Eko Higjiena

Iu mohua pjesëmarrja në konferencën e Beogradit, Bislimi: Sinjal që Serbia nuk dëshiron normalizim të raporteve

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është deklaruar para mediave me t’u futur në territorin e Kosovës, pasi autoritetet policore serbe sot i pamundësuan të merrte pjesë në një konferencë në Beograd, duke e kthyer mbrapa 85 km para se të mbërrinte në kryeqytetin serb.

Bislimi ka thënë se kishte pasur në plan të merrte pjesë në konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, në tryezën e diskutimit “Dialogu Diplomatik”, me temë “Kosova dhe Perspektiva Evropiane e Rajonit”.

Zëvendëskryeministri tha se rreth 85 kilometra para se të arrinte në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, policia serbe e kanë njoftuar se vizita duhet të ndërpritet për shkak se delegacionit të Kosovës nuk mund t’i ofrohej siguri.

“Ne kemi paraqitur kërkesën para organeve shtetërore serbe qysh nga java e kaluar dhe gjithçka ishte në rregull. Edhe sot gjithçka ishte në rregull derisa në një moment të caktuar na është thënë se Serbia nuk mund të na ofrojë siguri, apo siguria ka qenë e cenuar”, shtoi zëvendëskryeministri.

Ai tha se pala serbe ka shpifur arsye, kinse për shkaqe të sigurisë për mos lejuar vizitën në Beograd.

“Për neve ky kthim është një sinjal se Serbia nuk është e gatshme të punojë për normalizimin e marrëdhënieve. Është paradoksale që në një konferencë për sigurinë, Serbia pranon se ka njerëz që cenojnë sigurinë dhe pranon se është e dobët për të ofruar siguri për pjesëmarrësit”.

Bislimi thotë se arsyeja e ndalimit është tërësisht tjetër, pasi sipas tij në plan ka qenë që të ofrohen informacione nga Kosova për të vërtetën e zhvillimeve.

“Ne kemi pasur për qëllim që Beogradit dhe korit diplomatik por edhe qytetarëve atje të iu ofrojmë versionin e Kosovës mbi zhvillimet në vend. Ju e dini që qytetarët në Serbi i janë ekspozuar një propagande shumë të tmerrshme nga Qeveria e Serbisë dhe një të vërtete të shpikur rreth zhvillimeve edhe në Kosovë edhe në dialogun me Serbinë”, deklaroi zëvendëskryeministri Bislimi.

I pyetur nëse do të ketë ndonjë tentativë tjetër për të marrë pjesë në konferencë, ai ka thënë se një gjë të tillë do ta bëjë vetëm përmes videolidhjes.

KKVITI

Ai tha se për këtë zhvillim ka njoftuar tashmë edhe faktorin ndërkombëtar.

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq që ishte edhe organizator i këtij forumi tha se ky kthim i Bislimit dërgon një mesazh të keq për qytetarët e Serbisë, pasi sipas tij nuk mund të garantohet siguria e njeriut që erdhi të flasë për perspektivën evropiane të rajonit.

Udhëtimi drejt Beogradit erdhi në ditën e njëjtë kur Lista Serbe dhe zyrtarët në Serbi, kanë paralajmëruar se do të ketë barrikada në veri, nëse pas 31 tetorit, Kosova konfiskon makinat dhe targat serbe.
Nga 1 shtatori deri më 31 tetor, Qeveria e Kosovës ka thënë se serbët në Kosovë mund të pajisen me targat RKS (Republika e Kosovës) për të zëvendësuar targat që Serbia i lëshon për ta.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të enjten se paralajmërimet e Prishtinës për zbatimin e vendimit për konvertimin e targave të makinave në veriun e Kosovës kërcënojnë qëndrueshmërinë, paqen dhe mbijetesën e popullit serb në Kosovë.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha ndërkaq se është Serbia ajo e cila po kërcënon me dhunë ndaj një veprimi ligjor të autoriteteve të vendit.

Të hënën më 31 tetor skadon afati i vendosur nga qeveria e Kosovës për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Republikës së Kosovës.

Përfaqësuesit e serbëve paralajmëruan bllokimin e rrugëve nëse siç thanë, autoritetet ndërmarrin veprime për konfiskimin e makinave me targa serbe.

Ky paralajmërim u bë nga udhëheqësi i Listës Serbe, Goran Rakiq, ministër në qeverinë e Kosovës pas një takimi në Beograd me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq./Telegrafi/