur parasysh që nga Komisioni Evropian ka pasur një vlerësim pozitiv sa i takon progresit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, Demarkacioni tani mbetet pengu kryesor i liberalizimit të vizave, që duhet t’i zgjidhet nyja. “Lulëzimi i krimit të organizuar nuk do të ishte aq problem për liberalizimin e vizave për qytetarin e Kosovës po të mos ishte involvuar në krejt strukturat politike, sepse këtë dukuri thuajse e kanë konsumuar të gjitha shtetet demokratike në rajon dhe më gjerë. Por, arsyeja tjetër është Demarkacioni dhe të gjitha ato tema që janë të nënshkruara në Bruksel nga pala kosovare, shqiptarët dhe serbët, ku vjen edhe Asociacioni dhe tani duhet të përmbyllet me procesin në pritje nga ekipi i pajtimit ndërshtetëror. Kjo është arsye pse Kosova nuk ka liberalizim vizash dhe mund të bëhet një prej shkaqeve për të cilat qytetari edhe më tutje të mbetet i getoizuar, pa lëvizje të lirë në BE”, theksoi ai.
Afatet mashtruese të liderëve
Edhe analisti dhe publicist Skënder Mulliqi është i sigurt që nuk është Demarkacioni kushti parësor për liberalizim të vizave, por luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, prandaj nuk do të ketë liberalizim të vizave, edhe nëse kryhet tema e vështirë e Demarkacionit. “Nga BE-ja dhe nga Amerika është duke u kërkuar që sa më shpejt të përfundojë kjo çështje, që t’i lëshohet udhë përmbushjes së kushtit kryesor,siç është lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Të proklamosh afate të shkurtra se do të kemi liberalizim të vizave është politikisht dhe praktikisht shumë e paqëndrueshme. Edhe Thaçi përcaktonte afate kohore të shkurtra se kur do të kemi liberalizim të vizave, por nuk doli ashtu. Kosova ka mbetur vendi i vetëm në Evropë i izoluar si ne geto”, theksoi ai.”Kthimi i çështjes së demarkimit në pikën zero do të jetë shumë vështirë, kur dihet se zyrtarët e Malit të Zi tash për tash nuk janë duke shprehur gatishmëri që kjo çështje shumë e ndjeshme të rinegociohet, pasi e kanë ratifikuar në Kuvend. Dihet se me variantin aktual Kosova humb mbi 8000 hektarë tokë. Qeveritë e deritashme nuk u morën me temat kryesore dhe shumë të rëndësishme për Kosovën, siç është udhëtimi në Evropë pa viza”, tha Mulliqi për “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)


