Iu largova suksesit për të mos përfunduar keq

/ 5 minuta lexim

Mbi 60 milionë CD të shitura, 7 çmime ‘Grammy’ dhe një fëmijë. Rikthehet pas katër vjetësh mungesë me albumin e tetë, “Havoc and the bright lights”. “Nuk mund të qëndrosh gjithmonë në majë. Në Indi mësova t’i ngadalësoja hapat”, thotë këngëtarja Morissette.

Flet shpejt dhe duket sikur nuk pëlqen t’u rikthehet për së dyti diskutimeve. Alanis Morissette nuk i kishte mbushur ende të njëzetat kur erdhi nga Kanadaja në Los Anxhelos dhe regjistroi albumin e saj të parë, “Jagged little pill”, një CD me 33 milionë kopje të shitura. Suksesi i Alanis ishte i jashtëzakonshëm, madje në atë kohë shumë të rinj filluan edhe ta imitonin vokalin e saj. Pa të, sot nuk do të ishin as Avril Lavigne dhe as Shakira, të cilat e kanë parë këngëtaren kanadeze si ikonë. Alanis vuri në dukje të gjitha problematikat e adoleshentëve të asaj kohe, duke u bërë një zëdhënëse e vajzave të reja të zhgënjyera dhe të mërzitura, kur këndoi pa iu dridhur qerpiku: “Mendon ende për mua kur pushton atë?”. Nuk e ka mohuar kurrë që u bë bulimike dhe anoreksike për shkak të një diskografi që i thoshte: “Me këto vithe nuk do të arrish gjëkundi”. Dhe, që prej asaj kohe nuk ka reshtur së dënuari veten dhe bukurinë kockë e lëkurë.

Alanis sapo ka mbushur 38 vjet. Numëron rreth 60 milionë kopje disqesh të shitura, ka fituar 7 çmime ‘Grammy’ dhe në moshën 38-vjeçare pas katër vjet heshtjeje në jetën artistike, por jo në atë private (është martuar me reperin Mario Tradway dhe ka sjellë në jetë djalin Ever Imre, që është një vjeç e gjysmë), do të publikojë albumin e tetë të titulluar “Havoc and the bright lights”. “Më pëlqen të shkruaj tekste këngësh që flasin për marrëdhëniet mes njerëzve përtej seksit, për marrëdhënien me mëmësinë, zhvillimin tim shpirtëror, se si arrita të largohesha prej një sërë varësish ku isha zhytur. Nuk e kam fjalën për drogën dhe alkoolin, por për një sërë problemesh që më shëroi dashuria e njerëzve të cilët i dua shumë”.

Kënga “Guardian” i kushtohet djalit tuaj. Ju keni deklaruar se po të jetë e nevojshme, do ta ushqeni me gji deri sa të mbushë 6 vjeç. A do t’ia dilni dot?

Im bir është çudia më e madhe para një jete të re, nuk mund ta përshkruaj kënaqësinë që të sjell mëmësia dhe gjithashtu zbulimi i fëmijërisë sime. Për sa i përket ushqyerjes me gji, besoj se do të ndahet nga gjiri atëherë kur të jetë momenti, siç ndodh në mënyrë natyrale.

Një prej këngëve titullohet “Celebrity”. Si ka qenë për ju të bëheni e famshme në moshë të re?

Suksesi ka krijuar konfuzion te unë dhe ata që më qëndronin pranë. Të gjithë filluan të shihnin botën përmes ëndrrës sime. Kjo më ndërgjegjësoi në një moment që nuk isha në gjendje as të kujdesesha për veten time. Atëherë e kuptova se suksesi ishte bërë më i rëndësishëm se shëndeti im, ekuilibri dhe rritja e shëndetshme.

Demonstrimin e parë ia paraqitët diskografëve kanadezë në moshën 11-vjeçare…

Në fakt, kisha filluar t’i shkruaja tekstet e këngëve që në moshën 9-vjeçare dhe kur mbusha 11 vjeçe, firmosa kontratën e parë. Nuk isha ende e qartë nëse doja të kompozoja, këndoja, recitoja apo të bëhesha mësuese. Idhujt e mi ishin Aretha Franklin, Whitney Houston, Bob Dylan, Leonard Cohen. Ambicia ime ishte t’i kombinoja të gjithë ata me tekstet e mia autobiografike.

Si ndryshoi jeta juaj pas transferimit në Los Anxhelos?

Mobi Casa

Ishte fillimi i një karriere prej një mijë mundësish dhe një jete pa frena, të paktën nga pikëpamja profesionale.

Cila është receta juaj sot për të mbajtur një ekuilibër?

Vetëm joga nuk mjafton. Duhet edhe humori i mirë, meditimi, aftësia për të mos i marrë gjërat shumë seriozisht dhe një ushqyerje e mirë.

Udhëtimi juaj në Indi, ku shkuat pasi përfunduat albumin “Jagged little pill”, ju ndihmoi shumë, apo jo?

Mësova shumë gjëra. Për shembull, të ngadalësoja hapat, të merrja frymë dhe të qëndroja në qetësi, të lidhesha me pjesën time shpirtërore, të hidhja pas krahëve të gjitha efektet negative të konsumimit, preja e të cilit është i gjithë qytetërimi perëndimor.

Në atë udhëtim u bëtë vegjetariane?

Natyrisht, mësova disa gjëra të reja nga dieta e tyre, për shembull, që mishi nuk është i domosdoshëm, për të mos thënë i dëmshëm.

Tashmë ju jeni bërë qytetare amerikane dhe jeni shumë e kujdesshme me mjedisin. A jeni e kënaqur se si presidenti Obama e ka përballuar këtë problem?

Besoj se të gjithë presim shumë nga ai. Obama është një njeri i mrekullueshëm, por sërish mbetet mashkull. Problemet e mjedisit mund të zgjidhen vetëm duke u ndërgjegjësuar për të keqen që po i bëjmë Tokës. Demokracitë, ose të ashtuquajtura demokraci, duhet të bëjnë një sforcim për t’i ndrequr marrëdhëniet mes popujve dhe marrëdhëniet mes popujve dhe natyrës. Nuk do të mësojmë kurrë ta trajtojmë mirë natyrën, po nuk mësuam të trajtojmë mirë njëri-tjetrin.