Mobi Casa

Italia, nën kthetrat e mafisë

/ 4 minuta lexim

Terracina është një qytezë afër Romës, e njohur me plazhet e saj. Rivarolo Canavese shtrihet nën hijen e Alpeve, në veri të Torinos. Ndonëse ka më pak se 12,000 banorë, njihet për rrënojat romake dhe kështjellën e bukur të shekullit 14.

Asnjëra nga këto dy qyteza nuk ndodhet në zemër të territorit tradicional të mafisë, në jug të Italisë. Megjithatë, të dy qytezat kohëve të fundit janë infektuar nga krimi i organizuar, shkruan ‘The Economist’.

Në muajin gusht u vra Gaetano Marino – që dyshohej të ishte pjesëtari numër një i mafisë napolitane Camorra. Ai u vra derisa po pushonte në plazhin e Terracina’s, bashkë me familjen e tij. Në fillim të vitit, Këshilli i Qytetit në Rivarolo Canavese u vendos nën kontrollin e drejtpërdrejtë të shtetit, pasi një hetim dëshmoi se anëtarët e mafisë kalabreze Ndrangheta ishin infiltruar brenda pushtetit lokal, shkruan ‘The Economist’.

Fakti që Ndrangheta – një grup ky kriminal, i themeluar në jugun e skajshëm të Italisë – mund të hasej në ortakëri të plotë me politikanët lokalë, në një qytet vetëm 60 kilometra larg kufirit me Francën, paraqet një dëshmi bindëse të diçkaje që dalëngadalë po bëhet gjithnjë e më e qartë: mafia në Itali nuk është më vetëm një dukuri jugore, por një fenomen kombëtar.

Nga 22 pushtetet lokale që – për shkak të infiltrimit të supozuar të anëtarëve të mafisë – u shpërndanë vitin e kaluar, katër nuk ishin në jug. Se çfarë po ndodhë përgjatë bregut afër Romës, ende mbetet e paqartë. Disa hetues kanë frikë nga mundësia e shpërthimit të një lufte ndërmjet huliganëve lokalë dhe mafiozëve të Camorra’s, për shkak të synimit të këtyre të fundit që të zgjerojnë ndikimin e vetë përtej kufijve të deritanishëm.

Eco Higjiena

Grupet tjera kriminale tashmë kanë nisur të krijojnë ‘aradhat’ e veta në kryeqytetin italian. Në vitin 2007 u vërtetua se Cosa Nostra planifikonte të shpërlante paratë e pista në hapësirat që ndodhet përballë zyrës së kryeministrisë së vendit. Dy vjet më vonë, njëri prej bareve më të njohura të Romës, Café de Paris, që ndodhet në rrugën Via Veneto, ishte mbyllur, kur ishte zbuluar se ai shërbente si njëlloj maske për veprimet e Ndrangheta’s.

Situata në veri të Italisë duket shumë më e qartë. Ka kohë që dihet se kriminelët e jugut po lëshojnë rrënjë në pjesët më të pasura të vendit.

Falë tri hetimeve të fundit, tejet të detajuara, u bë e qartë se Ndrangheta jo vetëm që është bërë grupi më i fuqishëm në veri, por edhe se prania dhe ndikimi i saj në atë pjesë të Italisë është shumë më e madhe sesa që dyshohej deri tani. Policia dhe prokurorët pohojnë se kanë identifikuar afro 24 anëtarë Ndrangheta’s në rajonet e Lombardisë – një rajon ky shumë i pasur përreth Milanos – dhe Piemonte’s, kryeqytet i të cilit është Torino.

Dy hetime, që u kryen në dhjetor të vitit 2011 në Lombardi, rezultuan me 110 të akuzuar. Aktpadia me shkrim, që u publikua në muajin qershor, është një dokument shumë shqetësues. Ajo ka të bëjë me mbi 70 raste të zhvatjes dhe shantazhimit të qarqeve financiare dhe të sferave që lidhen me to. Natyrisht, falë përdorimit të armëve të zjarrit, e në disa raste edhe të eksplozivëve. Kështu, më 18 shtator një biznesmen 75-vjeçar nga Milano u qëllua në këmbë, dhe policia menjëherë dyshoi se bëhej fjalë për një pritë të organizuar nga mafia.

Hetimi i tretë, gjegjësisht operacioni Minotaur, i cili ishte i fokusuar në rajonin Piemonte, rezultoi me arrestimin e 172 personave. Asokohe u kërkua shpërndarja e Këshillit të Qytetit në Rivarolo Canavese. Kjo për shkak se shefat e Ndrangheta’s deklaruan se kishin punuar me politikanët lokalë, me qëllim që të fitonin një ulëse në Parlamentin Europian. Madje, njëri prej shefave të mafisë krenohej me mburrje se, ai dhe njerëzit e tij mund t’i qeverisnin lehtësisht disa qyteza që shtrihen rrëzë Alpeve, ngase atje i kanë 11,000 vota të sigurta.