Hidromorava

Ivani i tmerrshëm

/ 6 minuta lexim

Ivan Bulatovic, për vrasjen e të cilit po hetohen nga EULEX’i Sabit Geci e Sahit Jashari, ka qenë tmerri i gjithë Drenicës. Pos torturave psikike, ai ka rrahur shumë banorë të Drenasit me rrethinë, kurse të tjerët i ka dëmtuar materialisht. Express sjell rrëfimin e disa prej njerëzve që vuajtën për plot tri vite nga ish-zëvendëskomandanti i policisë serbe të Drenasit.

Ivan Bulatovic është emri që do ta mbajnë gjatë në kujtesën e tyre banorët e Drenicës. Jo për mirë, por për tmerret që kane përjetuar nga ai. I ardhur nga Mali i Zi që nga viti 1996, Bulatovic ka ushtruar për më shumë se tri vjet terror në këtë trevë e banuar kryesisht me shqiptarë.

Bëri çfarë deshi me ne. Ky është kujtimi i parë që u vjen në mend banorëve për ish- zëvendëskomandantin serb të stacionit policor të Drenasit (ish-Gllogovcit). Dikush u rrah me dhjetëra herë prej tij, disa paguan çdo gjë që ai hëngri nëpër kafiteri. E madje ka shumë prej tyre që u detyruan t’ia japin makinën sa herë që ai kishte për të shkuar në vendlindjen e tij, në Mal të Zi. Kryesisht ka maltretuar zejtarët e asaj ane për qëllime të përfitimeve materiale.

Njeri prej shumë banorëve është Bedri Elezi. Sa herë që i kujtohet ajo kohë, Bedriu thotë se është e pamundur të mos i bie ndërmend Bulatovici.

“Mbi tri herë më ka rrahur keq. Edhe sot vuaj nga veshkat për shkak të rrahjeve që kam marrë nga ai njëri”, rrëfen Bedriu për Express.

Ai thotë se gjitha herët që Bulatovici ka ushtruar dhunë mbi të kanë qenë pa pikën e arsyes.

“Ai të ka rrahur vetëm pse nuk i ke pëlqyer si fytyrë. Unë kam pas një çajtore në qendër të Drenasit, ai ka ardhur e ka pirë çaj e kurrë nuk ka paguar. Kështu ka bërë me të gjithë, ka pas autoritet”, thotë Bedriu.

“Dhe nuk gënjej, të gjithë i jemi frikësuar, sepse një krimineli siç ka qenë ai normalisht që është dashur t’i frikësohesh”.

E përjetime të njëjta nga po i njëjti njëri ka edhe Enver Istogu nga fshati Polluzhë. Thotë sa e sa herë është detyruar t’ia jap makinën Bulatovicit vetëm pse atij i tekej t’ia merrte.

“Dhe e mbaj mend njëherë që ia pata kërkuar makinën time. Ma dha alltinë e tij dhe më tha se makinën nuk ta jap sepse i duhej për të shëtit”, kujton Enveri.

“Kjo dhunë psikike që ka ushtruar ndaj nesh është më keq sesa të na kishte rrah. Unë për shkak të presioneve jam detyruar të ik nga Drenasi për në Polluzhë ku jetoj edhe sot”.

Megjithëse jo të gjithë iu nënshtruan frikës që kishin ndaj Ivan Bulatovicit. Ndryshe prej Bedriut, Enverit dhe gjithë banorëve të tjerë të Drenasit dhe fshatrave përreth, që sa herë që shihnin ish-komandantin në rrugë fshiheshin, Gani Leku doli më trim.

Ganiu është i vetmi njëri që guxoi ta rrah Bulatovicin.

Eco Higjiena

“Shumë familje kanë heq prej tij në të gjitha format. Nuk gënjej njëjtë kam heq edhe unë”, tregon Ganiu.

Ai i rezistoi të gjitha provokimeve dhe torturave të ish-zëvendëskomandantit, deri në shkurtin e vitit 1997.

“Ishte në kafe dhe kërkoi që t’ia paguaj pijet… Kështu ka bërë çdo herë, derisa një ditë më tha se më ka ardhur radha mua që të më rrah”, vazhdon rrëfimin e tij Gani Leku.

“Mbaj mend që kam dalë prej kafesë e ai ka dalë pas meje. Kam shfrytëzuar turmën aty që të sjell mbi të”.

Ishte kjo arsyeja që Ganiu u detyrua që pas asaj nate të largohet nga Drenasi për afër dy ditë të tëra.

“Ai ka qenë kriminel dhe normalisht që e dija se çfarë ai ishte i aftë të bënte. Megjithëse ajo natë m’u kthye. Më mori policia në stacion dhe bashkë me të më rrahën aq shumë, saqë nuk kishte vend ku nuk ndjeja dhembje”, pohon ai.

E derisa rrëfenin gjithë ato që këta tre dhe të gjithë banorët e asaj pjesë të Kosovës kanë përjetuar, për shkak të njeriut që erdhi nga Mali i Zi për të marrë postin e zëvendëskomandantit të policisë në Drenas, ndiejnë keqardhje për një gjë të vetme.

Atyre u vije keq që tash 15 vite pasi ka përfunduar lufta, disa ish-luftëtarë që kontribuuan në çlirimin e Kosovës, po vuajnë për shkak të njeriut i cili ushtroi torturë mbi Drenicën.

“Ne nuk kuptojmë diçka. Si mund të akuzohet dikush që e vrau Bulatovicin kur ne jemi me qindra dëshmitarë të krimeve që ka bërë ai njeri”.

“Po të mos e kishin vra ata do ta vrisja unë personalisht”, tha Bedri Elezli, njëri prej njerëzve që u rrah plot tri herë nga Ivan Bulatovici.

Vuajtjet e banorëve nga ky zëvendëskomandant filluan që nga viti 1996, e deri ditën kur ai u mor prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës derisa po udhëtonte me tren nga Drenasi për në Prishtinë. Tash 15 vjet pas luftës dyshon se Bulatovic u vra nga Sabit Geci dhe Sahit Jashari. Të paktën kështu thuhet në dokumentet të cilat ngjajnë në një aktakuzë për krime lufte kundër disa ish- komandantëve dhe ushtarëve të UÇK’së.

Misioni i EULEX, më saktësisht prokurori italian i këtij misioni Maurizio Salustro, ka hedh akuza të rënda mbi të ashtuquajturin “Grupi i Drenicës”. Në mesin e të dyshuarve për krime lufte është edhe kryetari aktual i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi, Sahit Jashari, Sabit Geci, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi e Avni Zabeli.(express)